I inspiruar nga Kënga për Osman Takën dhe nga vallja që në popull quhet “vallja e burrave të Konispolit”, që i shpëtoi jetën një njeriu, emrin e të cilit e mban edhe sot “vallja e Osman Takës”
Ilirët ishin popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik dhe ishin trashëgimtarët e vetëm të pellazgëve, që kishin historinë, kulturën , traditën dhe doket më të lashta se çdo popull tjetër në Siujdhesës ballkanike, ku ilirë të formuar historikisht në vetë në trojet e tyre etnike , gjatë gjithë epokave historike janë zhvilluar pandërprerë gjer tek shqiptarët si pasardhësa të ilirëve. Ata kishin edhe vallet e tyre të lashta, valet e bukura të asaj që përbëjnë kulturën e kërcimit tradicional ilire, mjaft specifike dhe burimore, mjaft identike me valet në Shipërinë gjetiu, madje në Kosovë dhe Çamëri, e sidomos nga ato është edhe Vallja e Osman Takës, që shpirtin e kanë në vetë Trungun dhe rrënjën e fiseve Ilire !
Ato janë aq të lashta, sa janë të lashtë vetë kultura, historia dhe populli shqiptar, e me të cilat jeton nëpër shekuj. Vlenë të cekim se valet tek shqiptarët, janë traditë e moçme, dhe që paraqesin ngjarje specifike, lufte, jete, pune dhe të qënurit deri tek motivet e stërvitjeve të ndryshme të luftës dhe trimërisë apo të dashurisë…
Vallja e Osman Takës, ajo valle epiko-lirike e cila bëri bujë të madhe historike në kulturën, fokloristikën dhe jetën shqiptare , me fillet nga trojet çame dhe Janina, i shpëtoi jetën një njeriu, të cilit mbreti donte t’ia priste kokën, ai e luajti dhe këceu m krenari vallen e famshme, sa që mbreti mbet i mahnitur dhe ia fali jetën. Që nga ajo kohë, thonë rrëfimet historike, kjo valle e morri emrin :Vallja e Osman Takës!
… Osman Taka nga familja e madhe e Takajve të Konispolit ishte një djalë perifan, me trup elegant, me panje të bukur dhe burrërore, përfaqësues tipik i familjes aristokratike të Takajve. Një nga familjet me patriote të krahinës së Çamërisë.
Kjo valle ka edhe historinë e saj mjaft interesante. Është rezultat krijimtarie e frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë lufte e cila zhvillohet në Konispol të Çamërisë në kohën e pushtimit të tokave shqiptare nga Perandoria Osmane!
Osman Taka me 4 djem trima konispolatë, zurën pusinë në udhë të re trupës që vinte nga Karakolli turk, për faljen e radhës të xhumanë në Konispol. Komandanti me pesë ushtarët të rënë në pritën e trimave konispolatë vriten dhe mbetet një nga ushtarët gjallë, të cilin Osmani e çarmatos dhe i tha, po të le gjallë, t’i tregosh komandantit tënd në Janinë, se kush jam unë dhe se nuk ka ushtarë dhe oficerë të preki femrën konispolate, çoji selam nga Osman Taka i Konispolit.
Nasho Gërxhua një çoban i njohur, në të gjithë zonën e Shalsës, e kishte stanin atje mbi bjeshkë ku kurorat e maleve duket se puthin qiellin. Ai e ftoi të vijë Osman Taka në konak dhe menjëherë theri qingjat dhe i vuri në hell. Askush nuk dyshonte tek Nashua, se mund të strehonte Osman Takën, kur fermani i Portës Lartë thoshte qartë, se kush e strehon dhe i jep bukë, do të dënohet njësoj si Osmani, me vdekje, në litar!
…Pasi hëngrën mish qengji të pjekur në helli dhe sprazën kupat me raki…Ngase trimat ishin të lodhur dhe nga pija i zuri gjumi.
Nashua i hypi mushkës dhe shkoi menjëherë tek karakolli turk i Qafë Botës. Ushtarët e pritën: “Lepe Nasho efendi – i thanë, – ç’e mirë të solli. Atëhere – u tha – unë kam Osman Takën dhe trimat e tij në stanin tim!” Je i sigurt i tha komandanti i Karakollit. “Po – u tha Nashua – edhe i kam dehur!”
Menjëherë u lajmërua Janina dhe u nisën taborrët me ushtarë. Nashua i thotë komandantit turk, dua paret, 5 mijë napolonat flori, që i keni taksur, për kokën e Osmanit. Komandanti i tha, Nasho do t’i marrësh, por pasi të zemë të gjallë Osman Takën dhe pasi i lidhen duar e këmbë e mbajtën sa erdhën trupat ushtarake nga Janina. Trupat ushtarake me Nashon të lidhur, ecën me shpejtësi dhe e rrethuan stanin, u folën djemëve të Nashos, që ti dorëzonin vrasësit të gjallë, në të kundërt do të digjeshin të gjithë brënda ne kasollës së stanit. Osmani me trimat, filluan menjëherë të qëllojnë kundër turqëve, duke u zhvilluar aty një betejë e madhe...
Osman Taka ishte jo vetëm luftëtar i paepur, por edhe një valltar i njohur popullor. Pikërisht te ky fakt mbështetet edhe bëma e tij si një nga personazhet më të spikatur të folklorit popullor çam.
Tregojnë se dikur Osman Taka u kap nga forcat turke, u burgos në Janinë dhe e dënuan me varje te rrapi i Konispolit.
(Valle çame)
Vallja e Osman Takes – Pikture
Vazhdimi i historisë së valles së Osman Takës, valles së burrave të Konispolit, eci si valë deti në shekuj! Gjatë luftimeve ndërmjet taborrëve turq dhe Osman Takës e trimave të tij, u vranë dy djem të Nasho Gërxhos, një nga shokët e Osman Takës, në fund pasi u mbaruan fishekët, Osman Takën dhe tre trimat e tjerë i kapën të gjallë dhe i çuan në burgun e Janinës, ku Gjykata e Janinës i dënon me vdekje: me varje në litar. Porta e Lartë vendosi që pas një muaji, të ekzekutohet dënimi në Filat të Çamërisë. U lajmërua e gjithë krahina të merrnin pjesë në ditën e ekzekutimit të fermanit të dalë nga Porta e Lartë. Në këso rastesh Valiu i Janinës, Hasan beu së bashku me gruan e tij Xhemile Hanëmi, të vendosur në dy kolltuqet e parë, për të ndjekur ekzekutimin që do të bëhej nga kadiu turk, Mexhit bej, po shikonin me vëmendje të madhe, miletin që kishte mbushur sheshin kryesor të Filatit. Valiu kërkonte pjesëmarrje sa më të madhe të arnautëve të Çamërisë, të cilët nga kjo varje do të nxirrnin mësim dhe nuk do t’i bënin probleme perandorisë turke. Kadiu Mexhit Bej, po ecte krenar, si një gjel i krekosur, dhe në podiumin e ngritur për ekzekutimin e fermanit, për varjen e djemëve nga Konispolit, ju afrua trimave, duke iu thënë se ishin të dënuar me vdekje me varje në litar, Osman Taka më të dënuarit e tjerë nga Konispoli, andaj i pyeti se cila është kërkesa e tyre e fundit në këtë botë?
Fjalën e mori Osmani i cili, pasi foli e shau për padrejtësitë që po bënte Porta, pasi tha se qe i bindur për hakmarrjen që e kishte bërë, për të ruajtur nderin e familjes dhe të krahinës, iu drejtua Kadiut: “ Dua të këcej një valle përpara valiut, Mexhit Beut!- tha Osman Taka dhe vazhdoi: “ kërkesa ime e fundit në këtë bote, është paksa e çuditshme. Unë dua një sufra dhe sazet e Filatit e Konispolit për të kërcyer vallen që unë dua, sipas traditës çame, ne e quajme Vallja e Burrave të Konispolit, dua orkestrën e Braho Salametit !”-përfundoi Osman Taka.
Për pak minuta erdhi sufraj dhe Braho Salameti me shokët e tij, sazet me gamete, violin e def. Brahua i tha: Osman Aga, çish avaz do ti bije me gjithë zemër? Osman Taka iu afrua klarinetistit dhe i pëshpëriti ritmin e një melodie. Sazexhiu e kapi sa hap e mbyll sytë atë që duhej të luante.
Osman Taka u kërkoi ekzekutorëve edhe një shami dore dhe një nga shokët e tij, një valltar që do ta mbante gjatë vallzimit. Valiu ia plotësoi gjithë kërkesat, teksa priste i çuditur se çdo të ndodhte. Pranë kishte gruan, shoqëruesit dhe zyrtarët e tij të habitur njëlloj si ai.
Më në fund Osman Taka, me shami në dorë dhe përkrah njërin nga shokët që e mbante fort, u ndal me vështrimin nga trekëmbëshi ku tundej laku i litarit dhe nisi të këndonte duke improvizuar ca vargje për vete:
– Hajde, more Osman Taka…
Gërrneta klithi melodinë shoqëruese dhe sakaq zuri fill vallja e tij legjendare përballë armiqve dhe vdekjes…
Osman Taka, i veshur me kostumin tipik të Çamërisë, me fustanellë e qeleshe të bardhë, nisi të kërcente para valiut të Janinës dhe Xhemile Hanëmes. Lodërtarët e orkestrës luanin ritmin me melodinë e rrallë të lëvizjeve të tij. Hidhte ca hapa, këndonte dhe kur rrotullohej thërriste “Hooopa” si t’i jepte guxim vetes dhe shokut që e mbante fort e më fort duke ndjekur ritmin e tejet burrëror të valles… Rrotullohej në vend mbi njërën këmbë në një hapësirë sa një sofër dhe atëherë kur dukej se do të këputej e binte përtokë, hovte befas përpjetë dhe thembrat e këmbëve i arrinin supet e shokut që e mbante fort përdore…
“ E filloi vallen qetë-qetë, si valët e shtruara të detit pranveror, duke u harmonizuar tërësisht me melodinë sa lirike, pikëlluese e shpresëdhënëse që buronte drithëruese prej klarinetës e violinës. Hapat e tij të thjeshtë, të ngadaltë dhe të prerë valëzonin e valëzonin, pastaj merrnin befas hov dhe shpërthenin në një furi rrotulluese e marramendëse në një hapësirë sa një tepsi. Ashtu si vorbull e shpejtë i ngjante një vale që fryhej si me magji e shkumëzohej e shndërrohej sakaq në një dallgë kreshtëbardhë.!”- thotë legjenda. Më tej Shefki Hysa në shkrimin e tij në “Krahu I Shqiponjës” nënvizon :
“Dora e tij, herë pas koke e herë si krah shqiponje në fluturim, të linte përshtypjen se nuk po vallëzonte, por po dallgëzonte. Fustanella gufonte e gufonte dhe qeleshja dukej se prirej drejt reve. Kërcente si askush tjetër, jo si valltar, por si një magjistar i rrallë a si shtojzovalle e dalë nga përrallat popullore.
Herë si fugë e herë i përkulur mbrapa me kokën në tokë, si urë, plot hijeshi e elegancë, herë si valë e sapolindur e herë si dallgë kryethinjur, dukej se ishte pjesë e natyrës, sa e tokës dhe e detit, apo sikur natyra buronte prej asaj bukurie rrotulluese trullosëse, marramendëse....
Thonë se falë asaj magjie trupore, shkathtësisë dhe zhdërvjelltësisë gati hyjnore, vajza e valiut e magjepsur, pothuajse u rrëzua nga dritarja teksa zgjatej e zgjatej për të parë atë valltar të mrekullueshëm.
Të gjithë njerëzit aty rrotull e vështronin me admirim dhe habi, duke harruar se ai ishte një i dënuar me vdekje dhe një armik i betuar i Perandorisë Osmane.
Kur mbaroi vallen, Osman Taka, i mbytur në djersë, fshiu ballin me shami dhe sakaq e rroku turmën me një vështrim prej shqiponje.
Befas shpërtheu një lumë duartrokitjesh.
Valltari i habitur piu një shtambë ujë dhe thirri:
– Tani jam gati të shkoj në litar për nderin e familjes sime dhe vatanin!…
Të gjithë shtangën në pritje të shenjës së valiut për ekzekutimin e të dënuarit.
Dokumente arkivorë të Janinës tregojnë realisht se pas asaj valleje të paparë ndonjëherë, e shoqja e valiut i kërkoi atij që t’i falte jetën Osman Takës.
Në atë moment emocionues Xhemile Hanëmi u çua në këmbë drej Valiut , Hasan Beut dhe me zë të lartë, thirri:
– Një valltar si Osman Taka nuk mund të shkojë kurrë në litar!
Urdhëroi ndalimin e ekzekutimit menjëherë dhe i fali jetën…
Thonë se që nga ajo ditë kjo valle e hershme epirote u quajt Vallja e Osman Takës.
Është një valle e jashtëzakonshme, nga më të bukurat dhe më burrëroret e Çamërisë. Një valle që të sjell në kujtesë Osman Takën, djaloshin-hero, i cili u përjetësua në histori dhe në bëmat e folklorit popullor falë dëshirës së tij të fundit për të kërcyer para vdekjes. Kaq mjaftoi dhe Osman Taka, ky shembëllim i gjallë i heroizmit shqiptar ndër shekuj, të triumfonte mbi vdekjen dhe të hynte në këngë e në legjendë apo histori.
Shumë artistë e kanë kërcyer ndër vite këtë valle, por askush nuk mundi ta kërcente dot, deri më sot, si djaloshi artist Taip Madani, nga fshati Shalës i Konispolit.
« Nëpërmjet kërcimit të tij virtuoz, artisti i kohës sonë, Taip Madani, jo vetëm risolli në skenat bashkëkohore shkëqimin e florinjtë të kësaj valleje të paarritshme, të valleve çame në përgjithësi dhe të vetë foklorit të mahnitshëm çam, por rikrijoi edhe mitin e Osman Takës së ri, të aftë të ripërtërijë nëpër shekuj vlerat e padiskutueshme të artistit-hero, Osman Takës së qëmoçëm që ndriçon si brilant midis brilanteve të thesareve të kulturës popullore shqiptare! »- do të thotë Shefki Hysa në ervistën « Krahu i Shqiponjës ».
***
Çdo dashamirës i artit shqiptar, në veçanti atë të valleve, duhet ta dijë se nuk mund të flasësh për vallen e Osman Takës, sikur një valle të zakonshme, pa ditur se kush ishte vetë personaliteti i tij i lidhur natyrshëm me këtë valle si Natyra me Krijuesin e saj. Porse, kjo është valle e vetme, me të gjitha karakteristikat e stilit dhe zhvillimit mahnitës në të kërcyerit…Për këtë arsye e ndjeva si detyrim të shkruaja dy radhë për këtë Valle të madhe tipike dhe e gërshetuar me të gjitha nuancat e bukura artistike, tanimë e njohur në popull si Vallja e Osman Takës, lindur në zemër të Çamërisë!