Dal e mbledh unë një nga një
Kujtimet që s’kanë të sosur
Atje ku ëndrrave u dhashë zë
Me çdo cep dheu i marrosur.
Ku e nisa unë rrugën time
Shkrep më shkrep e gur më gur,
Tek çdo ndjenjë e hollë intime
Shpirt e zemër në flamurë…
Shkela fushë e shkela mal
Nga kufiri, thellë në kufi
Në çdo fshat, në çdo qytet
Mbolla besë, korra dashuri…
Që nga Shkodra në Delvinë
Nga Librazhdi në Leskovik,
Kujtimet ç’më venë e vinë
Ç’më ndizet malli me vërtik.
Që nga Dibra me Nëntë Male,
Në Korçë, Devoll e Salari,
Moj Shqipja ime me halle,
Ti më fale veç mirësi…
Që nga Mokra gjithë lezete
Tek Saranda si nimfë deti,
Shqipërinë e mora me vete
Në ditë halli, në ditë lezeti…
Në Lurë, ku më ra koka,
Në Dibër, ku rrjedh ujëvara,
Më të bukura se Evropa,
Këto lugje, shkrepa e ara…
Këto stane gjithë hijeshi
Bujtinat ditë natë shtruar
Më ushqyen me dashuri
Ma mbajtën shpirtin përvëluar…
Në Mat orë e shqiptarisë
Me Buzukun ka udhëtuar
Bujari e mirësisë
Në atë vis ka lulëzuar…
Në Shkodër e zbrita hënën
Të pijë qumësht mbi Rozafë
Humorit shkodran ia dhashë zemrën
Hapur kanatë më kanatë…
Lezhë, o vis mirësie
Ku dimër verë fryn veriu
Kam një detë dashurie
Brenda s’e mbaj dot i ziu!
Njerëz pune, sofërshtruar
Të zgjuar, plot salltanete
Zemrat i mbani në duar
Për mikun, sikur për vete…
Në Vermosh, lart mbi pllaja,
Në gji të Alpeve bukurore
Fluturon shqipja në ato maja
Raca më e bukur arbnore…
Në Kukës një lumë drite
Ma përmbyti fantazinë
Lumë, me bukuri Afërdite
Në sup e mbajte Lirinë…
Puka vetull gjelbëroshe
I rrin hëna mbi qerpik
Male e fusha bukuroshe
Njerëz të punës, simpatik…
Në Mokër, në gji të malit
Piva me dolli dhe hënën
Me mokrarët shpirtlëvduar
Gjeta babanë, gjeta nënën.
Gjeta vëllanë, gjeta motrën,
Sofër shtruar, shpirt bujari,
Në kujtime e mbarta Mokrën
Në mes zhegu dhe acari.
Në Sojnik në të bukurin fshat
Ku dhe pjergullat janë bujare
Njoha miq unë në çdo shpat
Miq e shoqëri të madhe…
Elbasani i Aqif Pashës,
Mbi kala e ndër sokakë,
Ç’ma hapi zemrën e bardhë
Si më të bukurin zambakë…
Librazhdi, qytet më vete
Njerëz të mirë duarartë
Dinë lezetet e kësaj jete
Qofshin burrat, qofshin gratë…
Rajca me salltanete
Njerëz të mirë dhe fisnikë
Nuk mendojnë vetëm për vete
Dinë ta mbajnë mikun mik.
Prrenjasi me zemër trimi
Me të madhen dashuri
Verë të duket dhe mes dimri
I pret miqtë me dashuri.
Pogradeci i Lasgushit
Pi dhe dehet me musht hëne
I vjen muza e Poetit
Dhe e fton në nota kënge…
Korça lule, pioniere,
Timoniere e shqiptarisë,
Më priti me bukë e ndere,
Ti je zemra e mirësisë…
Në Kolonjë ku fryn veriu
Dhe tret shpirt të shqiptarisë,
Mbret mbi mbret ndihet njeriu
Nga sajdia e bektashisë…
Në luginë dremit Naimi,
Bilbili me gjuhë diellore
Abdyli me besë burri
Vjen nga larg, trojesh arbnore.
Berati me vezullime
Në çdo gur fle lashtësia
Vjen e hynë në këngën time
I lashtë sa përjetësia…
Myzeqeja fushë pa fund
Hambar e sofër bujarie
Shokë me besë s’i gjen askund
Si në këtë vis bukurie…
Fier e Lushnje, hambarë drithi
Fushës era qiellin kreh
Myzeqari është i gjithi
Shpirt që veç të mirën njeh.
Tepelena shkëmb e gurë
Nën qepalla të Aliut
Digjet pritet për flamurë
Nder e besë i jep njeriut…
Gjirokastër Argjiroja
Me qepalla prej graniti
Në gjirin tënd të vdisja doja
Me kulturë shqipen e ndriti…
Vlorë me halle dhe me nure
Ku Imzot Nikoll Kaçorri
Vuri zemrën mbi flamur
Historia rrugë mori.
Mallakastër shkëmb e brinjë
Male dhe gërxhe thepisur
Ku fle Gjoka në lëndinë
Përjetësisht në udhë nisur…
Moj Saranda gjithë lezete
Shkuma blu si fëshfërimë
Lum kush ty të bën për vete
O zambak, o trëndelinë…
O Përmeti luleshumë
Djem e vajza porsi yje
Një dafinë e kam dhe unë
Si kurorë mirësie…
Dhe në Laç e në Kurbin
Burrat ulen bëjnë kuvend
Buzagazi si diell iu ndrin
Ballë vendi miqtë zënë vend.
Në Tiranë unë e ndala hapin
Blerimi dhe kënga pas më ndoqën
Tek ti i rrita ëndrrat dhe shtatin
Së toku rendëm bashkë me epokën.
Gegë e toskë, malci jallia,
Gen e gjak me vulë shqiptari,
Ç’më vini kujtimesh të mia
Rrugëtimesh ku dola së pari…
Rrugëtimesh më shkoi jeta
Që nga jugu thellë në veri
Me pengesa, me tatpjeta
Zemra dëng me dashuri…
Zemër shpirt i përmalluar
Endem sot e kësaj dite
Duke lypur të kaluarën
Mbetur nëpër shtigje drite…
O ju vise shqiptarie
Ju më jepni frymëzime
Ju pashë ndër vite rinie
Në çdo stinë të moshës sime…