Kur u nisa nëna ime ti nuk e harrove ujin
që të kthehesha prapa pa e bërë muajin
veçse ikën muaj stinë e ikën vite
e kthimin tim ti nuk e prite nuk e prite
peng më mbeti premtimi fjala
kur të flisja e ti më bëje të fala
gjithnjë në telefon dhe kurrë në letër
-kthehu biro se nuk gjen atdhe tjetër
tetë muaj pas vdekjes të erdha tek varri
ku tashmë pranë teje pushonte dhe sugari
që rënë ka në luftë nga plumbat e armikut
pa ju trembur syri dhe kokrra e çerpikut
nëna ime e dashur nënë moj
ti që na rrite me gishtrinj dhe me thonj
një jetë të tërë kishe halle të tjera
të na nginje me bukë sa të dalë pranvera
unë yt bir e di më së miri
se si na kapte ankthi frika e deliri
kur nuk kishim miell misri as grurë
kur në vend të patateve na zieje gurë
ti që bëre kaq shumë për ne
unë nuk arrita të ta hidhnja një grusht dhe
kur të erdha sot qave apo qeshe
më fal të lutem po munde dhe po deshe...
*e shkruar këtu e njëzetë vite më parë dhe e publikuar sot për herë të parë