Të zgjedhurit tanë me dorë,
Brënda stallës politike,
“Magjistrat e Barçhelorë”,
Tundin “grada”- mitabike!
Nuhatjen e kanë të fortë,
Nga ulluqet vjen paraja,
Të babëziturit në botë,
“Është e jona”- thonë Dynjaja!
Hapin e mbyllin defter,
Para kamerës krekosen,
Tunden, shkunden si “lider”,
Ditën me diell, menderosen!
Duan pushtet për grupacionet,
Jo shtetin që duan shqiptarët,
Ngrejnë leqe, klane e klonet,
Pusht-pushtetin për zuzarët!
S’po gjen derman hallexhiu,
Një jetë të tërë në adhape,
Në zyra matrapazxhiu,
Mban shënime, në qitape!...
Me tam tam- trumbetuan,
“Do ngrem shtet për të shërbyer”.
Shqipëtarët i mashtruan,
Prap mbetën duke rrëmbyer!
Ikën nga “vellot” e zeza,
Vanë te të “bardhat, zgjyrë”,
“Oktapodhi” qysh në veza,
Nxjerin rasate këllirë!
Po nëpërkëmbet njeriu,
Për 30 e ca vjet,
Ranë në breshërin pas shiut,
Po mbeten me syt përpjetë!
Emrin që bën nga paraja,
E humbet si bari vesën,
Mëkat e çmon dynjaja,
Pasurinë e vën pa djersën!
Rreth tepsisë po vardisen,
Për tepsinë veç mendojnë,
Me timonin “kapërdisen”,
Dhe kusinë e rrotullojnë!
Durojnë për bukë e për ujë,
Të mbuluar nga marazi,
Birinxhi në dhe të huaj,
Këtu dhe buza u plasi!
Prit e gogësist mileti,
Në tynel të errësirës,
Kërkon drejtësi i shkreti,
Në folenë e egërësirës!
As 3 milion shqiptarë,
Me pishë kërkojnë shtetin,
“Duken në rrugën e mbarë”,
Pordhale hap për miletin”!
Gju më gju ulur në shesh,
Me miletin “kuvendojnë”,
Kanë sy e kanë vesh,
Para kazanit Mashtrojnë!
Nuk shkojnë dot në pallat,
Me mur’e gardhe rrethuar,
Ulërijnë ditë e natë,
Pa pushim qent’e tërbuar!
Janë qentë me katër këmbë,
Ata me dy këmbë janë shtuar,
Nuk u rënka një tënjë,
Ore e çast duke kafshuar!...
Dy mitaraloz te taraca,
Dhe dy bomba në themel,
Qysh nga ’97-ta,
I mbajnë varur në çengel!
Xha Selimi të ish gjallë,
Do i’a merte me oi,
“Ku je o shteti rrumpallë?
Bën vetëm demagogji!...