Tridhjetë e dy fise ilire
Në dyzet male…
…Sot po klith ti moj shqipe
Po klith zemra kolonjare.
Nga Mollë e Kuqe
Gjer te Arta
Dikur ishe nuse
Sot të mbyt lëngata.
Dikur lulëzonte mirësia
Me besa-besë e fjala fjalë
Sot copëtuar të ka ligësia
Ndaj flasim, se jemi gjallë.
Ndaj klith shqipja
Në dyzet male
Me bubullima e krisje
Me gjëmim fjale.
Shqipja gjuhë perëndie
Nur e hijeshi ka fjala
Dyzet male trojet e mia
Se nga hiri unë u ngjalla.
Sot për dije jam e etur
Mos më merrni për të vdekur
Mos më merrni për shurdh-memec
A pa sy që mos të ec…
Jo, mor jo, se kam vrull shqiponje
Rrit në Gramoz, në ato hone
Rrit në Kolonjë, në ato pllaja
Më shumë halle të mëdhaja.
Dyzet male, dyzet gjëma
Ves me lot po mbushet nëna
E dëgjohet një e qarë fëmije
Në horizont dielli po bie.
Nëpër lule iku vesa
Nëpër zemra rritet shpresa
Nëpër male rriten trimat
Në krahëror presin vetimat.
Rritet fëmija e po pyet nënën:
-Kush na e solli neve gjëmën?!
Nëna mbush sytë me lot...
Rritu, bir, vatanit me i dalë zot.
Se në zemër ke gjak Kastriot
Kush Atdheun nuk ia preku dot…
Se ke gjak si Adem Jashari
Për Atdhe nuk e tret varri.
Se desh vatanin në dyzet male
Lidhë me besë e lidhë për fjale
Se këtë truall e bekoi Nënë Tereza
Bijtë e mi, zjarrin ua ndeza!
Në dyzet male trojet e mia
Të bekuara nga Perëndia
Kush i ndanë i vraftë Zoti
Se jemi gjak Kastrioti.
Jemi vatra e qytetërimit
Me zemër drejt Perëndimit
I dhamë botës papë e perandorë
Kush na e vodhi të shenjtën kurorë?!
Kush na la në robëri të gjatë?!
Kush ditën na e bëri natë?!
Kush vodhi historinë, vlerat?!
Kush na groposi nëpër galerat?!
Një përbindësh a një lubi
Nuk ka shpirt për njeri!
E dënoftë ajo histori
E dënoftë Zoti në qiell!
Në dyzet male sjelltë blerimin
Si dikur sjelltë bashkimin
Veç në shqip të jehojë fjala
Se nga hiri sot u ngjalla.
Sot u ngjalla për Çamërinë
Dhe për Plavën e Gucinë
Sot u ngjalla për Preshevën
Për Ulqinin e Metvegjën.
Gjer në qiell po të ngrejë zanin
Në dyzet male kërkoj vatanin
Po kërkoj trojet e mia
Jam Kolonja, krenaria…