Vendbanimi nuk është vetëm një shtrirje gjeografike, është një territor nga përbërësit e të cilit krijohet një shoqëri, ku kryqëzohen rrugët e botës jetësore të saj! Një vendbanim nuk e bëjnë të gjallë vetëm muret, gurët e gdhendur, apo sarkofagët, anipse i mbijetojnë gjatë kohës, atë e mbanë gjallë kujtesa e shoqërisë. Po ti referohemi historisë, kujtesa e shoqërisë sonë më shumë është përsosur në latimin e gurëve, se sa atë të fjalëve, prandaj lindja jonë është e vështirë!
Një shoqëri gjithnjë ka nevojë për rifreskimin e kujtesës, nga frika se harresa mund ta dërgoj në zhdukje, andaj mbijetesa e shoqërisë sonë është një fat i madh! Më mirë vonë se kurrë thotë populli!
Libri monografik: “Carrabregu” në gjurmët e historisë dhe traditës, i autorit Arton Loshaj, është vërtetë një rifreskim i kujtesës së shoqërisë së këtij vendbanimi. Jo kushdo mund ta bëj një sakrificë të tillë për vendin dhe shoqërin ku ke lindur e jeton, vetëm ai që ka ushqyer një dashuri të madhe për të. Ti hysh një pune për jetshkrimin e një vendbanimi, duke u nisur nga emërtimi, gjeneza, qëndresa në përballje me shekujt dhe mbijetesa përballë sfidave tejet të vështira, hove hove pothuaj të pakapërcyeshme, është sikur të hamendesh të lundrosh mes detit të stuhishëm me një barkë të peshkatarit të lumit.
Arton Loshaj, duke e parë si tejet të rëndësishme jetësimin e fshatit të tij “Carrabregut”, merr mundin dhe i hyn kësaj pune maratonike për pothuaj një dekadë. Hulumtimi i tij kapë pothuaj tëgjitha horizontet e mundshme të këtij vendbanimi: Historinë, Gjeografinë, Etnologjinë, Etnografinë, Kulturën, Arsimin, Sportin, Religjionin, Humanitetin e deri tek lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai në të vërtetë hynë në thellësin e shpirtit të kësaj shoqërie, duke e ndjer nga brenda me gjithë qenien e tij. Prandaj ajo që përmban brenda ky libër, është mishërim i vetë autorit, duke e pasur parasysh se është pjesë e vet këtij gjiri.
Shikojeni librim me kujdes, titulli qëndron lart kopertinës, kurse emri i autorit në fund, është e thjeshtë për ta kuptuar simbolikën e saj. Kjo nënkupton se autori nuk kishte për qëllim asnjëherë që ta ngris veten lartë përmes këtij libri, por përmes punës së tij ta ngre më lart se ç’është fshatin e tij, që për të njëkohësisht është edhe bota e tij.
Duajeni vendin ku jetoni, respektojeni shoqërinë dhe bëhuni shembull i saj, ashtu si autori i librit “Carrabregu” në gjurmët e historisë dhe traditës, Arton Loshaj.