Kur vjeshta filloi të pikturonte një peizazh të zymtë, atëherë kur mendoja se ishte çasti më i volitshëm për t’u çlodhur nga një rrugë e gjatë, u përhap fjala si rrufe se do të shkonim në mal për një kohë të pacaktuar. Pasi që apriori kuturisa të mos lëvizja nga shtëpia as që dëshiroja të dija shkakun përse bëhej një udhëtim kaq i gjatë, madje në një kohë me mot të ftohtë e me shi. Edhe po të mbetja fillikat në shtëpi nuk e kisha ndërmend të kaloja nëpër ato rrugë të rrëpirta, nga të cilat gjithnjë çuditërisht jam frikësuar. Disa ditë në tërë shtëpinë ndjehej një atëmosferë ngazëllyese, e cila hetohej në fytyrat e të gjithëve. Gjatë kësaj kohe në imazh gjithnjë më faniteshin ato ditë të mbushura me vetmi, me të cilat do të ballafaqohesha pa dëshirën time. Nuk kisha ide si do ta mbysja atë vetmi të qartur, e cila më vështronte përtej një errësire të tejdukshme si të ishte një bishë e egër. Sapo ato gjëra të neveritshme i hidhja në humnerën e errët të mendjes, një dorë e padukshme tinëzisht i hudhte mbi pasqyrën e vagëlluar të mendjes së dërrmuar...
- Edhe ti duhet të vish me ne, madje të vish edhe nëse nuk e dëshiron një gjë të këtillë! - më tha një zë me do tinguj të akullt. Ai zë më ngriu të tërin e pastaj më mbërtheu për shtrati. Mendimet filluan të luftonin në mes veti me një vrazhdësi e egërsi të madhe. Ndjenjat rebele grindeshin pa pra, duke e kafshuar njëra-tjetrën pamëshirshëm. Koka kishte zënë të më pëlciste nga një dhimbje e pazakonshme. Më bëhej sikur së shpejti do të shndërrohesha në torzo. I shëmbëlleja një njeriut që ka humbur çdo gjë, madje edhe kohën...
- O Bac, dëgjom vetëm një herë! - i thashë me një zë të përvajshëm, i cili sikur buronte nga fundi i zemrës së pëlcitur, - dëgjom vetëm pak se...
- Vendimi është i prerë! Bëhu gati se nesër në agim do të nisemi! - dhe pasi i la fjalët brenda si të ishin kufoma të pavarrosura e përplasi derën i xhindosur me sa fuqi që kishte. Pastaj doli jashtë i tërbuar si një bishë e egër... Disa çaste qëndrova indiferent sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Të gjitha mendimet më ishin ngurtësuar. U mundova t’i mposhtja të gjitha ndjenja ogurzeza që sorollateshin si korba nëpër kokën e rënduar. Me duart e mia e varrosa durimin, shpresën dhe lumturinë. Me këmbët që mezi më mbanin i rrafshova tri varre, të cilat gjithnjë vinin pas meje. Isha kredhur në një humnerë të mbushur ankth, i cili gjithnjë ushqehej me jetën time. Më nuk dija a jetoja apo vetëm shtiresha se jetoja...
Kur më në fund erdhi mëngjesi, një mëngjes i zymtë, me një acar të çuditshëm, u nisëm për në mal. Rruga e ngushtë ishte e mbushur me baltë dhe heshtje. Më bëhej sikur po shkoja për ta varrosur vetveten që kishte vdekur gabimisht. Me sytë e mendjes e përfytyroja çastin kur kortezhi, të cilit i printe njeriu që më kishte sjellë padashur në jetë e pastaj ishte penduar që e kishte bërë një veprim të këtillë, ndalej pranë varrit të hapur. Pastaj ngadalë brenda lëshohej trupi im që ende nuk kishte vdekur tërësisht... Çapitesha me hapa të rëndë. Mendjen e kisha të turbulluar. Në kokë më kishte hyrë një mjegull e dendur që nuk më lente të shihja asgjë. Dielli më dukej sikur ishte lëshuar mbi kokën time dhe gjithnjë më kërruste. Koha tashmë ishte ngurtësuar. Nëna qëndronte pranë meje dhe vazhdimisht dëneste nga një dëshpërim i thellë. Mbi fytyrën e saj të zverdhur kishte rënë një mallëngjim i egër, të cilin s’mund ta mposhtte. Ajo i shëmbëllente një hënës së përgjysmuar që ka vdekur në mëngjes...
-Ah, si nuk vdiq ky i mallkuar, por jetoi që të të shkatërrojë jetën tënde se jeta ime s’më dhembset fare! - thoshte me një zë që më shumë ishte vaj e që buronte nga thellësia e zemrës së shkrumbuar. Nuk e dija a zvarritesha drejt zhdukjes apo qëndroja në vend duke u sjell në një rreth vicioz. Ishte një përzierje e neveritshme e ndjenjave, të cilat humbnin trajtën reale dhe merrnin trajtë joreale. Objektet që i shihja më ngjanin në kufoma, të cilat çuditërisht më vështronin me sy të verbër. Në mesin e tyre e shihja edhe kufomën time, të cilën e hanin korbat dhe krimbat. Dëshiroja ta shkatërroja atë imazh të plogështë që më ishte tiposur në një skaj të mendjes. Mirëpo, forca më ishte shterur si të ishte kandil që mbetet pa gaz. Isha shndërruar në një mekanizëm që vihet në veprim nga forca të jashtme...
Nuk e pashë fare se nga doli një mbrëmje e plagosur që zvarritej me këmbë të thyera. Ajo u lëshua mbi hapësirë së bashku me do krrokama të thekshme e me do ulërima të zgjatura. Vetëm atëherë nga qepallat e ndryshkura i largova merimangat dhe vërejta se kishim arritur në një mal me lisa të mëdhenj, të cilëve nuk u shihej fundi. U mundova të shquaja dikë e diçka, mirëpo çdokund shtrihej një vetmi e qartur, e cila më mbështillej rreth qafës si të ishte një gjarpër i madh. Isha kredhur në rrjetën e një frikës së paanë, në të cilën ngadalë kisha zënë të mbytesha. Dëshiroja ta thërrisja nënën të më nxjerrte nga ajo gjendje e mundimshme. Mirëpo, zëri nuk më formësohej dot. Nuk e dija çka kishte ndodhur me mua as me të tjerët, të cilin ishin tretur pa gjurmë. Mendime të kobshme më silleshin vërdallë nëpër kokën e rënduar. Nuk dija ç’të bëja me vetveten as me kohën që më vështronte përtej errësirës. E vetmja gjë që duhej ta bëja ishte që të mendoja për gjëra të lumtura. Mirëpo, mendimet mezi arrija t’i krijoja vetëm me gjysmë forme. Nga ato mendime të përgjysmuara dolën tri hije të bardha, të cilat vallëzonin rreth trupit tim të shtrirë pranë një humnere të thellë. Nga një largësi e papërcaktuar jehonin do ulërima ujqish të uritur, të cilit kërkonin trupin tim për ta ngrënë. Mundohesha të ngrihesha nga vendi, por një forcë e padukshme më mbante të mbërthyer. Më dukej sikur isha i gozhduar... Stinët filluan të ndërrohen njëra pas tjetrës me shpjetësi të rrufeshme. Koha rrëshqiste si të ishte një lumë i rrëmbyeshëm, kurse unë qëndroja larg saj. Qëndroja gjysmë i fjetur e gjysmë i zgjuar, gjysmë i gjallë e gjysmë i vdekur. Çdo gjë që më rrethonte ndryshonte trajtën dhe formën... Një ditë ose një natë (pasi ato vështirë arrija t’i dalloja) arrita të ngrihem nga vendi si të ngrihesha nga varri. Fillova të sorollatem nëpër atë hapësirë të çngjyrosur. Zvarritesha tërë kohën e në fund arrija në fillim të shtegut. Dëshpërimi me një shpatë të mprehtë në dorë ma copëtonte zemrën. Gjithnjë e më tepër bindesha se nuk mund ta gjeja rrugën që më nxirrte nga ai mal i madh, në të cilin jetoja me vetminë time të qartur. Shpesh binte shi dhe i lagte ato pak gjëra që gjendeshin rreth meje. Gjithnjë mbisundonte një stinë e ftohtë, e cila e sillte një mjegull të zezë që i gëlltiste gjërat që mungonin. Qielli dukej sikur kishte mërguar së bashku me diellin...
Kushedi sa vite i treta në brendësinë e atij mali, duke mos mundur të gjej rrugën që më nxirrte prej tij. Një ditë m’u duk sikur e gjeta shpëtimin që e kërkoja. E pashë me sy të vagëlluar njeriun që më solli pa dëshirën time në jetë e pastaj më mbylli në këtë mal të shkretë që kurrë të mos përjetoja gëzim as lumturi. Ai gjendej vetëm pak metra larg meje. Më vështroi me dy sy të mbushur urrejtje e mllef sikur të dëshironte të më gëlltiste. E thirra shumë herë me sa zë që kisha që të mos ikte nga unë, po të më nxirrte nga ai mal i shkretë. Ai disa çaste më vështroi me dy sy të zgurdulluar, në thellësin e të cilëve lodronte një urrejtje e çuditshme. Pastaj një Zot e di nga u tret dhe kurrë më në jetë nuk e pashë. Më kot vazhdova ta kërkoj rrugën që më nxirrte nga ai mal i mallkuar, në të cilin dielli gjithnjë mungonte... Kush është fajtor për sfilitjet e mia, më pyeste një zë i largët në vetvete. Nuk guxoja t’i përgjigjesha. Flokët vazhdimisht më rriteshin e pastaj edhe më thinjeshin. Fytyra vazhdonte të më mplakej pa mëshirë. E unë nuk bëja tjetër veçse kërkoja rrugën që më shpinte larg atij mali të mbushur me korba e ujq të uritur...
Disa ditë para se të takohesha me trajtën e vdekjes reale, përtej mosqenies erdhi nëna, të cilën e përfytyroja të vdekur, dhe më nxori nga mali. Mirëpo, mezi më njohu, ngase isha mplakur aq shumë sa me vështirësi qëndroja në këmbët e mia.
Kur arrita në shtëpi i gjeta do njerëz të cilët as nuk i njihja, as nuk më njihnin...