Deri në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbdhjetë,
gjallëruan mbi treqindmijë shqiptarët e përpjetë,
në qindra vendbanime të Qendrës Iliro-dardane - t’Vilajetit të Kosovës,
nën sovranitetin e Perandorisë osmane.
Frymuan në Sanxhakun e Nishit, n’troje të veta autoktone,
n’gjeografinë tokësore përtej një Kosove,
shtrirë në veri deri “Te molla e Kuqe”,
n’Katun të Aleksincit - te “gjymrykhana” - dogana turke,
të kufirit Serbi – Shqipëri etnike.
Jetuan në qytete, fshatra plot,
në “Arnautllëkun” e Nishit dhe të Vrajës, në Toplicë, Pirot …
jetuan në Leskoc, Vllasetinc, …
n’Çupri, Paraqin, Aleksinc, …
n’Prokuple, Jabllanicë, Kosanicë, …
n’Pirot, Kurshumli, Polanicë, …
Që t’ngelin pa vatër e pa strehë,
dhe shqiptarët të bijnë pre,
u shkruan dokumente të tipit: “Naçertanija”, …
nga autorët famëkeq serb si Garashanin Ilija, …
Për zbatimin e tyre priu princi Milan Obrenoviç,
duke proklamuar ndër pushtetarë, paramilitarë, ushtarë e miq,
që sa më shumë t’shpërngulin shqiptarë
për ta bërë shtetin e tyre etnikisht kombëtarë.
Ndaj, xhandërmeria dhe ushtria serbo-malazeze e këmbësorisë,
tok me ate të artilerisë,
ndihmuar nga banda e falanga ruse
ia mësyen egërsisht fushatës spastruese.
Në dimrin me ngrica e të ftohtë,
U hodhën me tërbim kundër popullatës së pambrojtur dot,
me metoda mizore e barbare,
realizuan të trishtat skenare.
Për motive t’pastra etnike vepruan,
mbi shtatdhjetëmijë t’pafajshëm terrorizuan, masakruan, …
invalidë, të sëmurë, pleq, plaka, t’rinjë, t’reja e fëmijë,
ishin “arnautë jerli”.
Paskrupull - pushkatuan me armë, therën me thika e bajoneta,
ua prenë këmbët, duartë, veshët e ua nxorrën sytë viktimave t’shkreta.
Qindra të vrarë i hodhën në Nishavë e Moravë,
ku notonin kufomat e fatkeqëve shqiptarë.
Me klithma frike e t’mbytur në lotë,
lemërisen pas nënave vocërrakët kot,
kapen nga xhelatët dhe rrufeshëm theren
trupat e tyre udhëve … hedhen.
Në këtë plojë gjakpirësit derdhën gjakun posi përrua,
thuajse buronte nga ndonjë krua.
Për s’gjalli i kallën, … i lanë edhe në dëborë,
të zhveshur, të zbathur, të urritur e skamnor.
Ndërsa nënat nga acari ngrin …
me foshnje në duarë e në shpinë
duke dhënë edhe gji, …
në karvan refugjatësh që s’njifte kufi.
Piromanët dogjën, poçën, … dhe asgjësuan, …
shkatërruan e rrënuan, …
nuk zgjodhën objekte, shtëpi, teqe e xhami …
gjithandej bënë pluhur e hi.
Trojet etnike shqiptare - të shkreta ngelën,
sepse banorët rrënjës me nxitim u syrgjynosën,
Lanë rrugëve, lumenjve, oborreve … kufoma t’baballarëve, t’nënave, …
të djemëve e vajzave, të vëllazërve e motrave, …
të gjyshërëve, nipave, mbesave ...
lanë trojet e stërgjyshërve, lanë tokën djerrë,
trupat e bagëtive therrë,
lanë ara, fusha, oborre, …
kulla, mullinjë, vorre, ...
lanë bukën nëpër furra pjekur,
bunarët plot ujë - vet ikën të etur.
Gjatë ekzodit në karvane të përgjakura,
u larguan anasit me sëmundje t’rënda,
me plaçka në bohqe, n’thasë e n’çanta -
me turr sa vrapi u arrinte,
me qerre që armiku t’mos i “zinte”.
Për zhbërjen e qenies shqiptare
shfarosën femra fare
që asnjëra sosh të mos lindi,
duke realizuar krimin: gjenocidi.
Të deportuarit e sfilitur u strehuan në Rrafshin e Kosovës,
në trojet e Llapit, Anamoravës, …
të Pazarit t’Ri, t’Shqipërisë e t’Bosnës, …
t’Sangjakut, t’Shkupit n’Maqedoni.
migruan edhe në Bosfor e Anadolli,
n’Amerikën e largët, n’Jordani, …
duke marrë me vete të hidhura histori.
Toka e djegur u ripopullua me kolonistët sakaq,
ku kriminelët serb kishin bërë punën paq,
ndaj, sipas Traktatit të Shën Stefanit dhe t’Berlinit,
u shpërblyen paturpësisht prej perëndimit.
Konvertuan emërvendet origjinale
t’qyteteve, t’fshatrave, t’maleve, …
serbizuan me ato sllave
që t’humbasin gjurmët e lashtësisë shqiptare.
Pavarësisht vendndodhjeve ku patën mbërrij,
muhaxhirët shpresojnë në kthim përsëri
tok me llagape që mbajnë me xhelozi e dhembshuri:
Brestovci, Dedinca, Gagica, Klicurica, Llapashtica, …
Masurica, Podvorica, Rastelica, …
Statovci, Shylemaja, Tupella, Vishesella, …