Kur të jesh mërzitur shumë
për një fjalë a për një prehje
unë do të jem shndërruar në lumë
që rrjedh shtratit e shuan...etje...
Sykaltëroshe
për një shenjë krejt teknike
le peng ndjenjën edhe ike
kokëfortësi do thoja boshe
për një ëndërr sykaltëroshe...
Ethet
gjithë çfarë bëre e bëre për vete
dashuria ishte si një lule jete
veçse edhe lules një ditë i bijnë gjethet
dhe kujton rininë mbërthyer nga ethet...
Mungesë
mungesën tënde fare nuk e vërejtën
as miqtë e rinj e as miqtë e vjetër
se të donin pa mëshirë të rrejtën
gjersa gjurmonin dashurinë tjetër...
Heshtja
pastaj nisi heshtje e rënd
e gjatë e hidhët vrastare
lot i ngrirë në syrin tënd
dhe qiell i errët në dritare...
Vrimat
dikush folur ka keq
vargun e hëngër një dreq
lëngojnë metaforat rimat
gardhit s'i mbyllen vrimat...
Buzëqeshje
nëse vargjet për ty
vijnë si shi vijnë si reshje
desha që në tëndin sy
të ketë diell të ketë buzëqeshje...