Kam një pyetje që nuk më lë të qetë,
Kam një pyetje që kërkon përgjigje:
-Të gjithë ju,ADAMË,ku qetë,
Kur në SHQIPËRI u bënë krime?
Ku qetë kur TRIFON XHAGJIKËN vranë me plumba
Vetëm e vetëm se"Atdhenë e pa lakuriq" *
JU veshët me dyllë,nga goja:vuva!
E bëtë sehir kur e vunë në kryq!!!
Dhe Vangjel Leshon e vranë dhe FAdil KOKOMANIN
(Por ju nuk i patë se"sytë i kishit mbyllur")
Po si mund të hidhnit poshtë partinë e komandantin?
Se ju,besnikërisht,me partinë qetë lidhur.
Krijimtaria juaj shkonte"fjollë" dhe partia u vinte dafina
Se në prozë a me vargje"zbukuronit oborrin e partisë"
Gojën hiç nuk e hapët as kur u prishën xhami e kisha
Se ju kot nuk ishit"krenaria e kulturës dhe e letërsisë".
Heshtët dhe kur u vranë dy POETË në LIBRAZHD
(UH,po si në LIBRAZHD të ketë poetë?!!!)
Me partinë e pushtetin kullotnin në një grazhd
Dhe për ju sahati i konfortit rrinte tetë!!!
Kurba e terrorit ngrihet ca më lart
Në KUKËS varën POETIN HAVZI NELA!!!
Heshtët se në shpirtëra kini natë
Dhe për ju,ADAMËR,më kap e vjella.
Tani zini e flisni,zbrazni pushkë pas luftës,
Dhe gati"bini therorë" me tuajat shkrime
Nuk kini kokrrën e kripës,as druajtje prej krupës
Se jini bashkëfajtorë në krime.
Pendesë nuk njihni dhe hiqeni inoçentë
"Qe kohë e keqe dhe qe diktaturë!"
Secili që dje heshti,sot gati të shpallet disidentë
Ç'është më e keqja:-Ndonjë rreh gjoksin se qe burrë!
ADAMËR! JU nuk e hapët gojën,kur duhej folur,
Dhe partia e pushteti ju mbuloi me çmime
Patjetër,kur erdh demokracia,pendesë duhet të kishit njohur
(këto vargje të mia,e presin një përgjigje)
* varg nga TRIFON XHAGJIKA.
Tiranë,24 shtattor 2021