Mes padurimit e ankthit
Lajm me mjaltë vjen nga Tirana,
Porsi Shpirt me yll të fatit,
Vjen bebushja, siç vjen zana.
Si frymë e pastër vese,
Aromë qumështi e ngrohtë,
Amaris, gjyshi të keqen,
Ç’ëmbëlsira më ra në shportë!
Këtë çast, si një kupë
Gëzimtarie sa prita,
Fati prapë na fali çupë,
Sydrenush’ me shtatë drita.
Sa paradite e bukur
Kjo e 23 Shtatorit
Zemra ime lulembushur
Mrekullinë për dore mori…
Më kuptoni se si dukem,
Si në fron të Perandorit.
Me dritën e lules futem,
Nëpër rreze diellori.
Gufon zemra, qesh si zog,
Perla seç m’u bë me motër,
Mbret si unë kush është sot,
Ngjyrë floriri marrkan lotët…
Amaris, që sapo erdhe
Si muzikë e dashur kënge
Ëmbëloshe, si lëng shege,
E bukur, si ëndërr hëne…