Ti nuk je femër, nuk je grua, nuk je bukuria e skajshme, por je shpirt
Je magjia që më bën krenar, më bën të fluturoj e diellit t’ia bëj me sy
Je speciale në gjithçka bën, e përveçme je dhe s’ngjan më askënd në botë
Je aq e madhe sa gjithë bota me zota, qiej, tokë e dete është përsosë në ty.
Sendet e gjërat rreth teje qeshin, lëvizin, marrin jetë
S’mundet askush kur të sheh ty të mos shtanget për një çast
Të të deshirojë pastaj me gjithë fuqinë e tij, të mbetet duarthatë
Dhe i kënaqur, gojëhapur të të ndjekë me sy, i gëzuar
I lumtur për fatin që pat se të pa ty, të shijoi pak çaste me sy.
Ti je zjarri i ngrohtë që s’shihet, flaka që të përcëllon kur e prek
Zjarri që shkrumbon botën, prushi që s’shuhesh në mua
Shpirti që ecën, oh shumë më i mrekullueshëm se trupi yt i derdhur
Shpirti që fluturon mbi mua, që më merr në krahë, më mbështjell në gji.