Uji i kulluar i Kopaonikut dalë nga ama shkëmbore
që gjarpëronte deri në Sitnicë vendeve kodrinore e fushore,
rrjedhte projshëm shtratit të lumit Tërstenë,
posi zemra e butë dhe pa brengë.
Uji qarkullues nëpër Vushtrrinë e lashtë,
shpërfaqte “bifurkacionin”, si fenomen të rrallë
dhe pikërisht “te cimentat” - tek diga e betonuar,
krijonte ujëmblidhësin për ujitje dhe “bazenin” për t’notuar.
Uji i lumit Tërstena këtu ndahej në dy drejtime:
një sasi derdhej në vaun e gjërë mbi gurë e thërrime,
ku uji rridhte falë “ujëvarjes" me shpejtësi vetëtimthi,
thik tatëpjetë “nër jaz mulliri”.
Tjetri drejtim - shpinte ujin shtratit të lumit deri te “Mulliri i Velisë”
ku bluhej në dishta drithi i myshterisë,
që nga butinat e drunjtë e t’hekurt dilte shpejtësisht
rrotullonte rrotët e rënda të gurit mekanikisht.
Për to përkujdesej Jashar axhi - me përvojë dhe me shumë dashuri,
mullisi urtak, buzagaz, shtatmadh e mustaqezi,
të cilit, tok me çakallat e mullirit dhe gurgullimën e ujit,
në jetën vetmitare në mullirin-shtëpi - iu tretën grahmat e fundit.
E në këtë ishull të vogël rrethuar me hithëra, ferra dhe gardhin mbrojtës,
përthyheshin rrezet e arta vezulluese të diellit e të hënës
prej rrembave dhe kurorave të trungjeve shtatëlartë,
prej plepave, akacive, arrave, pishave dhe lisave të vjetër e të bardhë.
Këtu, në pranverë oaza me gjelbërim vishej nga bari dhe gjethet,
ku mbillej dardha, molla, … sallata, spinaqi, … nëpër lehet,
ndërsa toka lulëzonte mes ujrash – fushave, brigjeve, lëndinave, …
me lule aromatike të zambakëve, vjollcave, trëndafilave, ...
Teksa oaza e lulëzuar gjallëronte nga bilbilat, thëllëzat dhe zogj të tjerë shtegtarë,
në ujin përreth peshkonin me grep e rrjetë fëmijë, të rritur dhe peshkatarë,
e shpendët shtëpiak - patat, rosat, … notonin “nër mulli” dhe “nër jaz”,
pavarësisht motit nëse ishte ngrohtë apo mraz.
E gjatë stinës së ftohtë të dimrit,
kur shtëllungat e tymit ngjiteshin sipër oxhakut të mullirit,
fëmijtë rrëshqitnin stomit të jazit me saja mbi dëborë
mbi akull të lumit me skija me të tëra orë.
aza - dikur idila dhe vendargëtimi i fëmijëve të lagjës,
Agimit, Zymerit, Nasrullahit, Hetemit, Abazit, … nga mëngjesi deri në orët e mesnatës,
shumë herë shërbeu edhe shteg kalimi për kalimtarë,
për nxënës, student, punëtorë dhe të tjerë qytetarë.
E sot, … sot kujtoj me nostalgji at peizazh mahnitës oaze, rrënjësisht të ndryshuar
dhe sodis me sy melankolik ish-tokën e gjelbëruar në tokë ndërtimi të transformuar,
ku uji sikur pikëllueshëm rrjedhë vetëm nëpër va të cekët lumi,
sepse nga shtrati i lumit dhe mulliri i ujit – as gjurmët as gërmadhat nuk ndodhen askundi !