Mbi rëndësinë e shkollës së parë praktike bujqësore kombëtare hapur në qytetin e Lushnjës në vitin 1921

Kultura

Mbi rëndësinë e shkollës së parë praktike bujqësore kombëtare hapur në qytetin e Lushnjës në vitin 1921

Nga: DR NIKO FERRO Më: 18 tetor 2021 Në ora: 12:10
Drejtori i Parë i Shkollës Praktike Bujqësore Ismail Haxhihyseni

Fitorja e arritur me shumë mundime kundra italianëve në Vlorë, shtypja e lëvizjeve të nxitura nga fqinji verior që synonin shpërbërjen e shtetit shqiptarë dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve krijuan kushtet e volitshme që shteti të merrej më riorganizimin e brendshëm. Një ndër këto ishte edhe bujqësia. Nevojat ishin emergjente, mungonin njerëz me njohuri bujqësore, agronom, specialist, mjete, teknika, e shumë të tjera të domosdoshme për bujqësinë.

Në muajin prill të vitit 1921, Ministria e Punëve të Brendshme,[1] “duke marrë parasysh [nivelin e prapambetur në të cilën ndodhej bujqësia] dhe rëndësinë që do kishte organizimi tekniko-bujqësor në Shqipëri, vendosi emërimin e një Organizatori të huaj”.[2] Ky organizator do të bënte disa ndalesa për të studiuar vendin dhe në fund do të sugjeronte se ku do çelej shkolla e parë praktike bujqësore e financuar nga vetë shteti.  

Siç lajmërohet në telegrame, Organizatori i huaj kryesohej nga Profesor Giuseppe Passerini. Ai erdhi në Shqipëri më datë 11 prill 1921.[3] Dhe pa humbur kohë më 12 prill nisi menjëherë nga puna.[4] Në javën e parafundit të muajt prill raportohet ardhja e profesorit italian në Lushnje, i cili shoqërohej nga Inspektori i Bujqësisë.[5]

Kur mbërritën në Lushnje, ata u takuan me Nënprefektin, Zenel Prodani. Këtu pas një qëndrimi të shkurtër u larguan për në Libofshë. Pas Libofshës, vizituan qytetin e Fierit dhe atë të Vlorës. Duke nënvizuar se Libofsha shihej si vendi i preferuar por në fund Organizatori i huaj pëlqye qytetin e [Kongreseve] si vendi ku do çelej shkolla bujqësore,[6]  me arsyetimin “se Lushnja është pikë qendrore e rrugëve që përhapen në Shqipëri, dhe si qendër e fushës së madhe të Myzeqesë”.[7]

Besojmë se në marrjen e këtij vendimi ka një meritë të veçantë edhe Nënprefektit i Lushnjës, i cili veç të tjerave premtoi ndihma për shkollën dhe për nxënësit që do të vinin  nga krahinat të tjera të vendit. Ndërkaq katundaria e Lushnjës vuri menjëherë në gatishmëri dy dhoma të ndërtesës të Shkollës Plotore ku do të vendoseshin nxënësit [e bujqësisë] derisa të mbaronte ndërtimi i shkollës.[8] Këtë sugjerim për çeljen e shkollës bujqësore në qytetin e Lushnjës, Organizatori i huaj ja komunikoi me shkresë Ministrisë së Punëve të Brendshme nëse këta ishin në një mendje.[9] Përgjigjja nga Ministria e Punëve të Brendshme ishte e shpjet dhe pozitive. Aty shkruhej: “Ti kthehet përgjigje që ta çelë në Lushnjë dt 4 maj 1921”.[10] Ndërkaq për të mos krijuar keqkuptime, pasi pjesë e Nënprefekturës së Lushnjës ishte edhe Libofsha, Ministria e Punëve të Brendshme dërgoi po atë ditë një tjetër telegram, ku qartazi shkruhej: “Drejtuar Organizatorit të Bujqësisë – “Shkolla duhet çelët në Lushnjë e jo në Libofshë-Stop.[11] 

Kështu pas përzgjedhjes së vendit, “shkolla u piketua të ndërtohej në pronë pasuri e shtetit të këtij qyteti, në një kodër mjaft të bukur e të shëndetshme, në veri-perëndim të qytetit.  Këtu u vendosën themelet e të parës shkollë praktike bujqësore dhe ngjitur me të u la edhe një sipërfaqe tokë e konsiderueshme për Fushë-Provimtarie të Shkollës ku nxënësit do të kryenin orët në praktik”.[12]

Më 1 tetor 1921 u çel zyrtarisht viti mësimor për nxënësit e shkollës së bujqësisë, pra nën të njëjtën godinën ku ishin edhe fëmijët e shkollës plotore. Vendosja e dy shkollave në të njëjtën godinë, e cila përbëhej nga vetëm 5 dhoma dukej e pabesueshme. “Çuditem qysh mund të  mbaj kaq shumë nxënës” shkruante Z/Drejtori i Bujqësisë pas inspektimit.[13]

[Pavarësisht se shkolla ishte e vogël mësuesit lushnjarë të plotores u përpoqën dhe gjetën mirëkuptim midis kolegëve dhe nxënësve që një pjesë të mësimeve ti vazhdonin me turne derisa shkolla e re e bujqësisë të përfundonte së ndërtuari].

Është interesant fakti dhe koincidenca që dita e hapjes së shkollës së bujqësisë në Lushnje përkoi me daljen e numrin e parë të revistës “Bagëti e Bujqësi”.[14]

Ndërtimi i shkollës së bujqësisë siç del në dokumente nisi zyrtarisht më datë 25 qershor 1921[15] ndërsa afati i përfundimit të saj u caktua data 25 tetor 1921. Por punimet hasën në disa pengesa të cilat ndikuan në mos përfundimin brenda afatit të parashikuar. Kjo shkollë përfundoi në muajin janar të vitit 1922. Shkolla kishte tri ndërtesa të vendosura rresht ngjitur me njëra-tjetrën, ku njëra nga këto shërbente si konvikt, ajo  kishte një grazhd për qe dhe kuaj”[16] “një pulari, një stallë për bagëtinë e imta, lepuj, godina e krimbit të mëndafshit, [17]  pjesa për bletarinë, pjesa për fidanishten etj.  

Shkolla e praktike e Bujqësisë që u çel në Lushnje ishte 3-vjeçare, me program teorik dhe praktik si ato të shteteve të zhvilluara.[18] “Qëllimi i kësaj shkolle të mesme, profesionale [ishte] krijimi i disa njerëzve me dijeni të mbaruar në këtë degë kaq delikate dhe të ngutshme”.[19] Ishte parashikuar që mësimi prej 3 orësh para dite do zhvillohej në teori ndërsa pas dite bëhej 3 orë të tjera do të bëheshin punë praktike. Viti mësimor hapej më 1 tetor dhe mbyllej në fund të muajit korrik.[20] Shkolla pranonte nxënës nga mosha 14 deri 18 vjeç me shkollë fillore bijë bujqish. Shkolla ishte me konvikt me 50 vende nxënësit ishin me bursë dhe librat e fletoret i merrnin falas “me të prishme të shtetit”. “Nxanësit janë të pranuem pa të holla mbasi Ministriaja përkatëse përball e siguron jo vetëm ushqimin e fjetjen në një mënyrë të denjë për nji student por u darovit nxënësve libra, radhoj mjete shkrimi e ravizimi në sasinë që mund të nevojiten”. Shkolla bujqësore e Lushnjës punonte me programe e tekste të veçanta e të miratuara nga organet kompetente. Sipërfaqja e tokës ishte e detajuar sipas kushteve përkatëse si tokat e misrit të grurit pambukut, fidanishtes me 8 dynym tokë me lloj lloj pemësh e frutash, livadhe për kullotjen e kafshëve stallat e tyre e deri tek dhomat e veçanta për rritjen e  krimbit të mëndafshit. Ajo kishte disa makineri bujqësore për shërbimet dhe për përpunimet e bimëve që kultivonte.[21] Gjatë pushimeve verore nxënësit ishin të detyruar të punonin në fermën e shkollës 1 muaj pa pagesë duke përfituar ushqime falas. Në fund të programit 3-vjeçar studimor nxënësit pajiseshin me një diplomë. Ndërkaq nxënësit që dëshironin mund të rrinin edhe një vit më shumë për tu specializuar në degë të veçantë.[22]

Image
Shkolla e Bujqësisë e hapur në Lushnjë në vitin 1921

 

Personeli i shkollës përbëhej nga 5 – 6 veta por ata ishin nga më të aftët e kohës dhe shumë cilësorë. “ishin mësues të dalun prej shkollave bujqësore të Evropës” drejtori i shkollës Ismail Haxhihyseni kishte mbaruar shkollën praktike bujqësore në Selanik të Greqisë. Por edhe agronom e mësues figura të shquara kanë dhënë mësim në këtë shkollë si Mustafa Vila, Kadri Borshi, Shuk Radoja, Pasko Milo, Aladin Toptani, Fadil Drenova, Ago Agai e shumë të tjerë.

Ministri i Arsimit i kërkoi Këshillit të Ministrave që “ferma model e Lushnjës” të kalonte në varësi të saj, dhe jo në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.[23] 

Ngjarjet politike të vitit 1924 çuan në mbylljen e shkollës për një periudhë tre vjeçare. Pas një përpjekje të atdhetarëve lushnjarë me në krye agronomin Trifon Puka u kërkua rihapja e saj e cila u bë e mundur në vitin 1928 me kapacitet gati të plotë 42-53 nxënës. Kriza e vitit 1933 u bë shkaku i mbylljes për herë të dytë. Në vitin 1938 shkolla u rihap përsëri por edhe këtë herë ajo nuk ishte jetëgjatë pushtimi fashist e mbylli në vitin 1940 duke i kthyer ndërtesat e shkollës në kazerma ushtarake. Pas çlirimit në vitet 1945 -1946 godinat e shkollës së bujqësisë shërbyen për zhvillimin e kurseve në shërbim të bujqësisë si dhe për përgatitje kuadri me shkëputje nga prodhimi. Në ish pronat e Shkollës Bujqësore u themelua NBSH “29 nëntori” dhe si drejtor i parë i kësaj ndërmarrje u emërua Trifon Puka, një nga ish nxënësit e Shkollës së Bujqësisë në Lushnje në vitet 1928-1932.[24]

Shkolla u hap në vitet 1952-1953. Pak vite më vonë Qeveria shqiptare e asaj kohe me vendim të Këshillit të Ministrave nr 337 datë 08.09.1955 solli nga Tirana në Lushnjë, Institutin e Bujqësisë dhe Biologjisë. I cili solli përparim në fushën Bujqësisë për shumë dekada.

Në ditët e sotme pas me vendim të Këshillit të Ministrave nr 515 datë 19.07.2006 qeveria e risolli edhe njëherë në Lushnjë pas shumë ndryshimesh e ristrukturimesh që kishte pësuar ish-institutin e famshëm tashmë nën emërtimin “Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore shkurt QTTB Lushnje, me statusin e një institucioni të rëndësishëm kombëtar studimi e transferimi të teknologjive bujqësore për perimet dhe grurin.

Image
Nxënësit e shkollës së bujqësisë gjatë orës praktike

[1] Ministër i Punëve të Brendshme ishte Mehdi bej Frasheri pasi Fuat bej Dibra nuk pranoi. Ai filloi punën në ministrinë e punëve të brendshme më 12 janar 1921.

[2] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 3 f. 1, 2, 3, Raport i Ministrisë së Punëve Botore e Bujqësie

[3] AQ Sh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 4

[4] AQ Sh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 4 në dokument kërkohet që pagesa të nisë më dt 12 prill 1921

[5] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 10

[6] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 3 f. 1, 2, 3, Raport i Ministrisë së Punëve Botore e Bujqësie

[7] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 3 f. 1, 2, 3, Raport i Ministrisë së Punëve Botore e Bujqësie

[8] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 7

[9] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 8

[10] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 8

[11] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 9

[12] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 3 f. 1, 2, 3, Raport i Ministrisë së Punëve Botore e Bujqësie

[13] Letër dërguar Drejtorisë së Përgjithshme të Bujqësisë në Tiranë. dt 25 shtator 1921 n. 153 firmosur nga Z/Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Lushnje.

[14] Haxhi Blliku, Vladimir Bano, Sokrat Jani, Vladimir Malo. 55 vjet Institut i Kërkimeve Bujqësore. Jubile i IKB, Lushnjë dhe IPP, Tiranë. Shtëpia botuese ALBGRAF Tiranë 2007 f. 8

[15] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 72 f. 17

[16] AQSh. Fnr 177 V 1921 Dnr 3 f. 1, 2, 3, Raport i Ministrisë së Punëve Botore e Bujqësie

[17] Haxhi Blliku, Vladimir Bano, Sokrat Jani, Vladimir Malo. 55 vjet Institut i Kërkimeve Bujqësore. Jubile i IKB, Lushnjë dhe IPP, Tiranë. Shtëpia botuese ALBGRAF Tiranë 2007 f. 10

[18] Haxhi Blliku, Vladimir Bano, Sokrat Jani, Vladimir Malo. 55 vjet Institut i Kërkimeve Bujqësore. Jubile i IKB, Lushnjë dhe IPP, Tiranë. Shtëpia botuese ALBGRAF Tiranë 2007 f. 8

[19] Arkivi i Muzeut Historik Lushnje

[20] Petraq Dhana. Arsimi dhe Kulturo në Myzeqe. Tiranë 2008 f. 157

[21] Petraq Dhana. Arsimi dhe Kulturo në Myzeqe. Tiranë 2008 f. 157

[22] Haxhi Blliku, Vladimir Bano, Sokrat Jani, Vladimir Malo. 55 vjet Institut i Kërkimeve Bujqësore. Jubile i IKB, Lushnjë dhe IPP, Tiranë. Shtëpia botuese ALBGRAF Tiranë 2007 f. 8

[23] Arkivi i Muzeut Historik Lushnje

[24] Gjon Çuko Tiranë 2021 f. 154

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat