Poeti dhe shkenca në librin me poezi “Strehë dashnie” të Besnik Camajt

Kultura

Poeti dhe shkenca në librin me poezi “Strehë dashnie” të Besnik Camajt

Nga: Emrije Krosi Më: 1 nëntor 2021 Në ora: 10:35
Kopertina e librit “Strehë dashnie”

Poezia është reflektimi i jetës, nuk është vetëm një formë, ndërsa “shpirtëzimi” i formës poetike është një “divine (hyjnore)”, apo një “shpirt i shenjtëruar”, sipas Poradecit, se Besnik Camaj është një poet fjalëkursyer, duke skalitur vargje, që anojnë sa nga lirika aq edhe nga hermetika, por jo të aso lloji “errësimi figurativ”, por një plotmëri vargu, ndoshta si vetë jetëshkrimi poetik, që sipas Jevgeni Jevtushenko-s, “biografia e një poeti është poezia e tij, të gjitha të tjera janë poshtëshënime”, duke vetëidentifikuar një derdhje vargu, që nga poema e parë “Republikë”, “strehë e dashurisë sime të pambarueme”, në formë monologu/dialogu për “brengën e atdheut”, jo të tipit “klishe” (apologjia e mallit të mërgimtarit) por (pa)ndryshueshmëria e atdheut, teston besimin tek ai (atdheu/vendlindja), në bashkëbisedimin me republikën, si ndonjë grua, (ashtu si poezia “Kënga e verbër” e Trifon Xhagjikës).

Ndarja e librit fillon, në formë shkallëzimi ngjitës katërpjesësh, “Brigjeve” nëpër kalime “Shtigjeve”, vazhdon ngjitja drejt “Majave” dhe (më)pastaj “Qiejve”, në formë vertikale, si simbolika e Epërme, thurur me Unin poetik, tek ngjallmon një ngjizje tjetërlloji, të metaforave që shpalojnë problematikën, shqetësimet, vetminë, kohën, dashurinë, marrëdhënien njerëzore në raport me ekzistencën dhe varësinë e individit me mjedisin rrethues, një “marrëdhënie” me gjuhën (gegnishten) ndërthurur edhe me standardin, me një spontanitet emocional që ia “vesh” poezisë, petkun artistiko-gjuhësor.

Ndërtimi i vargut , ose qasja ndaj elementeve ndërtimore të vargut, për Yehuda Amichai, “çdo njeri inteligjent, qoftë artist ose jo - matematikan, doktor, shkencëtar - zotëron një mënyrë poetike të vrojtimit dhe të përshkrimit të botës”, nëpërmjet marrëdhënies me kohën, jetën, përditësinë, miqtë, madje dhe me vetë shpirtin/dashurinë, në poezinë “Në shpirtin tim”, vargjet: ti / je / kangë / përdreq”, një ndërtim kaq i thjeshtë katëvargor por edhe spontan [me dy vargje njërrokësh dhe dy vargjet e tjera dyrrokësh], duke mos synuar të “keqpërdorë” vargun, por tingëllimi poetik e çon larg, sa në detin e Shqipërisë, aq edhe nëpër udhëkryqet e natës europiane, ku aurat qiellore, joshen nga guackat, pikturat, mëkatet, madje dhe kandili i tij, kërkon “mrizin e zanit n’asht”, në “shpërgjumjen” e natës dhe lektisjen dashurore të pragmuzgut, derisa, errësira e natës, mbulon si futë, dashurinë e “vajzës së marrë t’bjeshkëve”.

Poezia e Besnik Camaj-t, është streha e shpirtit të paqtë me vetveten, deri në asht, se jeta është një udhëtim i përkohshëm për të takur ose Ferrin ose Parajsën, sepse “thjeshtësia është një virtyt që nuk gjendet shpesh tek poetët, sepse secili prej tyre e mendon veten si më të madhin e botës” shkruan Migel De Servantes. Poeti është në kërkim të dashurisë së fundme, në përplotmërinë mashkullore ndoshta kurrë…kurrë, nuk e ka gjetuar, gjysmën tjetër, ose është akoma në kërkim të plazmimit të Epërm Hyjnor (përtej kërkimeve shkencore), nëpërmjet vargjeve tek poezia ”Kurrë”: / nuk u bëmë bashkë / sa i ngushtë ky shteg / për t’u ça / sa e shkurtër kjo jetë / për t’u nda; kur njeriu lufton mes jetës dhe vdekjes, ku padyshim vdekja ka si trofe: jetën!

Sëfundmi: poezia e Camaj-t lexohet me një frymë, ka një gjuhë të thjeshtë, me një kumt jetësor dhe bashkëkohor, ku njëmendësia e jetës njerëzore lëviz mes vargjeve si metaforë gjithpërfshirëse, për njeriun, jetën, kujtesën, harrimin, mungesën dhe trishtimin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat