Pse autori e ka titulluar:"Çele gur gojën" në këtë kohë maskash të detyruara me ligj?
Ngjall kureshtje, sepse poeti e di kush e solli kohën e maskave dhe kërkon vargje shpirti.
Kur lexon poezitë e Agim Deskut provon ndjenja të larmishme që burojnë direkt nga zemra e poetit tempulli i shpirtit të intelektualit me talent e kreativitet bukurie.
Poeti intelektual me përvojën e grumbulluar pas shumë vëllimeve poetike e çmimeve të fituara, vjen me ndjenja të zjarrta e mendime të pjekura harmonizuar e shkrirë mjeshtërisht në gjendje poetike, ide, imazhe e mesazhe për botën ndjesore të njeriut.
Universi poetik i Agim Deskut ushqehet nga burime të pashtershme ngjyrash e tingujsh.
Poezia e Deskut dhuron ngrohtësi, dashuri e lirizëm plot mirësi.
Ai gërsheton bukur realitetin me poezinë metaforike të emocioneve të forta.
Poeti dashuron diellin, lirinë, atdheun, figurat e ndritura, por edhe revoltohet me regjimet që ndryshojnë dhe që do të paguajnë mëkatet.
Ndërthur mjeshtërisht dramën njerëzore me realitetin poetik duke reflektuar mendime e ide të përparuara, situata e ngjarje që përpunohen në vetëdijen e tij e pasqyrojnë të shkuarën e të tashmen me harmoni të brendshme.
Kodi poetik i Agim Deskut ngjason me atë të Naimit, Fishtës e Mjedës, poema me vargun e gjatë me tema si: krenaria për të parët tanë, qëndresa e tyre, aktet heroike, dhembja për realitetin.
Agim Desku është poet i atdhedashurisë me vlera të larta artistike, i këndon popullit, dëshmorëve, historisë.
Libri nis me poezinë"Anën tjetër të diellit" ku poeti i kërkon leje dritës së diellit që t'u bëj ballë demonëve të marrëzisë, ku shekujt i kanë lënë në ferr. Heronjtë e kanë vendin në Itakën e poetit e ai do të bëhet ëndërr e parajsës për poezinë, sepse jeton vetëm për të.
Erna është hyjnesha, muza e poetit të ndjeshëm
në maratonën e dashurisë për lumturinë e Ajkunës.
Poeti ngre lart figurën e Jan Pallahut që u dogj për liri, i këndon Anton Çetës figurës së pajtimit të gjaqeve në Verrat e Llukës ku çdo përvjetor mbillen pemë.
Dashuria për vendlindjen, për Gurin e Deskut në Pukë.
Lavdëron Gjergj Elez Alinë e Adem Jasharin.
Ndikohet nga Lordi Bajron për vlerësimin e Shqipërisë e shqiptarëve.
Flet për besën e Konstandinit e"lutet që dielli të djeg botën e mëkatit i cili e ndan më dysh dashninë e fatit", ai do grushtin e Migjenit e forcën e Prometeut në gotën e verës për Çamërinë, Preshevën e Malësinë, për Mitrovicën e Isa Boletinit.
Brenga e poetit për atdheun e copëtuar te poezia "Si t'i rrëfej diellit"
"O atdheu im i prangosur në shpirt e zemër"
Revoltohet për Botën e padrejtë që u falet tragjedive të Shekspirit e harron tragjeditë e Tivarit.
Në vëllimin poetik bie në sy lirizmi i poetit te poezia :"Për ty lule"
"Të bie shi për ty u fjalosa me perëndinë,
të rritesh në ëndrrat e diellit për lirinë.
Sa kisha dashur të bëhem lule e zogj mali,
të fal aromë e t'i këndoj lirisë në Prishtinë"
I uroj poetit përzemërsisht:"Suksese dhe krijimtari të pashtershme!"