Një medaljon lotësh varur në mur
Ngjan në matës kohe ,numërator jete
Dhoma e ruan lagështinë, kur mërzia djersitet
Do mrrola si lavra arash fushës së ballit
Nga largësia vërehen
Kolliten therjeve të natës
Janë ngrirë në fyshtën e fyellit të vrimuar
Përngjajnë lodhjeve të ngopura me plagë
Pamje amorfe stolive të kujtesës
Melodi dhimbjesh të padëgjuara
Këngë epike ruajtur muzeve
Figurë gjeometrike e ngrirë ofshamave
Palosur në heshtjen e përmotshme të durimit
Shpalosje dallgësh nëpër këngë legjendash
Halucinacione trishtuese nëpër kohë
Luftë e ashpër mendimesh bashkohore
Mes reales e sureales njerëzore
Nuk di ku janë shpellat e strehimit në galaktikë
Që të fshihemi kur kallen vetëtimat
Në cilin planet t’i varim shpresat....
VIOLINA IME
Ajo i ngjan shpirtit, plasjes sime
Tingëllimë dashurie tërë ditën
Mbrëmjeve hingëllimë terri
Kur violina dridhet zjarreve
Unë digjem në flakën e saj
Kur ajo liron tinguj e vaji
Unë dehem në gotë vere
Shndërrohem në lot
Pastaj pushoj në qerpik
I puth dhimbjen bebëzave
Kur retina rrapëllin
Buzëqeshja shkrihet në rreze dielli
Violina ime jehonë e bukurisë
Këngë e përflakur zjarrmisë
Eshtnajë pa kallëzues emëror..
Nëntor 2021