Galusha vetull-përpjekuna

Kultura

Galusha vetull-përpjekuna

Nga: Çun Lajçi Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 10:19
Çun Lajçi

N'Ohër ishte! Tue pi raki me evgjite buzë liqenit e sazet tue i ba dajre! N'Ohër e kan pa tuxharët!

Si valët e zanit kur kthehen nga zgërlyqet, i erdhen n'vesh këto fjalë, e xhubleta tetë okësh, iu dridh si toka, kur orteku turret pllajës tëposhtë.

Mirë tha, që po ma mban spiku e kollani s'po këputet gazepit!

Mirë që s'po bjen n'fund t'kambëve, e mu ba përralla e dynjasë!

Mirë mbasi hala spo thonë; kqyreni vizajkën e Kol Marashit si asht çmendë?!

E muerën ata t'kërshit përpara. I kan hipë n'shpinë e po e çojnë rrugëve t'nemuna, tue lypë gjaksorin e burrit t'vet.Kunatin, gjakun e prishun, që e vrau vllaun për nji nuse vetullë gjanë!

Mirë që spo keshin me mua e që fjala e keqe s'po i shkon Kol Marashit: Ku e ke kallushajkën që i there dy cjepë e dy arka pajë i çove n'Pulat?

Ku e ke mrrolajkën që bajshe be n'kryq, se e kam ma shumë se djalë?

Ku mbet topolajka jote, ajo e këputuna n'bel, që i ktheve duerthatë 40 msitni e përhajër ia bane rojës së Bajraktarit!

Çfar Bajraktari asht ai që i vritet roja e s'asht i zoti nji pushkë me zbrazë!

Ku asht Kol Marashi, ai sojniku që e mbushi oborrin me fyshekë kur e bija hipi n'kalin e nusës, që s'shkon me marrë çikën e vet, po e len dyerve t'hallkut m'u përshpirtë për nji copë bukë.

A kështu e paska pasë dashtë mirashën? Miralajkën me gaca n'sy, që bajke be n'kryq se asht ma shumë se nji çikë e hiç ma pak se nji sokol djalë!

Hala asht mirë, mbasi s'po thonë e vranë Lecin, se s'ishte i zoti me ia ba nji fëmijë Mrike Kolës!

Mo'Zot me thanë e nxuni burri me jaranin mbas gardhit e jarani ia rrudhi gishtin koburës përpara. E vrau Lecin e Mrika mbet me balushë n'ballë!

Gjithça rrotulloi n'trunin bilur kjo çika e maleve, kjo që ishte pikë loti n'synin e qiellit blu! Nuk la kurgja pa e peshua n'shpirtin e madh t'nji gjoksi t'vogël, pa njollë e pa shibël! S'i la shteg fjalës keqe, as rrugë si la për tek baba Kolë. Mirashë janë ata e s'ban me i koritë pa u përpjekë qielli me tokën, tha, dhe me nji rrem qarri n'dorë u përbiru maleve.

U soll kah pau lopë, dhi e dele! S'la çoban pa e dvetë se si shkohet deri n'Ohër. S'i ra n'derë kurkuj për treqint e gjashtëdhetë ditët e vitit. Ujë piu prrojeve e bukë hangër ndër çobanë, por kush s'guxoi me ia thanë fjalën që s'thuhet!

Kur ia mësuen rrugën, gala, galusha, vetull-përpjekuna, u nis për Ohër m'u përpjekë n'kunatin e vet!

10 nandor 2021

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat