Diaspora shqiptare përbën më shumë se gjysmën e trungut tonë etnik! Diasporë i quajmë të gjithë ata shqiptarë që jetojnë jashtë mëmëdheve tona, të shpërndarë nëpër shtete të ndryshme, të cilët, me kontributin e tyre e përbëjnë më se gjysmën e buxhetit të shteteve tona
Të themeluarit ministri për diasporë, kujdesi shtetëror për bijtë e vet, jo që është, thjesht, akt kombëtar, por, mbi të gjitha, është detyrim kombëtar e shtetëror. Sepse, pothuajse që të gjithë ata që përbëjnë diasporën tonë, kanë ikur nga atdheu për shkak se, atdheu atyre nuk u ka siguruar mirëqenie, prosperitet familjar, siguri e mbrojtje, jo se nuk ka dashur atdheu, por, sepse nuk ka mundur! Diasporë të tillë kanë edhe popujt e ndryshëm nëpër botë.
Sidoqoftë, përse i kemi ministritë për diasporë? Deri më sot në dukje janë dy arsye: të organizohen pritje sa “më madhështore” për pushimin e tyre në atdhe, me ç’rast duhet të bëjnë sa më shumë qejf, sepse ky qejf i tyre atdheut i sjell qindra miliona euro. Arsyeja tjetër është e politikave meskine të pushteteve tona! Aktiviteti i tyre nëpër diasporë ka vetëm qëllimin sa për të dëshmuar se “ja, partia jonë kujdeset për ju”! Sepse, u duhet diaspora, sepse ata nuk përtojnë t’i përgjigjen “atdheut” kur është në rrezik; në çdo thirrje “të atdheut-parti” ata mund të organizohen që të sillen në atdhe. Shteti organizon transportin e tyre, me aeroplanë, me autobusë, me anije, vetëm të vijnë e të votojnë, sepse akcila “parti e tyre” është në rrezik të rënies nga pushteti! Pra, shteti-atdhe interesohet me mish e me shpirt për diasporën tonë, sidomos në prag të zgjedhjeve qendrore e lokale. E zgjidhnin pa dhimbje thesin e buxhetit shtetëror, sidomos në raunde të dyta të votimit! Ikin miliona euro për kapricet e partive tona për të siguruar pushtet, i cili pastaj, diasporës do t’i themelojë ministri! Për çka? Për të krijuar mundësi dhe rrethana për thithje sa më të lehtë të shpenzimeve të tyre si dhe për t’i tërhequr sa më lehtë në “makinerinë e manipulimeve”!
A ka organizuar ndonjëherë shteti ndonjë aeroplan të ngarkuar përplot me libra për bibliotekat e vendeve që i frekuentojnë edhe fëmijët shqiptarë? Politikisht po shihet, por kulturalisht si organizohet shteti për diasporën tonë? A duhet të shpenzojnë shtetet tona qoftë edhe një qindarkë për diasporën tonë, apo duhet t’ua vjelin miliona eurot, duke i joshur që të vijnë sa më shpesh në atdhe, pranë familjeve të tyre, me qëllim që fëmijë e tyre mos t’i harrojnë traditat, kulturën, gjuhën shqipe!
Sa shtetet tona organizojnë qëndrime javore apo edhe mujore të shkrimtarëve tanë, të koreografëve, të regjisorëve, të muzikantëve e kompozitorëve tanë, të tenorëve e baletanëve tanë, me qëllim për ta mbajtur të gjallë kulturën kombëtare te gjeneratat e reja të diasporës sonë, për të kontribuuar në ngritjen cilësore të aktiviteteve të tyre që i organizojnë herë pas here!
Diaspora jonë duhet të çmohet, mbi të gjitha, si vlerë kulturore kombëtare dhe jo vetëm si votë politike për partitë që, sa herë i zë paniku i rënies nga pushteti, kujtohen për diasporën tonë. /HEJZA/