Me 25 nëntor shfaqet premiera e monodramës “Cili je, cili je” – përmbledhje tekstesh për jetën e biografinë e Ismail Qemalit nga aktori Bedri Selmani

Kultura

Me 25 nëntor shfaqet premiera e monodramës “Cili je, cili je” – përmbledhje tekstesh për jetën e biografinë e Ismail Qemalit nga aktori Bedri Selmani

Nga: F.B Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 11:59
Bedri Selmani

Artdashësit mitrovicas e posaçërisht dashamirët e skenës edhe teatrit, të enjten me 25 nëntor do kenë rastin e veçantë të ndjekin premierën e monodramës “Cili je, cili je” kushtuar jetës edhe veprës së Ismail Qemalit – figurës historike të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që është përmbledhje e teksteve, në interpretim të aktorit të njohur mitrovicas Bedri Selmani ( alias Ismail Qemali).

Kjo shfaqje vjen në muajin nëntor që njihet si muaji i festave të mëdha kombëtare dhe nga njeriu, artdashës edhe kontribuues i artit në qytetin buzë Ibrit – Bedri Selmani, në bagazhin e vetë artistik ka shumë role si në filma dokumentar, filma të metrazhit të gjatë dhe drama që nga fillimet e viteve 70-të.

Bedri Selmani (alias Ismail Qemali) njihet si një ndër pionierët e skenës dhe artit skenik mitrovicas nga vitet e largëta 1970, ku së bashku me artdashës edhe aktor tjerë amator, ka qenë një ndër organizatorët e jetës kulturore e artistike në qytetin buzë Ibrit, bile në arkiv ekziston edhe një film i krijuar amator nga ajo kohë.

Mitrovicasit pak më në moshë mund të mbajnë mend dramën “Kështjella dhe helmi” të Ismail Kadaresë dramën “Keti” nga Sejdi Zeka, “Hamalli” nga Osman R. Gashi, “Lulja e Shega” të Vedat Kokonës e shumë shfaqje tjera, ku ndër rolet kryesore ka luajtur Bedri Selmani (Ismail Qemali i Mitrovicës).

Aktivitetin si aktor Bedri Selmani e nisi me rolin kryesor në “Besa” të Sami Frashërit dhe regji të Riza Luboveci (i ndjerë) e Musa Mehmeti, për të vazhduar me “Hakmarrjen” e Jusuf Kelmendit me regji të Dibran Gashit (Fyelli) , rolet tjera në “Shtatë shaljanët”, “Mbreti Yll” me regji të Zekë Murselit, “Heloiza e Abelarti” në regji të Selatin Kaçanikut e shumë role tjera kryesore e episodike.

“Duke parë figurën madhore, por edhe rolin e pakontestueshëm në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, po pres mbështetje nga të gjithë artdashësit, kompanitë por edhe institucionet lokale edhe qendrore, pasi Ismail Qemali meriton një ‘rikthim’ nga historia në kohën e tashme përmes monodramës për jetën e tij ndër shekuj” thotë Bedri Selmani, që shton se premiera sa i përket atij si aktor, është shumë afër realizimit, por mbeten disa çështje tjera përcjellëse të përmbushen për premierë.

Një ndër personat që (sipas të gjithë atyre që e njohin) është kopje e gjallë e tribunit Ismail Qemal Vlora ( njeriut të urtë, mendjendritur dhe patriotit të kohës që së bashku me patriotët dhe figurat e mëdha qendrore si Isa Boletini edhe Hasan Prishtina), Bedri Selmani aktori amator mitrovicas i cili pas vetës ka një aktivitet të begatshëm prej gjysmë-shekulli në aktivitete kulturore -artistike e skenike, këtyre ditëve është në vlugun e punës për të sjell në skenë projektin më të ri – monodramën për Ismail Qemalin ndër vite.

Ai do të shfrytëzojë dhuntinë e Zotit, për ngjashmërinë e pabesueshme me figurën e Ismail Qemalit, jo vetëm në pamje që llogaritet “kopje e gjallë” por edhe në tiparet, mendimin e thellë, zërin e butë skenik dhe vrullin kur preket apo cenohet ndjesia shqiptare, për të sjell në skenë disa nga episodet kryesore të jetës së Ismail bej Vlorës në një përmbledhje të teksteve, që pasqyron në pika të shkurtra jetën, angazhimin dhe aktivitetin politik gjatë gjithë jetës së tij.

Ai duke njohur shpirtin artistik të mitrovicasve, beson dhe është i bindur se do të gjejë mbështetje për të sjell në skenë Ismail Qemalin në formën dhe formatin çfarë nuk e kanë parë edhe njohur deri më tash, ndonëse jeta edhe vepra e tij meriton shumë më tepër se një monodramë, shprehet ai.

Kësaj radhe aktori mitrovicas, që shumica e mitrovicasve e njeh si Ismail Qemali i gjallë, ka vendosur të sjellë Ismail Qemalin në formë të përmbledhjes së teksteve dhe dialogut me figurat e kohës Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina dhe gjeneralin e pavarësisë Isa Boletini, përmes projektit për të cilin ka premtim për mbështetje, por e cila ende nuk po vjen.

Monodrama “Cili je, cili je” pas shfaqjes si premierë në Mitrovicë, synon të shfaqet edhe në shumë qytete si brenda Kosovës, po ashtu edhe në Shqipëri dhe trojet etnike, qoftë në qytetet e Iliridës, po ashtu edhe në Ulqin. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat