Vëllai im pa bimë
ëndrrat na u mërdhinë
vëllai im pa yll
lulëkuqe në pyll
vëllai im pa emër
të ruaj thellë në zemër...
Të prita
të prita se do vije
shtigjeve të malit
me buzën e qeshur në shuarje të mallit
të prita se do të vije
shtigjeve të ujit
me varkën e Noes në fillim të muajit
të prita se do të vije
shtigjeve të qiellit
me ngjyra të ylberit nën rrezet e diellit...
Herë-herë
herë më prite herë të prita
në teh drite u thye dita
herë më erdhe herë të erdha
zog në çerdhe lotin derdha
herë më ike herë të ika
ëndërr gjumi pika-pika...
E di
e di se me do por ç'të të them
kur çdo fjalë e thënë dhe e shkruar dhemb
kjo kohë e trazuar e mbushur me helm
edhe ëndrrën e shpirtit pa mëshirë e tremb...