Që kur linde në parahistori qetësisht qave shtegun me shtat hedhur
duke gurgulluar pjertësive të vogla t’Rrafshit të Kosovës si udhëtar i kredhur
dhe mblodhe ujrat në gjirin tëndë që saora i hudhe pas shpine:
Llap, Prishtevkë, Samodrexhë, Drenicë, Lushtë, Gadime ...
Derisa n’gjeografinë e Kosovës u quajte arterja ujore më e gjata,
vushtrriasit freskoheshin dhe peshkonin n’ujin tëndë në “Dynek”, “Sallahone” e “Shaban Aga”,
ndërsa sipërfaqe të tëra toke të bukës i ngope me lagështirën që ua fale,
prandaj edhe sikur me të drejtë ndjeheshe engjëll dhe krenare.
Megjithatë, nuk arrijnë dot të çlirohen nga ankthi i heshtjes misterioze,
që mot për mot – thonë – valët tua të turbullta e tekanjoze,
si përbindësh përpinë me shpejtësi drite së paku një shpirt
për t’shuar etjen tënde të hekurt e tinëzare me ndjellje kobi dhe viktima n’pritë.
Dhe kështu shpërndave dhembshuri ndër prindër, fëmijë, vëllëzër, motra, …
e nga rreziku i zi arratise banorë brezash t’vjetër e t’ri nëpër brigje, kodra, …
sepse përmbyte pamëshirë çdo gjë para vetes duke bërë skëterr në përndjekje,
o, n’lot e pikëllim mallkojnë ditën që linde dhe t’urrejnë për vdekje!