E maste moshën e tij
Me mallin që kishte për vendlindjen
Malli shtohej dhe mbushte horizonte e paanë
E ai prapë thoshte: ditët e mia ia falsha Atij
Me këtë rit u falej yjeve, me këtë priste mëngjesin
Të vinte bashkë me ëndrrën e ditëbukurës
Ngarkuar me shpresë se pëllumbi korrier
Një ditë do të vinte në dritare, me fjalën e madhe
Dhe ai shikonte se si në çdo ditë të re
Në sytë e ndritur të shpirtit të përmalluar
Atdheu, mbushte çdo hapësirë, dhe bashkë
Me kujtimet e bukura, mallin ia mbanin zgjuar
I thanë se atdheun ta dogji barbari
Kullat e gurta, i kthyen, në tym dhe hi
Në shpate e fusha më nuk mbin bari
Ai i pa, dhe buzëqeshi me ironi.
Shekuj pa mëshirë trupin ma kanë kafshuar
Barbarët vijnë e shkojnë si bishat në stuhi
Shekulli shpejt do të vijë t'më bij në gjunjë
Atdheu im, këtu do të qëndroi në përjetësi
Malli fryhej në shpirtin sa më nuk duroi
Mblodhi kujtime dhe gjithçka të mirë që pat
Në krah zgalemi dallgët si rrufe i përshkoi
U kthye te rrugica me gurë ku pat ecur me vrap
U ul në gjunjë para gurit ku sa herë qe rrëzuar
E puthi me mall, me zjarr dhe dashuri
Në krua piu ujë të ftohtë me grushta si dikur
Përshëndeti horizontet dhe tha:- Linda përsëri
ISHTE SHOKU IM, AI BARI
Kush e takoi atë bariun më shpat
Ishte duke i rënë fyllit
Zogjtë në degë qenë mbledhur dhe heshtnin
Isht shoku im ai bari, e dini?
Mali e kthente jehonën e melodisë
Bashkë me jehonën i përcillte emocionet
Kush e takoi për herë të fundit bariun e mirë
Ishte shoku im, ai bari e dini?
Nuk dëgjohet më fylli në kodër
Ku shkoi bariu i mirë, kopenë ku e la
Nga mali nuk vjen johnë, vijnë vetëm psherëtima
Ishte shoku im ai bari, e dini
Aroma e bukës dë thekur atje në kodër
Ka kohë që nuk dëgjohet
Zilet dhe këmborët heshtin, heshtur, zëri bariut
Ai bari, ishte shoku im i mirë,e dini
Zogjtë nëpër gegë duken si të lodhur
Shumë syresh nuk vijnë më tek gurra
Edhe gurgullima e gurrës ngjan si rënkim
Ai bari zemërbujar, ishte shoku im
RRUGËTIMI I FJALËS
Rrugë të gjatë bëre shekujve fjalë
Herë të quajtën të urtë, herë të ashpër
Të drejtë, të gënjeshtër të mprehtë
Të quajtën dredharake plumb e shpatë
Nuk dihet kur dhe ku linde për së pari
Nuk dihet në linde bashkë me njeriun dhe si
Por ju veshe fytyrës së tij dhe nuk ju ndave
Pamjen tënde i dhe e zbukurove a shpëfytyrove
Shpesh kalove nëpër labirinte e të ngushta
Nëpër gjirize të ndyta u ktheve në shushunjë
Thithe sa mundem në lëngun e zi të smirës
E shpejt u bëre pronë e gjuhës ku ligësi mbolle
Shumë të panë me urën e ndezur në dorë
Duke i vënë zjarrin kështjellës së dashurisë
Apo me kazëm në krah pa mëshirë i shembe
Kullat e bukura strehë e ëmbël e lumturisë
Por, kur kokëulur dole, mendjen duke pyetur
U ktheve në fanar në brigjet rrahur nga dallgë
Udhën ua tregove detarëve në netët me furtunë
Ndërsa ata kërkonin bregun e ndritur të shpresës
Nga larg zbrite, shekujsh, fjalë, dhe nuk u lodhe
Ende nuk dihet, sa rrugë të gjatë ke përpara
Të lutem; para se të kalosh tridhjet e dy ushtarë
Hidhe në flakë valixhen e mbushur me smirë.