Dita ik revan, ik me tërsëllimë
Zyra edhe shefa morën arratinë
Kush në Monte Karlo, kush në Bangladesh
Punët e Shqipërisë po na shkojnë për lesh.
Po na shkojnë për lesh, po na shkojnë për li,
Kush me pallë zhvesh, kush me pabesi,
Kush me drogë, hashash, pare pa mundim,
Kush në zyra shteti, korrupsion dhe krim.
Shqipëri me derte, dhimbje pa mbarim,
Loti po të mbyt, ç’mënxyrë e trishtim,
Nuk të dëgjon kush kur e thua fjalën,
Politikanët tanë kanë për motër ngjalën.
Zyrat po rënkojnë nga barra e mëkatit,
Zyrtarë të mbytur ia kanë mbathur vrapit,
Notojnë drejtorët në vaska argjendi,
Populli fle në rrugë, mban krye vendi.
Kush ishte në fund ka dalë më i pari,
Herë me lajkë dredhi, herë me armë zjarri,
Fukarai rënkon ndër shtresa mjerimi
Paradë mode bëjnë deliri dhe krimi…
Shqipëri e sertë, njëqind mote shtet,
Zyrtari katran po të shtyp dhe vret,
Po ta grin trupin mola, pabesia,
Po ta copton shpirtin maska, tradhtia.
Ecim njëshkolonë drejt demokracisë,
Pas na vjen treni i makut-hipokrizisë,
Ka një çerekshekulli themi drejt Evropës,
Disa po na duan popull në fund të gropës.