“Armëpushimi i Krishtlindjes”

Kultura

“Armëpushimi i Krishtlindjes”

Nga: Sali Kabashi Më: 25 dhjetor 2021 Në ora: 19:29
Sali Kabashi

Në Krishtlindjen e vitit 1914, në Luftën e Parë Botërore, ndodhi një gjë sa e pazakontë aç e mahnitshme dhe mbresëlënëse!

Bruce Bairnsfather, mitrolozisti britanik, këtë ngjarje e kishte rrëfyer në kujtimet e tij për luftën. Ai dhe ushtarët e tjerë, festën e Krishtlindjes së vitit 1914 po e prisnin në llogoret e luftës me kushte tejet të mjerueshme përballë ushtrisë gjermane, në Bois de Ploegsteert në Belgjikë.

Rreth orës 22:00 u dëgjuan nga taborri kundërshtarë zëra ushtarësh duke kënduar. Ushtarët gjermanë kishin filluar të këndonin këngën e Krishtlindjes. Pas pak qastesh, filluan të këndonin edhe disa ushtarë britanikë të njëjtën këngë. Papritmas, dëgjohet një zë i fuqishëm nga ana gjermane, siç kujton Bairnsfather, një ushtar armik i cili fliste anglisht me një theks gjerman, tha: "Ejani këtu"! Njëri nga rreshterët britanikë iu përgjigj: "Eja ti në mes të fushëbetejës do të vij edhe unë"! Pas kësaj, ushtarë gjermanë dhe britanikë, u takuan në fushëbetejë duke shtrënguar duart dhe duke festuar me fjalë dashamirësie. Ata shkëmbyen duhanë, verë dhe kënduan së bashku, në një festë të përbashkët të Krishtlindjes.

I gjithë Fronti Perëndimor, ishte në një armëpushim në natën e Krishtlindjes, duke përfshirë ushtarë francezë, belg, gjermanë dhe britanikë, ishin në festë të përbashkët.

Britaniku J. Reading, në letrën që i kishte shkruar gruas së tij, i kishte rrëfyer se si ai kishte shtrënguar duart me ushtarët gjermanë dhe se ata i kishin dhënë cigare dhe puro.

Një tjetër ushtarë britanik, John Ferguson, thoshte, se ne po qeshnim e festonim me ushtarë të cilët para disa orëve përpiqeshim ti vrisnim.

Ushtari tjetër britanik, Ernie Williams, tregonte në një intervistë se si në armëpushimin e Krishtlindjes kishin luajtur edhe futboll në mes tyre dhe armiqve gjermanë, duke u bërë rreth 200 ushtarë që luanin futboll së bashku. Lojën e futbollit në Krishtlindjen e 1914 në mes britanikëve dhe gjermanëve, e përshkruan edhe togeri gjerman, Kurt Zehmich, i Këmbësorisë 134 Saksonet: "Britanikët sollën një top futbolli nga llogoret e tyre dhe filloj loja e përbashkët".

Jo të gjithë ishin të kënaqur me Armëpushimin e Krishtlindjes, si nga ana britanike ashtu edhe nga ajo gjermane, kishte të atillë që mendonin se ishte gabim një gjë e tillë.

Një ushtar gjerman 25 vjeçar, qortoj shumë ashpër ushtarët gjermanë për Armëpushimin e Krishtlindjes i cili tha: "Kjo nuk duhej të ndodhte në kohë lufte. Nuk ju ka mbetur asnjë ndjenjë nderi gjermane", ai ushtar quhej Adolf Hitler.

Në këtë mënyrë u bë një armëpushim jozyrtarë në Krishtlindjen e vitit 1914, në kohën e Luftës së Parë Botërore dhe u quajt "Armëpushimi i Krishtlindjes".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat