VIT I SUKSESEVE
Tërë vitin që shkoi
Gazetarët u shqelmuan
Tashti në fund të motmotit
Në kokteje u ftuan
U ftuan shumë gazetarë
Madje dhe me kamera
“Për këtë vit të sukseseve
pa hajni dhe pa afera”
Ju gazetarë të nderuar
Fare nuk e keni ditur
Se kemi prodhuar me bollëk
Hudhra dhe qepë pa ujitur
Unë në dikasterin tim
Kurrë nuk kam qenë në zgrip
Jam më i merituari
Që te ne s’ka pasur grip
Shkenca dhe arsimi
Gjithherë kanë vlera
Në këtë qeverinë tonë
S’ka më diploma të blera
Kulturën dhe sportin
S’ka instrument t’i matë
Kafenetë e qytetit janë plot
Për çdo ditë e për çdo natë
Për Marrëveshjen Cefta
Kemi gjetur shteg
Shiheni këtë bollëk
Nëpër rrugë e në treg
Është një e vërtetë
Vizat janë bërë problematike
Por vitin e ardhshëm
Marrim pasaporta diplomatike
Në ministrinë time
Nuk ka pasur avashllëk
Edhe pse serbët s’paguajnë
Rrymë kanë me bollëk
Ministria ime e vogël
Nuk është vetëm për fukara
Për ushqime dhe për pije
Vallë, a duhen para?
Paratë e buxhetit
Si në kuletë i kam ruajtur
Për to kam menduar
Edhe kudo që kam bujtur
I madh e i vogël e dimë
Fukarallëku na mbyti
Qeveritarët tanë thonë
Me suksese përfundoi viti!?