Një kafe për Lekën

Kultura

Një kafe për Lekën

Hamza Halabaku Nga Hamza Halabaku Më 11 janar 2022 Në ora: 20:35
Ilustrim

Edhe pse kishte tri javë që kishte filluar stina e tretë, jo vetëm në kryeqytet, po në tërë vendin vazhdonte të jetë mot shumë i mirë. Atëherë, e tërë familja banonim në Kodër të Diellit, në lagjen më të mirë të kryeqytetit, në Zonën Lindje.

Atë fillim vjeshte, pemë e perime kishte në të gjitha anët e kryeqytetit. Shitësit, të shumtit ishin nga Podrimja, i mbushnin vendet rreth udhëkryqeve, ku shpeshtësia e lëvizjeve të njerëzve ishte më e madhe, me pemë e perime që i sillnin në të gjitha anët e vendit. Në lagjen tonë, në tri-katër vendet kyç, shihje grumbuj shalqiri laraman e të gjelbër kokërrmadh e kosha me kalaveshë rrushi të zi, të bardhë e të kuq, me shumë kokrra, që shitësit, për t´ia ruajtur freskinë, i mbulonin koshat me gjethet e rrushit, të gjera si pëllëmbë dore.

Ishte pasdite e vjeshtës së parë, kur te ne, për vizitë, kishte ardhur miku ynë Leka. Ardhja e Lekës na gëzonte përherë të gjithëve. E kishim mik të mirë. Më së shumti gëzoheshin fëmijët. Ishte shumë i afërt me ta. U tregonte ngjarje interesante, tregime e ndodhi të bukura.

Posa e zuri vendin e vet mysafiri ynë Leka, njëra nga bijat tona e pyeti se çfarë kafe dëshironte? Ishte zakon atëherë që mysafiri të gostitej, së pari, me një kafe, edhe pse pemët e freskëta e të mira i kishim me bollëk.

Një kafe të ëmbël, - u përgjigj Leka, e përgjigjen e shoqëroi me një buzëqeshje të lehtë.

- Heeee, pse po qesh? - e pyeti i zoti i shtëpisë - gjyshi.

- Nuk e di si të them... u mendua shkurt dhe vazhdoi duke e sjellë ngadalë kokën herë në të majtë e herë në të djathtë.

- Për shijen e kafesë e pata - vazhdoi gjyshi, duke shtuar se kushtet ekzistojnë për kafe çfarë të pihet.

- E di, e di, më vjen mirë që e keni këtë mundësi. Unë qesha me veten time, - foli ai dhe vazhdoi.

- Përherë kam pirë kafe pa sheqer - shqeto, duke menduar se e mesmja nuk më pihet, e tani e kam kuptuar se më shumë më pihet e ëmbla!

- Kur e ke marrë vesh punën e shijes së kafesë? - e kishte pyetur, zonja e shtëpisë - gjyshja.

- Tani vonë, - ishte përgjigjur mysafir Leka, duke qeshur në llogari të tij.

Edhe anëtarët e tjerë të familjes i ishin bashkuar gazit të mysafirit, po ata kishin qeshur më pak se mysafir Leka.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat