Do ta shkruaj vargun, le të fluturojë
Të ik bashkë me erën, porsi shpend shtegtar
Me cegmë dhe furtunë, përplot me llahtar
Le ta ketë stuhinë si udhërrëfimtar
Le të rend largësive larg, larg pa u ndalë
Do t’i shkruaj vargjet dhe në t’gjerin det
Në shpate, e brigje, në fshat e qytet
Në majë malesh , në të lartat bjeshkë
Se kraharori im më digjet si eshkë
Do ta shkruaj vargun, atje lart në retë
Në ngjyra të ylberit në yje dhe në hënë
Do ta shkruaj vargun dhe në zemrën tënde
E në mes nesh vetëm poezia të ketë vend
Do ta shkruaj vargun se muza do t’ më çmend
Vargun do ta shkruaj atje lart tek të ndritshmit yje
Te brigjet do të shkruaj dhe n’ të dëlirat pyje
Do të shkruaj vargje dhe kurrë s’do të ndalem
O Atdhe i dashur, me ty dua të përfalem