Verbëri
Ti bukuri e ligë syfshehur,
nuk je asgjë tjetër, sall një rrjedhë e shtigjeve të errësirës së ngjeshur.
Ndaj, mos u krekos me yjet sipër teje të ndezur.
Yjet me shkas ndriçojnë mendimet e tua, asnjëherë të gdhendura me dashuri, të cilat udhëtojnë ditëve me shi dhe kurrnjëherë nuk i zë faqja e dellit që vë dyzenin e nuseve që derdhin dritë së bashku me hënën shtatëzënë, ballafaquar me dashurinë e zhveshur, ngjitur me gruan e krehur në sy burri.
Në fakt,
Ti nuk di të mëndosh shëndetshëm për t'u ballafaquar me përmbajtjen, siç thotë, Kanti:
“Mendimet pa përmbajtje janë të zbrazëta, intuita pa koncept është e verbër".
Peng nate
Gjithë natën e lume gëzim i qarë,
prisja vetëm një fjalë urimi gruaje, e cila nuk erdhi dot, mbetur peng nate dhe vazhdimisht, syve të mi derdhte terrinë, brigjeve të qepallave veshur mugëtirë e lagur.
Këtë e dija,
por doja të qaja gëzimtar për zërin në të ardhur qiellit të përflakur nga fishekzjarret e derdhura nga kulmi i një dehurie nate pa uratën e zëshme të një gruaje mbetur në kapëcim motmotesh, varur buzëve të terrinës plot dritë në sytë e saj.
Eja
Merri buzët e natës dhe eja
është nata e Vitit të Ri
merr gjithçka që ha nata në ty
merre edhe fustanin e kuq
atë me dekollte të thellë
deri në vijën e vitheve festive
deri në lugun e natës së vakët
ku shkrin bora mes gjokseve tua.
Eja ngrohu me dimrin tim
pa ty nata shtrohet fillikat e vetme
s'ka kush t'u bie daulleve të gjakut askush nuk dëgjohet i gjallë
sall flaka e një qiriri
kollitet nga djegia e heshtjes.
Gjetje e re
E shikoj atë me një fustan të zi të një strukture të shtrenjtë.
Me të njëjtën masë syze të zeza dhe një çantë të kombinuar prej rripi me zinxhir djalli të zi.
shpjegim i panevojshëm...
ajo i dhuroi vithet një donatori të ndyrë.
Tani,
pason blindxhipi i zi për bjonden e kapur.
Menduam kam
Kam gjetur një erë të lehtë
që më shëron krahët e thyer
dhe më çon rrafshit të hapur.
Menduar kam qëmoti
se kam gjetur një lule të vetme
ajo që e bën jetën të pavdekshme
sepse degëzat e frymëmarrjes i mban të fshehura në gji gruaje.
Ajo ndërton qelizat e pavdekshmërisë
vetëm me një gisht mjalti të mbështjellë në mushama shpirti me frymë ëmbëlsie.
Ndaj, pa asnjë dyshim, ajo është një përbërje lulëzimi dhe krijimi i dunave nga përqafimi i erërave të mallit gjithë shpërthime dashurish.