Diku, në një fshat afër Lurës sime, në kohën e lulëzimit të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, një djalë i ri u shkollua në Bashkimin Sovjetik dhe erdhi në pushimet verore, tek shtëpia e prindërve. E pritën me shumë gëzim, jo vetëm familja e tij, por i gjithë fshati, se ishte hera e parë që një bir i tyre shkollohej jashtë vendit e kthehej gjithë përvojë në gjirin e tyre.
Djali dukej shumë i gëzuar që po vinte përsëri mes njerëzve të dashur të vendlindjes dhe kë takonte rrugës e përshëndeste rusisht dhe u recitonte vargje të Eseninit e Lermentovit si dhe poemën e madhe të Majakovksit “Lenini dhe partia”.
Kështu bëri dhe atë ditë te çezma e fshatit ku qenë mbledhur një tufë grash të reja, në moshë e plaka për të larë rroba. Djali, në vend që t’i pyeste shqip e me fjalë biri të përmalluar, se si ishin e si i kishin punët e hallet, iu fliste rusisht: “Zhelizno! Horosho!”. Plakat shikonin njëra tjetrën të habitura e disa syresh ngrenin sytë nga qielli e luteshin fshehtas, që t’i ikinin djalit të ri të shkolluar jashtë xhindet, që e paskeshin pushtuar, kurse më të rejat qeshnin nën buzë dhe e vështronin të porsaardhurin disa me admirim e zili, disa të tjera me shpoti e qesëndi.
Djali shëtiste arë më arë e livadh më livadh, recitonte poezi, fliste rusisht sa me njerëz aq me dru e lisa, a thua se pati luajtur nga fiqiri.
Njëri nga më të zgjuarit e katundit, i tha një ditë një fqinjit të tij:
-Më duket se ky djali i filanit që sapo është kthyer nga shkolla e madhe, ka zënë në thua!
-Ndoshta, ku ta dish. Atje ku ka qenë është klimë tjetër e mendja e njeriut një kokërr gruri është…
I ati i djalit qe burrë me mend, nuk ia hante qeni shkopin. Ai vërente me shqetësim ecurinë e të birit, një lloj lajthitje të tij dhe kritikonte shkollën që kishte bërë i biri, e cila duhet t’i kishte mësimet të vështira e të rënda, sa ia kishin lodhur kokën evlatit të tij.
Një ditë ai e thirri të birin pranë vetes, tek po çlodhej nën hijen e manit, ulur në një lëkurë të madhe leshi.
I biri vajti dhe i puthi dorën të atit, sipas stilit moskovit të respektit ndaj prindit.
-More bir, - iu drejtua i ati, desha të të bëj një pyetje.
-Fol baba! - iu përgjigj hazërxhevap i biri.
-A mund të më thuash, çfarë të ka bërë më shumë përshtypje atje në Bashkimin Sovjetik ku po bën shkollë të madhe?
-Ah baba! Ka kaq shumë gjëra… Po një gjë më ka habitur shumë.
-Po fol e thuaj more bir, e çfarë na qenka kjo?!
-Atje në periferi të Moskës, baba, është një fabrikë ku në krye të saj futet derr e në fund të saj del sallam.
I ati fishkëlleu lehtë, gjoja se u habit nga kjo thënie e të birit. Pastaj ia priti dhe i tha:
-Mirë more bir, këtë që futet derr e del sallam e kuptoj. Po nuk kuptoj këtë tjetrën, unë të çova në shkollë sa(k)llam e ti më qenke kthyer derr!