Po i dashur,
Unë e dua përkëdheljen e duarve të tua
përmes degëzimeve të flokëve që thinja tashmë mbjellin
e belbëzimet pa fund
që gjithmonë falin shpresë
sa herë që jeta udhët na i ngushton
e mjegullat
dertin derdhin mbi supe...
I dashur,
pranë teje ndaloj kaherë hapat e mi
e çastin bekoj që na bëri bashkë
agimet që na gjejnë përherë të përqafuar
mbrëmjet që zbresin qytetit të pafjalë
dhe perëndimet
që ulen qerpikëve tanë të lodhur,
ngadalë...
I dashur,
përndritjes së syve të mi
koha vetëm ta ka shtuar bukurinë
dhe modestinë që s’di fjalime frymëzuese
merrmë krahëve të tu të mëndafshtë
e kur të përhumbem në kushedi ç’mendime
me dashurinë që në gjoks digjet si flakadan
zjarreve shumëngjyrëshe
rrëmbemë shpirt e mendje
qiejt t’i cekim,
e së bashku të lundrojmë oqeaneve,
thellësive më të skajshme...
I dashur
Vitet që udhëtuan vagonëve të rutinave
përpjekjeve,
nuk e zbehën kurrsesi dashurinë
as respektin për rrudhat sakrificave thelluar
labirinteve të jetës
në kërkim të bukës së përditshme
dhe pranverës që kaherë vesh shpirtin tim!