"Si shpërblim do të të japin mish të butë, pa eshtra; do të lahesh në bazene qumështi, do të të dëfrejnë me lavire barkbuta; pallati yt do t'ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd, qielli yt mund të mbetet sterrë i zi dhe, siç është e natyrshme, do të vijë fundi. Mund të ndodhë edhe një gjë, para se të vijë fundi: kur s'u duhesh më, kur t'ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë.
Çka do të ndodhë me të vërtetë nuk e di, por e di se do ta kesh vështirë, mundet edhe t'u lakmosh të vdekurve... Pastaj të pyesin: Pse jetove? Të pyesin: Pse e zgjodhe këtë rrugë?
Do të pyesin: Çka bëre? Do të të akuzojnë për netët e gjata të robërisë, do të të akuzojnë për vuajtjet që u kanë rënë mbi kokë,
Do të të fajësojnë për çdo gjë që ke bërë dhe për atë që ke pasur mundësi ta bësh e nuk e ke bërë. Mund t'i përballosh akuzat, komandant i ri?
Do të të pyesin: Pse flisje kur duhej të heshtje? Pse heshtje kur duhej të flisje? Pse e lavdëroje dreqin? Pse i shaje pëllumbat? Pse i trembje zogjtë? Pse? Pse? Pse? Rrebeshi i pyetjeve nuk do të ketë të sosur.
Gjyqi yt do të zgjasë shumë. Mundesh, o komandant i ri? Dhe mund të të akuzojnë për tradhti, për shëmtinë më të madhe me të cilën akuzohet njeriu. Mund të qëndrosh, komandant? Mund të qëndrosh, o njeri?...
*Pjesë e shkëputur nga monodrama "KOMANDANTI" - vitet '90 Hasan Dajaku - Liridon Dajaku