Kartolinë për Shën Valentinë

Kultura

Kartolinë për Shën Valentinë

Nga: Azgan Haklaj Më: 14 shkurt 2022 Në ora: 14:16
Azgan Haklaj

Zgjodha ditën e Shën Valentinit, ditën e sakrificës sublime për dashurinë, për të rrëfyer një dashuri të veçantë, me gravitet të pamatë, vullkan që nuk shuhet kurrë, nuk thahet as nuk vyshket. 

E pastër si uji i kristaltë i Valbonës. E bardhë si bora e Shkelzenit. 

E ëmbël si puhiza e detit e flladi i bjeshkëve. 

E fortë si guri. 

E lidhur si nyja gordiane që nuk mund ta presë as shpata e Aleksandrit të Madh, e cila nuk është celebruar nga Shën Valentini por nga vetë Zoti. 

Kjo dashuri ka zgjuar xhelozinë e Dodonës Pellazgjike, zotave të Olimpit dhe perëndive të Eskilit. 

Ajo është dashuria për vendlindjen time, Dardaninë Alpine, Malësinë e Gjakovës, të cilën s’e mposht asgjë, asnjë forcë tokësore e mbitokësore, madje as vdekja.

Më duhet të huazoj memorien e Tolstoit, forcën e Pogaçios, romantizmin e Hygoit apo Gëtes, pathosin e Naimit, magjinë e Standalit, realizmin e Çajupit, përtej elozheve e ditirambeve për të përshkruar bukurinë e saj e rrefyer dashurinë time për të.

Malësia e Gjakovës është më e bukur së hirushja e përrallave, më e hirshme se e bukura e dheut.

Dardania Alpine, kjo Mesapotomi e vogël shtrihet në Veri të Shqipërisë.

Zoti i ka blatuar një bukuri mahnitëse këtij amfiteatri natyror që shtrihet në prehër të alpeve. Malet madhështore të Shkelzenit, Jezercës, Maja e Hekurave që e rrethojnë e ruajnë atë nga sytë lakmitarë.

Pamjet magjepsëse të luginave të Valbonës, Sulbicës ( Tropojës), Nikaj Merturit, të cilës i rrinë si çati mbi krye Edeni Shqiptar, Fshati Curraj i Epërm, Lugina e Gashit pjesë e Uneskos, ku lodrojnë shtojzovallet, lumenjtë e Valbonës, Drinit, Currajt, Vranës, Lumi i Gashit dhe Tropojës, përligjin mësëmiri postulatin e Aristotelit të lashtë:

“Jeta rrjedh nga rrjedhin lumenjtë, ata janë mjalti i qytetërimit”

Në këto troje është mbjell fara e janë ngulitur rrënjët e Qytetërimit Iliro-Dardan, disa shekuj para lindjes së Krishtit.

Aty u ngjiz Geni Arbëror dhe lindi Identiteti Kombëtar Shqiptar, plisi, xhamadani, xhubleta dhe lahuta si mjet i komunikimit me Zotin.

Në historinë mijëravjeçare trolli i saj u shndërrua në beteja spartane të banorëve aty me invadorët e shumtë i cili u ba barrikadë e pathyeshme, kështjellê e pamposhtur.

Fushat e Malësisë së Gjakovës kanë qenë historikisht sheshe mejdanesh e dyluftimesh me krajla, zhupana, sulltana e bajlozë, që nga kreshnikët e Jutbinës e Gjergj Elez Alia e deri në luftën e fundit për çlirimin e Dardanisë Antike “Kosovës”.

Këto beteja legjendare të shëmbëllejnë me luftën e Termopileve e dyluftimin ngadhnjimtarë të Davidit mbi Goliatin.

Historia në shekuj e Malësisë së Gjakovës është e dhimbshme për e lavdishme.

Shpeshherë lumenjtë e saj janë skuqur nga gjaku i derdhur i betejave homerike për liri e çlirim kombëtar.

Janë të panumërt bijtë e bijat e Malësisë së Gjakovës që kanë dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën për Atdheun.

Lulja me e bukur është lulkuqja që lind mbi gjakun e derdhur.

E ne me këto lulekuqe thurim kurora për ta në shenjë vlerësimi e mirënjohje për veprën e tyre sublime.

Malësia e Gjakovës qëndroj krenare në shekuj e pathyeshme përballë pushtuesve të shumtë, por fatkeqësisht këtë krenari ia theu regjimi diktatorial me emërtimin sllav Tropojë në vitin 1946, për së shpejti do të ia kthejmë dinjitetin me rikthimin e emrit identitar historik shqiptar të saj.

Unë e dua Malësinë e Gjakovës.

Është dashuri hyjnore, e shtrenjtë dhe e shenjtë, si e djalit për nënën.

Në rrugëtimin tonë të përbashkët prej disa dekadash asnjëherë s’e tradhëtuam njëri- tjetrin, nuk përfituam asgjë në kurriz të shoqi- shoqit dhe nuk shitemi për 30 asprat e Judës apo groshët e Havelit, madje as për gjithë pasurinë e botës.

Ajo është fotosinteza ime e engjëlli im mbrojtës, kurse unë përpiqem të bëhem rrufepritës i saj.

Sa herë na kanoset ndonjë rrezik vrapojmë si maratonomaku, apo fluturojmë si zogu Sokol për të qenë bashkë e u lëshojme kushtrimin shqipeve të maleve, bilbilave e zogjëve të bjeshkëve për të lajmëruar dragojtë e zanat, orët e maleve në mrizet e tyre për tu bërë tok e për tu mbrojtur së bashku.

Të dy së bashku jemi përpjekur të ndalim dorën e makbethëve e hamleteve, u munduam të parandalojmë vëllavrasjen mes kainëve e abelëve, remëve e romulëve që na shkaktuan tragjeditë eskiliane.

Me gurët e Tezeut e Gjonbalës jemi përpjekur t’i zëmë udhën djallit.

Kur nuk kemi forcë lutemi e kërkojmë ndihmën e Zotit e lapsit të tij në tokë Shenjtorës Nanë Terezës, hyjnorëve “Nderi i Kombit” Dervish Luzhës dhe Rexhep Belit.

Sokrati na meson:

“Ekziston një e mirë e vetme, dija, një e keqe e vetme, injoranca”, prandaj gjithmonë e kam mirëpritur korrigjim e Lokemadhes.

Ndërsa kur e korrigjon të paditurin e ban armikun tënd atë.

Gjithmonë me stoicizëm dhe me argument e forcën e arsyetimit kam mbrojtur dinjitetin, historinë legjendare, kontributin në shekuj për liri dhe demokraci, vlerat universale, natyrore, njerëzore, artistike, kulturore, shkencore, akademike, virtytet, doket, zakonet, ritet, visaret e pashtershme të Lokemadhes, e në këtë betejë me bekimin e Zotit kam ngadhnjyer mbi pushtetet herë pas here por me një kosto të rendë përsonale dhe familjare.

Jam dardan i Malësisë së Gjakovës.

“E dua Malësia e Gjakovës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat