Për këto tri dekada të sistemit post-komunist, të cilin politikat nacionaliste ballkanike mundohen ta quajnë “sistem demokratik”, Maqedoninë e Veriut e karakterizuan dhjetëra zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Pas çdo afere korruptive, pas çdo aksioni të montuar politiko-policor, pas çdo nevoje për të legjitimuar (përmes vjedhjes së votës!) politikat destruktive, pushteti ka organizuar zgjedhje të parakohshme, duke e “rimarrë” verdiktin e popullit për të vazhduar edhe më tej me nëpërkëmbjen e dinjitetit dhe me rrënimin e të gjitha parimeve të integritetit si vlerë e pacenueshme e sistemeve të mirëfillta demokratik.
Në kontekstin politiko-kulturor këto zgjedhje të parakohshme, si metodë perfide e legjitimimit të pushtetit korruptiv dhe dhunues, më së shumti i dëmtuan shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, sepse vazhdimisht hartoheshin strategji nacionale (me politika nacionaliste) për zhvillim të kulturës dhe gjithnjë është kërkuar “mirëkuptim” nga partitë shqiptare që bëheshin pjesë e koalicionit qeveritar që ta pranojnë “strategjinë” nacionale maqedonase, kurse me vendim qeveritare do të intervenohet për avancim dhe “buxhetim” të kulturës shqiptare! Natyrisht, këto premtime asnjëherë nuk realizoheshin, sepse niste faza e nacionalizmit maqedonas në prag të zgjedhjeve të parakohshme. Premtimet e rreme u bënë parim për çdo nomenklaturë politike maqedonase, ndërsa “politikë-bërësit” shqiptarë të vetmin dert e kishin zgjatjen e sefasë në pushtet! Fokusi partiak në sferën e politikave kulturore përqendrohej vetëm në “aktivitete kulturore” militantësh, pa kurrfarë vizioni afatgjatë dhe, kryesisht për interesa të ngushta retrograde. Pas plotë tri dekadave, cilët subjekte partiake shqiptare sot mund të flasin për “strategjitë politike” që u ndërmorën për ta ruajtur dhe për ta shprehur fuqishëm identitetin kulturor shqiptar! Pa dyshim, kombi shqiptar e ka shumë të fuqishëm identitetin e vet kulturor, por shtrohet pyetja, sa është vepruar për ta ruajtur origjinalitetin e këtij identiteti ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?!
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut asnjëherë nuk arritën që bashkërisht, të gjithë faktorët me relevancë, të organizonin debate, t’i tubonin subjektet kulturore, artistët, krijuesit, të shteroheshin të gjitha mendimet dhe propozime që do ta ndihmonin një strategji afatgjate kulturore, e cila do të ishte e paprekshme, pavarësisht ndërrimit të pushteteve! Debate të tilla nuk pati, sepse partitë tona, fatkeqësisht, nuk dëshirojnë korniza vendimesh në të mirë të kulturës e në asgjësim të orekseve për përfitime partiake dhe të militantëve partiakë! Shqiptarët sot do të duhej të kishin një “manifest kulturor”, i cili do t’i kushtëzonte të gjitha subjektet që ia mësyjnë formimit të qeverisë! Shqiptarëve nuk u duhen ministri, nuk u duhet as “kryeministri”, nuk u duhet as kryetar parlamenti e shteti, sepse të gjitha këto funksione janë për “kukulla”! Sa e sa ministra shqiptarë deri më sot kanë qenë nëpër qeveritë maqedonase, e megjithatë kemi pasur “enciklopedi” antishqiptare të “institucioneve” nacionaliste maqedonase; sa tekste shkollore janë botuar me përmbajtje armiqësore kundër shqiptarëve; sa e sa procese të montuara janë zhvilluar kundër shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, sa e sa aksione policore, me të plagosur e të vrarë, janë ndërmarrë nëpër vendbanime shqiptare, sa e sa përçmime institucionale janë shprehur publikisht kundër arsimit, kulturës dhe avancimit të shqiptarëve! Kjo, sepse partitë shqiptare nuk janë “subjekte shqiptarësh”, por janë subjekte qeveritare që hartojnë dhe zbatojnë strategji politike të qeverive maqedonase të miratuar në Parlament!
Komuniteti i artistëve shqiptarë tash e tri dekada pret një rend në shfrytëzim të parave publike për kulturë dhe po kaq dekada pret të ketë edhe një qasje të përbashkët në paratë publike për të gjithë aktorët e kulturës!
Mendimi kritik kundër diskriminimit kulturor te shqiptarët me tepër është “protestë” individuale se sa që është brengë kombëtare për një strategji nacionale kulturore që do të ndihmonte dhe do të nxiste në hartimin e politikave kulturore në nivel kombëtar. Pa dyshim, subjektet politike shqiptare nuk do të pajtoheshin me këto qëndrime editoriale, megjithatë si do t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve:
Si bëhet konkursi vjetor i Ministrisë për Kulturë, cilët janë kriteret sipas të cilave vendoset dhe kush vendos?
Modeli ekzistues financiar, a i përmbushë njësoj nevojat e të gjithë institucioneve, asociacioneve, aktorëve të ndryshëm në sferën e kulturës dhe a mund të bëhet kjo ekskluzivisht vetëm përmes një konkursi vjetor?
Sa institucione nacionale nga sfera e kulturës u duhen shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe sa herë e kanë kushtëzuar formimin e qeverisë me pranim të politika kulturore të paraparë në “manifestin kulturor” të dakordësuar nga të gjithë subjektet kulturo-politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! /HEJZA/