Desha të shkruaj për ty at
është dita e baballarëve sot,
por shkronjat kurrsesi s’ mu lidhën në fjalë
e as fjalët në varg,
ndonëse s’kam mundur kurrë të shërohem
prej mungesës sate që më rri lak…
Dëshpërimi i fëmijëve të pafajshëm më pushtoi
që etërit vijojnë t’i humbasin në luftë,
mospërfillja e karrocierëve të paqes më hidhëroi
dhe pëllumbat me krahë të ngurtë…
Më trembën qiejt që shkundin dënesë
supet e ngushtë s’mbajnë dot këtë barrë
më dhembën sytë e rrëmbushur me lot
të vlagët e të zymtuar nga kjo lojë e marrë
Me hapin e ngadaltë çapitem në heshtje
në veshë më zhurmon fëshfërima e pemëve
ndërsa tej fëmijë të tradhtuar rroposen
me sytë e kapsallitur presin fundin e urrejtjeve
Më fal at !
Desha të shkruaj, por s’munda sot!