Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë e cila të përkujton rolin e poezisë dhe fuqinë e saj në mbijetesën e gjuhëve, në Anë të Malit, Ulqin u mbajtën dy takime letrare të cilat u organizuan nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “ Art Club” në bashkëpunim me ,,Shtëpinë e Trashëgimisë”, gjegjësisht, Muzeun Etnografik në Draginë.
Takimi i parë letrar u zhvillua në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga në Katërkollë, ku ishin të pranishëm poetët, Ali Gjeçbritaj dhe Dimitrov Popoviq. Ata në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve mbajtën një orë letrare dhe recituan vargje nga opusi i tyre krijues. Më pastaj recituan vargjet e tyre edhe nxënësit e kësaj shkollë. Meqë Dita Botërore e Poezisë përkon me Ditën Botërore të Sindriomit Daun (Down) të gjithë së bashku, mësimdhënësit, nxënësit dhe poetët përcollën edhe një mesazh për personat e prekur me këtë sindrom.
Aktiviteti i dytë u mbajt në Muzeun Etnografik, të pronarit Hajredin Kovaçi në Draginë, duke ndërthurur artin poetik me trashëgiminë kulturore. Në këtë takim letrar, i cili kishte si temë edhe përkthimin e poezisë, morën pjesë poetë, prozatorë, përkthyes e studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, Viktor Gjikolaj , Hekurana Koka, Salvator Gjeçaj, Ernest Marku, Zija Vukaj, Mimoza Rexhvelaj, Dimitrov Popoviq, Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi.
Pas dy viteve pauzë, për shkak të pandemisë me Covid 19, ishte kjo hera e tretë që u shënua Dita Botërore e Poezisë në Ulqin. Ky aktivitet letrar u mbështet nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave i Malit të Zi.