"Çdo fillim e ka një fund"
E thua ti
E unë them
Se fundi nuk do të vij
Asnjëherë
Isha mes luleve
Në dheun e njomë
Ku loznin gjarpërinj
Çdokund
Ika në burgun tim
Larg nga çdo shikim
I'u ngjita shkëmbit
Ku u ndjeva si zambaku
E dashuruar pafundësisht
nga ai
E doja ftohtësinë
Dhe zjarrin e tij
Pa fund
U ofruan gurë
Që rrokulliseshin
Rreth meje
Më thanë për ty
S'ka vend aty
Andaj, u ktheva
Në burgun tim
Të të lë ty të qetë
O shkëmbi im
Ndoshta ty të dukem
Zhgënjim
Por jo, mos e mendo
Unë jam vdekja e vetes sime
E ngadalshme
Në netët pa gjumë
Vetëm e vetëm
Të ta ruaj qetësinë Ty
Dhe gurëve tuaj
Që nuk duan të të ndajnë
Me askend
E ti do mbetesh
Përherë
Shkëmbi im.
DIELL
Ato që unë i ndjej për ty
As dora nuk i shkruan
Ti që mi ktheve
Ditët e lumtura
Të rinisë sime
Kur unë i buzëqeshja
Edhe buzëqeshjes tande
Edhe pse nuk e dija
Pse ti Diell ishe
Aq i buzëqeshur
Tash kur e mbaj
Dorën tande
Ofrohem ngadalë
Të puthi me mallë
E ti prap
I buzëqesh shikimit tim
Të mëshehur nga ata sy
Që unë i adhuroja
Pa e ditur ti
Më thua se don
Ti ndjesh rrahjet
E zemrës sime
E unë prap dua të iki
Nga frika se ajo
Do të pushojë së rrahuri.
TI ËNDËRR E BUKUR
Se si më ktheve prapa
Në vitet e lumtura
Të jetës sime
Të cilat mendova
Se tashmë perënduan
Ti ëndërr e bukur
E netëve të mia
Plot ankth dhe shpresë
Si hyre në derën e mbyllur
Të zemrës sime nuk e di
Ti drita e syve të mi
Të prekê ngadalë
Me duart e mia
Ta ndjej aromën
E buzëve tua plot afsh
Të shtërngoj ngadalë
Me duart e mia
Derisa këmbët
Më mashtrojnë
E mbështes kokën
Në krahët e tu
E dua ta di
A thua zemra yte
Rrahë për mua
Ashtu si e imja për ty
Nuk dua t'ia di
Sikur kjo të jetë
Nata e parë
Dhe e fundit
Për mua e Ty.
VETËM NJË JETË
Dua të më lësh të qetë
Ta harroj fytyrën tënde
Zërin tënd, fjalët tua
Të cilat i mori era
Dua të largohesh
Përgjithmonë
Ti dhembje e heshtur
Që më mbytë ngadalë
E nuk më lumturon dot
Dua të iki nga ti
Që ma trazon jetën
E unë e kam vetëm një
Andaj nuk dua
At jetë timen ta jetosh ti.