1. GRINDJA
– Duket se e dashura jote është zemëruar me ty? – iu drejtua ujku i vjetër ujkut të ri.
– Është zemëruar vetëm pse i thashë që po sillet sikur të ishte grua me dy këmbë, – tregoi ujku i ri.
– Duhet t’i kërkosh falje, si do të vinte ty, po të thoshte ajo që ti po sillesh si të ishe burrë pa bisht, – e qortoi ujku i vjetër.
2. SHARJET
Dy ujq bisedojnë: – Duket se bariun e kanë zënë hallet, shpeshherë përdor fjalë të ndyta, – tha ujku i parë.
– Jo, bariu nuk ka halle, janë deputetët që grinden e fyejnë me babë e nënë, – tha ujku i dytë.
3. DY APO TRE FËMIJË
– Kam tre fëmijë, dy janë me nga dy këmbë, një me katër këmbë. Të gjithë e duam fëmijën me katër këmbë, – tregoi një grua.
– Me siguri e keni fjalën për qenin me katër këmbë…? – e pyeti fqinja me habi.
– Natyrisht, mendove se po flas për elefantin?! – shtoi e para.
4. MJEDISANTI
– A beson që marrëveshja e Parisit për përmirësimin e klimës do të ulet prej shifrës 1,5? – e pyeti gazetari mjedisantin.
– Përkundrazi, do të ngrihet, – ia ktheu mjedisanti i nervozuar.
5. ZEMËRIMI
– Prej zemërimit dy shokë i shava, njërit i thashë derr, tjetrit lepurush, – i tregoi njëri mikut të tij.
– Si u ndave pastaj? – e pyeti miku i tij.
– Shokut që i thashë derr, më sulmoi, kurse atij që i thashë lepurush, buzëqeshi, – tregoi i pari.
6. FIZIKISHT DHE POLITIKISHT
– Shyqyr, ministrat shqiptarë janë të fortë fizikisht, – i lavdëroi një qytetar.
– Për fat të keq, në trupin e tyre nuk gjendet asnjë qelizë kombëtare, prandaj politikisht kanë vdekur, – ia ktheu i dyti.
7. KOLERA DIPLOMATIKE
– Cila prej tyre është më e rrezikshme, kolera epidemike, apo kolera diplomatike? – e pyeti gazetari mjekun e vjetër.
– Për nga përbërja, janë të ndryshme, për nga pasoja janë të njëjta, – u përgjigj mjeku i vjetër.
8. DHUNIMI
– Avokat, çka mendon për mjekroshët shqiptarë që e kanë droguar dhe dhunuar anglezen e re? – e pyeti njëri avokatin.
– Po habitem, si nuk qëlloi njëri prej tyre i arsyeshëm që të kundërshtonte veprimin e turpshëm, – u përgjigj avokati.
9. RRUGAÇI
– A gjendet sharje më e rëndë për profesorin plak se t’i thuhet rrugaç?! – e pyeti një arsimtare kolegen e punës.
– Patjetër, sharja më e rëndë është t’i thuhet pedofil, – tregoi kolegia.
10. PEDOFILI
– Çfarë përkitje, asnjëherë nuk ka ndodhur që tre emra të fillojnë me germën ‘p’, psh. pedagog, pensionist dhe pedofil, – tregoi një qytetar.
– Tani merakliu pas vashave do të mbetet pa dy të parat, – plotësoi një tjetër.
11. ANTONIMI
– Si quhet fjalia “Mësuesi është i dobët, ministri është i trashë”? – e pyeti arsimtari nxënësin në gjimnaz.
– Antonim gjuhësor, arsimtar, – u përgjigj nxënësi.
– Nuk quhet antonim gjuhësor, por antonim social! – e korrigjoi nxënësi tjetër.
12. MOHIMI I ATDHEUT
– A mund të shkaktojë kronavirusi humbjen e kujtesës kombëtare? – e pyeti gazetari mbimjekun.
– Patjetër, nëse qytetari e mohon atdheun dhe Skënderbeun, dihet që të ka prekur koronavirusi, – u përgjigj mbimjeku.
13. DASHURIA
– Cili prej tyre e do më shumë Serbinë, Edi Rama apo Sali Berisha? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Nuk mund t’i ndaj, të dytë e duan njësoj, – u përgjigj i dyti.
14. MÊ TË URRYERIT
– Kush kanë qenë tre njerëzit më të urryer shekullin e kaluar? – e pyeti gazetari analistin gjerman.
– Kanë qenë Adolf Hitleri, Benedito Musolini dhe Sllobodan Millosheviqi, – u përgjigj analisti.
– Mirëpo kush janë në qindvjetëshin e fundit? – vazhdoi të pyes gazetari.
– Janë Vlladimir Putini dhe Dik Marti, – u përgjigj analisti.
– Nuk e përmende të tretin?! – ndërhyri gazetari.
– Duhet pritur, ende gjendemi në fillim të shekullit XXI… – u përgjigj analisti gjerman.
15. PARASHIKIMI
E pyetën orakullin se kush do të zgjidhet kryetar i Republikës së Shqipërisë, prandaj orakulli tha se do të zgjidhet ai që do të puthë nënën Shqipëri.
– Për fat të keq, tek ne nuk ka mbetur asnjë trim që e puthë nënën Shqipëri, të gjithë po e puthin njerkën, – tregoi një plak i mençur.
16. NONGRATA
– Cila fotografi e ngjarjes të ka bërë përshtypje të madhe? – e pyeti gazetari tiranasin në sheshin Skënderbej.
– Fotografia e ish-kryeministrit të Shqipërisë, me pseudonimin “Nongrata”, që është rrëzuar në Pallatin e Kongreseve, – tregoi tiranasi.
17. SHARJE NË KUVEND
– Komentues të nderuar, nuk shkruhet “Deputetët në Kuvendin e Kosovës shahen, fyhen, kapen, përplasen, kacafyten, grinden, rrihen dhe zihen, sepse janë fjalë sinonime, mjafton të shkruhet njëra prej tyre, me anën së cilës kursehet kohë, letër dhe ngjyrë”, – kështu shkroi redaktori i gazetës Bota sot.
– Redaktor i nderuar, kur deputetët që marrin rroga nuk sillen me edukatë, atëherë pse të kursej unë ngjyrë e letër, – ia ktheu një komentues i revoltuar.
18. KAMPIONI I SHARJES
– Po të shpërblehen njerëzit sipas sharjes së madhe, bashkëshorti im do të zinte vendin e parë në botë, – tregoi një grua.
– Mbase bashkëshorti yt punon në kopshtin zoologjik, prandaj detyrohet t’i qortojë kafshët e egra?! – e pyeti një kolege.
– Jo, është deputet në Kuvendin Republikan, – u përgjigj e para.
19. IFTARI NË KLASË
– Për habi, nxënësit më shumë e duan mësuesin se bibliotekarin, – e hapi bisedën një plak.
– Normale, edhe ne në kohën tonë e kemi dashur mësuesin, – ndërhyri një tjetër.
– Mirëpo nxënësit e duan pasi që ai farë mësuesi i ka nderuar me darkën e iftarit, – tregoi i pari.
20. ZGJEDHIMI I FOLJES
– Arditë, si bëhet zgjedhimi i foljes “sundoj” në kohën e ardhme? – e pyeti arsimtari i gjuhës nxënësen.
– Unë do të sundoj shtetin, ti do të shfrytëzosh popullin, ai do të shkatërroj vendin, ne do të pësojmë, ju do të tronditeni, ata do të vuajnë, – u përgjigj nxënësja.
21. MARTESA ME DETYRIM
– A jeni të kënaqur me demokracinë në Kosovës? – i pyeti gazetari një grup qytetarësh.
– Nuk jemi të kënaqur, në Svaziland të Afrikës, burrat detyrohen të martohen me nga dy gra, ndërsa neve na ndalohet martesa e burrit me burrë, – u ankua një homoseksual.
– Mut atje, mut këtu, – shtoi me mllef një tjetër.
22. PROTESTA
– Për çka po proteston? – e pyeti gazetari një protestues që kishte dalë me simbolin e ylberit në qendër të Prishtinës.
– Po protestoj për drejtat e komunitetit feminist, – tregoi qytetari.
– Duket se nuk e di që Një Maji është Dita e Klasës Punëtore, prandaj protestohet për të drejtat e punëtorëve në punë dhe për ngritjen e pagave, – ia ktheu sindikalisti i revoltuar.
23. PARTIA MË E MADHE
– Cila parti është më e madhe, Sindikata e Punëtorëve apo Partia e Hajdutëve? – e pyeti njëri avokatin e popullit.
– Dihet Sindikata e Punëtorëve është më e madhe, mirëpo Partia e Hajdutëve ekonomikisht është më e fortë dhe më e organizuar, – tregoi avokati i popullit.
24. GODITJE ME SHISHE
– E tmerrshme, prej nervozes deputeti po e godet tryezën me shishe, bam, bam… – shprehu keqardhje një qytetar.
– Ehe, i bie dritares të dëgjojë dera, prandaj e godet tryezën të dëgjojë Gërmia, pasi që pasuria dhe familja e tij vijnë mbi shtetin, – ia ktheu tjetri.
25. DOZA E SHARJES
– Duhet të bëhet testimi i sharjes dhe urrejtjes opozitare me aparat, para se deputeti të flasë në kuvend, – deklaroi një gazetar.
– Nuk do të ishte keq që me aparat të matet doza e servilizmit të Ramës dhe Berishës ndaj Serbisë për Ballkanin e hapur, – ndërhyri avokati i popullit.
26. SHARJE NË KUVEND
– Sipas sharjes “Ua q… robtë (robërit)” çfarë pozite duhet të ketë deputeti në kuvendin republikan? – i pyeti arsimtari nxënësit në klasë.
– Pozitë skllavopronare, arsimtar, – u përgjigj një nxënës.
27. MË LEHTË
– A më lehtë është që njeriu të bëhet lexues, apo shkrimtar? – e pyeti njëri mësuesin e vjetër.
– Me këtë kibernetikën e lartë njeriu më lehtë mund të bëhet shkrimtar se lexues, shkrimtarët që lexojnë kërkohen me qiri, – u përgjigj mësuesi i vjetër.
28. STREHIMORE
– Doktor, kërkoj që babain tim ta çoj në strehimore, është bërë agresiv, sapo Sali Berishën e ka parë lajmet televizive, prej zemërimit e ka thyer televizorin.
– Edhe babai im e ka thyer televizorin, por nuk e kam larguar prej shtëpisë. Më mirë pa televizor, se pa babain, – tha mjeku.
29. REFUGJATI
– A pajtohesh të punosh pastrues për mirëmbajtjen e qytetit? – e pyeti shefi i kompanisë së mirëmbajtjes refugjatin.
– E pamundur, në Shqipëri kam lënë detyrën e drejtorit, kurse në Spanjë më ofroni fshesën, – kundërshtoi refugjati shqiptar.
– Po të kishe qenë drejtor, nuk do të vije në Spanjën e largët, – ia ktheu shefi i kompanisë së pastrimit.
30. LUMTURIA
– Lumturia zgjat sa të jetë thesi plotë, kur të zbrazet, zhduket edhe lumturia, – tha fshatari i revoltuar.
– Prandaj ministrat bujarë që të varfërve u japin falas ushqim, nuk zgjat me shumë se një javë, – ia ktheu i dyti.
31. KLASA PUNËTORE
– Unë dhe Sali Berisha me kompaninë e tij në kohën e Enver Hoxhës kemi qenë klasë punëtore, – tregoi një nostalgjik.
– Atëherë përse Berisha sot është oligark, kurse ne të varfër e barkthatë, – u ankua i dyti.
– Epo, ne i duam karamelet italiane, jo fasulen tonë, – ia ktheu i pari.
32. MINISTRI
– Kurrë nuk e pashë ministrin shqiptar duke qarë për varfërimin e vendit tonë, – tregoi një qytetar.
– Pse të qajë, kur mollët dhe dardhat e kalbura po i shiten, dhe një ndër ta që i blejmë, jemi unë dhe ti, – ia ktheu i dyti.
33. KOMEDIA
– Ku është dallimi në mes komedisë dhe tragjedisë? – e pyeti një diplomat kolegun.
– Nëse Serbia masakron një numër të madh njerëzish, Bashkimi Evropian e quan komedi, nëse në Kosovë lëndohen disa hajdutë serbë, Bashkimi Evropian e quan tragjedi, – tregoi i dyti.
– Prandaj serbëve edhe këndesi u pjellë vezë, kurse Kosovës as pula nuk i pjellë... – tregoi i pari.
34. SHPATA E LEKËS SË MADH
– Ti që e ke sjellë shpatën e Lekës së Madh, me siguri mund të sjellësh edhe dorën e Lekës së Madh për të qëlluar Nyjën e ngatërruar gordiane, – tha një historian.
– Unë mund të sjell edhe shpatën e Akilit, mirëpo nuk i sjell dot Akilin dhe Lekën e Madh, – ia ktheu arkeologu.
35. DY FOTOGRAFITË
– Në faqen e shtypit elektronik shfaqen dy fotografi, njëra e Vlladimir Putinit, tjetra e Bella Hadidit, cilin prej tyre do ta shikoje? – e pyeti njëri shokun e tij.
– nuk jam fashist..., prandaj do ta shkoja araben e bukur, – u përgjigj shoku i tij.
36. MUNGESA E USHQIMIT
– Shekullin e kaluar mbi 50 milionë njerëz në botë kanë vuajtur për ushqim, pas një shekulli sa njerëz duhet të vuajnë për ushqim? – e pyeti gazetari ekonomistin.
– Shumë lehtë, 50 milionëshit i shtohet një zero dhe shifra del 500 milionë njerëz të varfër që do të vuajnë për ushqim, – u përgjigj ekonomisti.
37. OPTIMISTI...
– Cilat kushte duhet plotësuar optimisti dhe cilat pesimisti? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Shumë lehtë, të parit i duhet buzëqeshja, të dytit - skamja, – u përgjigj i dyti.
38. TRADHTIA
– Ku qëndron simbolika e kthimit të monarkisë zogiste në Shqipëri? – e pyeti njëri juristin e vjetër.
– Simbolika e kthimit qëndron në atë se pas tij vijnë tradhtia ndaj atdheut, shfrytëzimi i punëtorëve dhe shtypja e popullit, – u përgjigj juristi.
39. STANDARDI
– Për nga kategoria e keqpërdorimit, të parët vijnë tekstilistët, të dytët qumështoret, të tretët bukëpjekësit, – e hapi bisedën një mësues i vjetër.
– Tekstilistët nuk e shtrenjtojnë mallin, por e shesin stofin e dobët, prandaj njerëzit mërdhijnë; qumështoret qumështit shtojnë ujë, prandaj njerëzit sëmuren, kurse bukëpjekësit nuk e shtrenjtojnë bukën, por ia ulin peshën, dhe kështu populli vazhdon të vuajë, – plotësoi miku i tij.
40. DALLIMI FETAR
– A ka dallim diplomacia turke me diplomacinë frënge ndaj shqiptarëve? – e pyeti politikani amerikan politikanin gjerman.
– Po të jenë shqiptarët myslimanë, i urren Franca, po të jenë të krishterë, i urren Turqia, po të jenë ortodoksë i mbron Rusia, – tregoi politikani gjerman.
41. NOSTALGJIA
– A mund të ndodhë ndonjëherë që Serbia ta urrejë Francën dhe Rusinë, e cila i do më shumë se veten? – e pyeti gazetari diplomatin gjerman.
– Patjetër, kur nuk e shpërblejnë më me toka shqiptare, - u përgjigj diplomati gjerman.
42. DIALEKTIKA
– Kush është fajtor për vuajtjen e popullit? – e pyeti një plak kolegun në park, kur pa varfanjakët duke kërkuar ushqim në kontejner.
– Sipas fetarëve është zoti, sipas dialektikës... majmuni, – ia ktheu i dyti.
43. DIPLOMA
– Prej nervozes ia shava diplomën gjykatësit në seancë, – u ankua bashkëshortja ndaj burrit.
– E dashur, sharja jote ka shkruar në vesh të shurdhër, gjykatësi nuk ka diplomë, – tregoi bashkëshorti.
44. LUFTA E DYTË (E TRETË) BOTËRORE
– Lufta e Tretë Botërore po troket në derë, – tha një diplomat evropian.
– Përkundrazi, Lufta e Dytë Botërore ende nuk ka përfunduar, pasi që askush nuk e luftoi fashizmin në vendin e vet, – ndërhyri veterani i vjetër i luftës.
45. KOPSHTI DHE ASFALTI
– Ku është dallim në mes lulëzimit të kopshtit dhe lulëzimit të asfaltit në rrugë? – e pyeti njëri mikun e tij.
– Dallimi është se kopshti me lule është i punuar mirë, kurse asfalti me lule është i dobët, – u përgjigj i dyti.
46. GJAHU
– Ti me shokë keni dalë për gjah në bjeshkë, mirëpo papritmas ju sulmon ariu i Hagës, ç’do të bëni? – e pyeti avokati mikun e tij.
– Do të kërkojmë ndihmë prej Qeverisë së Kosovës, – tha miku i tij.
– Mirëpo ju në bjeshkë keni dalë pa pëlqimin e shtetit, prandaj zor e keni të kërkoni ndihmën e qeverisë, – ndërhyri avokati.
47. INATI POLITIK
– Çka mendon për Sllovakinë që nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës? – e pyeti një politikan kolegun e tij.
– Shyqyr që Sllovakia nuk kufizohet me Serbinë, përndryshe, për inat të Kosovës, do të ishte bashkuar me Serbinë, – ia ktheu i dyti.
48. KUNDËRVOTIMI
– Për çka të larguar prej Kuvendit Republikan? – e pyeti avokati anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje.
– Jam dënuar për shkak se nuk e kam votuar Gjykatën Speciale sipas kërkesës së Hashim Thaçit, – u përgjigj i burgosuri.
– Mirë ta kanë bërë që të kanë dënuar! Po ta kishe votuar, sot do të ishe në kuvend, – e qortoi avokati.
49. RROBAT E REVOLTËS
– Kemi tri lloje rrobash: të shpresës, të durimit dhe të revoltës, – tregoi shitësi i konfeksionit të rrobave në shitore.
– Më jepni rrobat e revoltës, pasi që të parat më kanë mërdhirë, kurse të dytat më janë grisur, – tha myshteriu.
50. UKRAINA
– Çka mendoni për deklaratën e kryeministrit britanik, Boris Johnson, drejtuar Rusisë për pushtimin e Ukrainës se shumë bijë të nënave ruse nuk do të kthehen në shtëpi? – e pyeti një gazetar politikanin shqiptar.
– Pikërisht atë e dëshiron Rusia ekspansioniste, – ia ktheu politikani shqiptar.
Suedi, 15 maj 2022