Ujqëria zënë kishte në çdo skutë pritën
të vriste jetën të vriste bardhësinë dritën
veç nuk i vriste dot metaforat e poetit
ato rridhnin shpirtit të shqetësuar si valët e detit
për sythin për gemin për bimën e fisit
për emrin e shkelur dhe shkëlqimin e plisit
Gjeçovi dhe Hasi në një orë letrare
metaforat poetike fluturonin nëpër dritare
binte borë e parë dhe mbulonte brigjet
bardhësi merrnin fushat malet shtigjet
poetika azemshkreliane fliste me borën
"Hije i ka Rugovës bora-hije i ka bora Rugovës..."
Muza poetike herë ikën herë vjen
veç drejt pendes tënde shtegun më s`e gjen
gur a lis Rugove me një ëndërr në sy
u shkrive si metaforë në tënden poezi
Burrat e vendlindjes trëndafila të bardhë
rritur nëpër stinë gjithnjë shallbardhë
poezi azemshkreliane shkrirë në gjethe lisi
aty ku atdheut i bën roje plisi
në ëndrrën e pëlcitur si një kokërr kripe
pjesët e atdheut i bashkon muza shqipe...