“Bomba” zgjedhore

Kultura

“Bomba” zgjedhore

Nga: Sevdail Hyseni Më: 25 qershor 2022 Në ora: 08:55
Foto ilustrim

Bomba në Strukar

Na doli me bisht,

Dikush po i fryn

Zjarrit qëllimisht!

Mjaft se na çmendën

Votimet në rresht,

-Nuk digjet jorgani

Vetëm për një plesht!

Nga zgjedhjet serike

Po na shkon vera…

Dhe aspak s’na vjen

E mira nga dera!

Lojërat pa kufij

Nuk i kap kalemi,

Edhe pse e dimë

Ku qëndron problemi!

T’ia vëmë shulin

Sa nuk është vonë,

Se nesër nuk dihet

Ç’na pjell në sezonë!

Urtia na mëson

Duke na këshilluar:

-Kush e sheh rrezikun

Është gjysmë i shpëtuar!

E ne po e shohim

Me dy sytë në ballë,

Dhe pa bërë hopa,

Kërcejmë nëpër shkallë!

Pa menduar mirë

Nganjëherë na kruhet,

E prekim arushën

Aty ku nuk duhet!

Prandaj edhe gjërat

Na shkojnë për dreq,

Në këtë botë mizore

Ka edhe më keq!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat