Poezia është boshti kurrizor që e ndërlidh qiellin me tokën. Ajo është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poeti dhe poeteshat kultivojnë dhe mbëltojnë harmoni në botë. Poezia është nëna e dashurive. Poezia dhe muzika janë dhurata hyjnore të qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë. Poeti është një anije fluturuese që vërtitet përrreth botës së fjalëve. Ai është kryeengjëlli i kohës dhe tymonier i karrocës së mbushur me fjalë, me lule dhe flutra. Poezia është mbretëresha e arteve kurse poeti një flutur që fluturon, fluturon dhe bie në zjarr duke u djegur pa u djegur.
Libri është mrekullia e një tempulli të përfunduar. Ai është gjithmonë i mbështjellë me diçka të fshehtë, sepse është thesari i shpirtit. Libri është kroi i ilaçit që e shuan etjen për dije, për ide, për risi, për bukuri. Librat e krijuesve tanë në trojet e mërgimit, e ndër to edhe ato të bashkatdhetarit tonë, Remzi Basha, janë prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat.Ato shëmbëllejnë me do rreze drite që i shëndrisin hapat e shtegtarëve në drejtim të universit të dijes.
Zt. Remzi Bashavjen para lexuesve tanë me një vëllim të ri poetik me mendime erotike. Poezitë e tij shëmbëllejnë me një kandil shkëlqimtar të cilin nuk e tremb asnjë errësirë. Ato janë një verigë që e ndërlidhin botën e sotme me botën e ardhmërisë. Remziu është pronar ëndrrash dhe frymëzimesh briliante. Ja një nga lirikat më të bukura të tij: Kaq shumë/ Të kam pritur/ Me barin e gjelbërt/ Duke rregulluar shtratin tonë./ Me gjoksin tim të butë/ Të mbështjell ty/ Duke të kënaqur me dashuri.(Kaq shumë)
Që nga Jeronim de Rada i shekullit 19-të, e deri te bota kontemporane në trojet italiane, botën tonë letrare e zbukurojnë veprat e Irma Kurtit, Vitore Lekës, Robert Shkurtit, Zef Bardhit, Lindita Koplikut, Zef Mulajt, Bari Dervishllarit, Mardena Kelmendit, Skënder Lazajt, Elisabeta Gockajt, Pjerin Ndrekajt etj. Ku vjen fjala për brigjet e Skandinavisë. Remzi Bashën e kem i flamurtar. Poeti shëmbëllen me një pemë e mbëltuar në bregun e Lumit të Bukurisë. Ai është një bilbil që kërcen nga njëra në degën tjetër të fjalëve, duke krijuar melodi që e mbushin trupin me butësi dhe delikatesë. Numri i poetëve të botës që shkruajnë për ëndërrime është i panumërt. Njëri ndër ta është edhe Remzi Basha: Mbrëmë në ëndërr/ Pse po rri në qiell/ Të pyeta, e ti më the:/ Mos të na shohin njerëzit/ Mbi një gjethe që rënkon.(Përse)
Poezia është një gurrë e ëmbël që ua shuan etjen shpirtërave të etshëm për dashuri dhe kulturë. Poezitë e Remziut shëmbëllejnë me një pemë me fryte të ëmbla për shijen e shpirtërave të uritur.Lirikat e tij vijnë para nesh me metamorfozat e dashurisë, përmes së cilës njeriu eksploron mahnitjen e vet. I panumërt është numri i poezive të frymëzuara të mërgimtarit tonë në trojet e mërgimit. Lirika e tij shfaqet kur emocioni ka gjetur mendimin e vet dhe ka zbuluar fjalët e veta. Poezia e tij është arti i bashkimit të kënaqësisë me të vërtetën. Shkenca është për ata që mësojnë, poezia për ata që dinë. Detyra e poezisë është të pastrojë realitetin e fshehur nga fjalët tona duke krijuar hapësira heshtjeje rreth gjërave. Shpati i përmallimit, Lulja e lujtimit, Bie shi, Rrugica, Fshati im në ilustrim, Në pranverë, Gjahu i gjuetait, Koha e mëkatit, Ora, Çastet tona, Vetmia, Mendime, janë disa mga liikat më të bukura të kësaj vepre të re.
Remzi Basha e shikojnë botën ashtu si një burrë që e shikon një grua. Poetët janë gjykatësit e panjohur të botës. Poeti është një vizionar që gjithmonë e thotë të vërtetën. Ai që nxjerr kënaqësi fisnike nga ndjenjat e poezisë është një poet i vërtetë, megjithëse mund të mos ketë shkruar një varg të vetëm në tërë jetën e tij. Poezia është ditari i një krijese detare që jeton në tokë dhe dëshiron të fluturojë në ajër. Poezia e Remzi Bashës është një jehonë që kërkon një hije për të t’u flladitur. Poezia e tij përfaqëson mendime, ëndërime, frymëmarrje dhe fjalë.
Poezia është gjithçka që ia vlen të kujtohet gjatë gjithë jetës. Autobiografia e një poeti përbëhet nga poezia e tij. Pjesa tjetër janë vetëm shënime në fund të faqes. Poezia e vërtetë mund të komunikojë para se të kuptohet. Poezitë e Remzi Bashës janë arti i nusërimit të fjalëve me fjalë. Poezitë e tij janë si magjistarët që kërkojnë fjalë magjike për të nxjerrë frikën nga shpirtrat e njerëzve. Poezia është një mit i vogël për aftësinë e njeriut për t’i dhënë kuptim jetës. Në fund të fundit, poezia nuk është diçka që ne e shohim, por përkundrazi, një dritë përmes së cilës mund të shohim, dhe ajo që shohim është jeta. Jeta është art dhe arti është jetë. (Bukuresht, Verë 2022)
AFËRDITA IME
Vetëm për ty jetoj
Vetëm pranë teje mund të flatroj
Me ty mund të shkëpus nga fjalët
Flatra të mëdha…
Vetëm për ty marr frymë
Për ty mund të luaj me zjarrin
Me zjarrin që na e shërron
Sëmurjen e dashurisë…
Vetëm për ty jetoj
Afërdita ime -
Mrekulli e Zotit
Grua e bekuar
Me vajtim prej fëmije…
MJALTË
Më thuaj moj zanë
Nga cilat stinë të të ftoj
Me flakërat e dëshpëruara të acarit
Më thuaj, cilat drita t’i tuboj
E të të mbështjell me to - e vluar
Me kohën e borërave që perëndojnë
Kur dëbora ka harruar se është shuar
Eja, ti, mjaltë e shijuar
Nga gjuha e Zotit!
LUTJE
Zot i shtatit tënd
Do të bëhem -
Ditën kur pa ty
ta ndjeja veten të shembur. .
Pritmë, edhe nëse s'vij
Dhe ruaje fuqinë tënde
Për ta shuar
Etjen time për ty!
O MOJ MBRETËRESHË
Më shpalle mbret
Ma dhurove një fron
Dhe një kurorë me shumë diamante.
Në netët me hënën e plotë
Më vure në fron aq shumë stoli
Saqë mund t’i shndërroja në yje
Sa shumë qiell ngulfatej në to!
Ashtu i stolisur, nuk mund të ikja
As atëherë kur më the
Se froni, faktikisht ishte një turrë
Ku duhej i tëri të digjem për ty.
KËNGA E FJALËVE
Fjalët na dashuroheshin në tryezë
Pranë filxhanave të kafesë.
Nën sytë tanë zaliseshin
Dhe dridheshin trupat fërgëllimtarë.
Krejt tingujt u mbusheshin me diell
Dhe shkriheshin e bëheshin
Matejre derdhëse
Kur kuptimet iu përzjeheshin.
Fjalët tua i gllabëronin
Fjalët e mia deri në tingullin e fundit
Deri në shenjën e fundit
Dhe në këtë përqafim dridheshin e ngjanin
Më parë me një nokturno të levarashtë.
Apo me një gjuhë të folur
Nga hyjnitë e inventuar atypëraty
Ngase fjalët tona ishin një dashuri
E servuar pranë kafesë së nxehtë
Në kohën kur ne po prekeshim
Fjalët na dashuroheshin në tryezë.
Dhe papritmas më kape për dore
Dhe vrapuam drejt shtëpisë...
MAKIJAZH DITE
Po ngjet në jetën tënde diçka e çuditshme
Kur makijohesh të më pranosh si dhuratë
Kur shiu po derdhet mbi tokë
Kur kërkohemi e dashurohemi duke qarë
Kur digjemi në vajtje e rigjetje
Kur mbështillemi me tym e me mahnitje
Kur me mall të zhurritur më shpie në pol
Dhe eksperimentojmë rëniet në zbraztirë
Kur vala po kthehet drejt vetëvetes
Dhe më dëbon të jesh shkretëtira ime.
E pamatur, e hedhur përmbi shkrepa
Po vetëvritem para syve tu të thellë.
Dhe sërish më kthen të të jem dhuratë!
ETJE PËR JETË
Është dhe s’është vështirë
Të gjesh pyetjet e duhura
Që t'i japin përgjigjet
Që t'i tregojnë rrugët
Ngase në mungesë të tyre
Do të vonoheshim përgjithmonë
Rrugëve për gjetjen e kuptimit
E pastaj rpërgjatë rugëve
Ulet koha pa paralajmërim...
Me fjalë zbavitëse apo
Kërkesa që zënë vend
Shkojmë përpara porsi kalimtarët
Me një grusht kujtimesh
Dhe me etjen për jetë
Që na ka kapluar përjetë...
DEKLARATTË DASHURIE
E kam paguar këtë libër:
Për secilin mendim
Kam dhënë njëmijë mendime.
I përpjestova njëmijë kilometra
Në fjalë
Dhe më doli
Distanca e saktë
zemrës dhe Fjalës.
SHPIRTLUANESHA IME
Mund të t’i puthja duart e lodhura nga vitet
Që përkundën e rritën fëmijët e shtrenjtë
Po ti më dhe më shumë krahë fitimtarë sfide
E fjala e ngrohtë nuk vihet dot në peshë.
Shumëherë të them faleminderit nga zemra
Për vitet që kaluan me gëzime e halle që ka jeta
Por sot për ty do të të sjell katër pranvera
Trëndafilat e fjalëve nuk i mban dot buqeta.
Ti më vure në fitoren më të madhe që ka jeta
Që bëhet pa gjyle topi e krisma pushkësh
Ti më dhe dritë në natën e gjatë dhe të errët
Ti më bëre me krah kur shtroj sofrën e bukës.
Një ditë mund te shkoj me një letër të zezë
Pas një kortezhi me ca njerëz të menduar
Po ti më hape dritaren e madhe me rreze
Që vetëm një zemër e madhe ma ka dhuruar.
Do të shkojnë vitet si dallgë të larta detesh.
Të tjerë avionë do ngrihen në qiejt e lartë
Po ti për mua si shenjtore përjetë do të mbetesh
Një Mirënjohjeje për shpirtin tënd aq të madh.
HEROINA AFËRDITË
Për ty një jetë nuk mjafton
Që të të them sa të dua
Të mbeta borxh përgjithmonë
Ti je frymëmarrje për mua
Ti e brishta, e qeshura ime
Ti e bukura që më dashurove
Që zbute zemrën time
Që familje më dhurove...
Ti që netëve m’u përkushtove
Më buzëqeshje e shpresë
Më fale ditët tua, jetën më shpëtove
Më ktheve të gjallë nga një harresë
Sikur çdo çast të them të dua
Prap për Ty kjo nuk mjafton
Për çdo stinë - lule sytë e tua
E zemra jote prore më fton
Ti e imja heroinë
Dashuri që lind për ditë
Si rrufe e vetëtimë
Si në zemër e në shpirt
Ti më e mira në galaktikë
E shtrenjta ime Afërditë...