Lirika e dashurisë në poezinë e Fatos Arapit 

Kultura

Lirika e dashurisë në poezinë e Fatos Arapit 

Nga: Zymer Mehani Më: 19 korrik 2022 Në ora: 19:45
Lirika e dashurisë në poezinë e Fatos Arapit 

Përmbledhje

Të flasësh për lirikën e dashurisë të Fatos Arapit është, në të njëjtën kohë punë e lehtë dhe e vështirë. Është e lehtë pse ke ku të mbështetesh, pse ekziston një bazë e gjerë shkrimesh të ndryshme për temën, të cilën do ta trajtojmë në këtë studim dhe është e vështirë pse të bren dyshimi se do t'i përsëritësh çështjet, pse të mundon dilema se çka do të thuash pas gjithë atyre analizave e shqyrtimeve për lirikën e tij të dashurisë. Mirëpo, mu kjo vështirësi të bën kureshtar, të intrigon që të gjesh rrugë të reja për studimin e një vepre aq shumë të hulumtuar, por ende të pashterur. Gjithashtu, mu ajo që të duket e lehtë, të josh si një det me valë të shkumbëzuara dhe të lë pezull pa ditur se nga do t'ia mbash.

Mendimi i parë që e kaplon studiuesin, i cili rreket të studiojë lirikën e dashurisë të Fatos Arapit është se si ai studim, në këtë kohë, gjithsesi duhet të bëhet në një aspekt të ri , të patrajtuar, deri më tash . Ç'është e vërteta, ky edhe do të jetë qëllimi i këtij studimi, që në fushën e studimit të temës në fjalë, të sjellim prurje të reja. Tema e dashurisë që shtrohet në poezitë e Arapit është mjaft interesante për të gjithë lexuesit pa dallim moshe e gjinie. Ky krijues këndon, veç të tjerash edhe për dashurinë e tij intime, por edhe për dashurinë si koncept më i gjerë.

Idetë materialiste për botën, konceptet për vetë jetën dhe për dashurinë si pjesë të saj, në vargjet e poetit tonë janë dhënë me emocion dhe të ndërlidhura me mendim. Një ndërlidhje e këtillë e ka bërë poezinë më të fuqishme, tërheqëse dhe më të afërt për lexuesin. Por ndjenjën e ka bërë më të fuqishme gjerësia e konceptimit të dashurisë. Prandaj në këtë studim tema e dashurisë nuk do të trajtohet vetëm në konceptin e saj të ngushtë, por do të shqyrtohet nga kënde të ndryshme, ashtu siç e ka konceptuar edhe vetë poeti në lirikat e tij të dashurisë: dashuria për atdheun dhe dashuria për femrën.

Hyrje

Poeti i shquar, Fatos Arapi, dashurinë, këtë ndjenjë të fuqishme e të thellë, që lidhet ngushtë me dikë a me diçka tjetër dhe që të shtyn të mos kursesh asgjë për të, e ka skalitur në vargjet e veta si një ndjenjë të çiltër e të nxehtë njëkohësisht. Në kuadër të saj është futur edhe ndjenja e thjeshtë ndërmjet gjinive të kundërta, është inkorporuar prirja e brendshme njerëzore që tërheq madje jo vetëm në caqe të ngushta, por edhe në aspekte interesimesh të ndryshme.

Nëpërmjet vargut që kapërthen ndjenjën e sinqertë të dashuriasë, poeti ka personifikuar edhe njeriun tonë në kontekst historik për të mbetur gjallë. Duke krijuar raporte të drejta ndërmjet dy personave, është dhënë vizioni i drejtë edhe për ardhmërinë.

Dashuria në vargjet e Arapit është kapur si një dukuri shpirtërore popullore, pa dalë asnjëherë nga kornizat kombëtare në kuptimin e ngushtë, por me përgjithësime të fuqishme që gjithsesi tejkalon caqet në planin artistik. Pra kjo poezi mban edhe një petk kombëtar, mban tone e ritëm të natyrës sonë, që denjëson ritmet e zhvillimit nëpër histori.

“Shikuar nga një ton rezonimi , që të dy këto emocione më të bukura dhe më madhështore të njeriut, dashuria për truallin dhe dashuria për gruan, përkatësisht në çaste të caktuara historike, për shpirtin tonë kolektiv sikur janë shkrirë në një”[1]. Sigurisht këtë mendim poeti do ta ketë pasur vazhdimisht parasysh, kur i ka shkruar lirikat e tij, ndaj nuk duhet dyshuar në këtë. E këtë e sugjeron poezia e tij, dhe jo vetëm kjo me temë dashurinë.

Lirika historike

Fatos Arapi i këndoi dashurisë, një dashurie të përmasave më të gjera, ku shprehet një lirizëm deri në pakufi. Shpirti i tij prej poeti, vuan nga një sëmundje pashërueshme, dashuria, dashuri për natyrën, për qytetet, për gruan, për popullin, për atdheun dhe për historinë.

Arapi ka një zemër njeriu, në të cilën dy ndjenja ndajnë hapësirën proporcionalisht; dashuria zë vendin e saj të pakontestueshëm, dhe pjesën tjetër, në vend të urrejtjes, e zë vuajtja, mërzia, melankolia dhe nostalgjia.

Vend të veçantë në lirikën e tij zë dashuria dhe nostalgjia për historinë e kombit, si një qëndismë e dizajnuar me kolorite lufte, vuajtjeje e krenarie. Luftë e krenari, krenari e luftë është historia e kombit shqiptar për poetin. Është këngë që nuk këndohet, është këngë që qahet, këngë që e qajnë shqiptarët. Historinë e tij e përbëjnë shqiptarët, që për autorin: " ... Në luftë flenë duke ecur/ Në vdekje vdesin duke ecur .../ duke dëgjuar këngën e tyre si qajnë ... "[2]

Duke u nisur mbase në proverbin popullor " Vaji i burrit është kënga ", autori pos që i sheh shqiptarët duke qarë në këngët e tyre, i gjen poashtu duke kaluar në këmbë një lumë të madh nga gjaku i tyre, lumë si Akeronti.

Për autorin shqiptarët janë "gjëmim i përjetshëm i këtij dheu, nëpër trupin, gjakun dhe shpirtin e tyre gjithmonë ishin të ndezura ashklat e shenjta të Skënderbeut. Ishim ne, shqiptarët, ata të djeshmit, të sotmit, të nesërmit, që përjetësisht do të niseshin nëpër udhët e përgjakura e tragjike të lirisë, ishim ne, vetë Skënderbeu "[3]

Fatos Arapi, me nostalgji shkruan për të gjithë ata shqiptarë, që nëpër shekuj ranë për lirinë e atdheut, që janë të panumërt, që nuk ishin as princër e as udhëheqës ushtrie, nuk lanë emër, nuk pati as kush t'i qajë, që hynë në dhe e varr nuk patën. Ata megjithatë i ruajti historia, edhepse ata s'kërkuan që emrat e tyre të bëhen pjesë e historisë, i ruajti vetëm me një emër, me tri germa "ata" . Ata që, pos që mbi supet e tyre bartnin barrën e luftës për liri, ishin të shtypur edhe nga feudalët e të rrejpur nga tregtarët, më shumë të pangrënë e të papirë, ata që janë vetë buka e bukë nuk kanë, që digjen vetë, e zjarrë në vatër nuk kanë . " ... Po ishin ata ankth i Muratit ,/ Po ishin ata tmerr i Turqisë ./ Ata ishin vetë tragjedia e Beratit/ Dhe Kujë e pamposhtur e Shqipërisë ... "[ 4]

Shqiptarët i krahason me Krujën si simbol i pamposhtur i qëndresës.

Po aq simbol autori e paraqet edhe Kaçanikun , si një dritare diellore, ku ndershmëria megjithatë mbyt tradhëtitë, e ku Arbëria ka aq shumë gjak sa t’i skuq horizontet. Liria, sipas autorit, ka përmasa të tilla, sa brinjët e saj janë sa thika të mbrehta, po aq edhe rreze drite. Këtu autori shpreh krenarinë për historinë e lavdishme, po megjithatë vërehet edhe një dozë skepticizmi për këtë histori dhe shpreh dilemën "nëse historia është natë "[5]

Sidoqoftë historia nuk i ruajti të gjithë heronjtë me një emër të vetëm, me emrin "ata", i ruajti edhe me emrat e tyre, me emra që vetë e shkruajtën historinë, vetë e bënë atë, siç janë Skënderbeu e Lekë Dukagjini. Lekë Dukagjinin ai e paraqet si një shkëmb, me shikimin që të shpon, e në të cilin thua se perëndon Perëndimi, një kolos që s'do t'i nënshtrohet as turkut, as Venedikut, e as fuqive të Perëndimit, e për të cilin shqiptarja është dhe mbetet shqiptare. Po megjithatë, ky burrë, që s'e njeh frikën nga shpata e shtiza, ky burrë që di të bëjë kuvend, t'u kthejë fjalë edhe atyre që që përpiqen të mbajnë timonin e botës në duart e tyre, që di të bashkojë shqiptarët, derdh lot e ulëron mbi trupin e pajetë të Skënderbeut, dhe klithmat e tij qajnë qiellin e dheun, duke vajtuar: " Mjerë ne ! Mjerë Shqipëria ! Po tani kush ngeli ? ...[6]

E për vdekjen e Skënderbeut vajton edhe vetë autori, duke e krahasuar me fjetjen e oqeanit dhe vdekjen e diellit. Ndërsa supet e njerëzve, që mbanin arkivolin me trupin e kryetrimit, ai i quan supe të betejave, fitoreve, lavdive, dhimbjeve, të tragjedive të popullit të tij. Këto supe të kërrusura njerëzore, tek mbajnë peshën e një vdekjeje të rëndë, tepër të rëndë, lëvizin jetën. Autori, me një lirizëm të hollë, dëshiron që kjo vdekje, të mos jetë vdekje e vërtetë e popullit, që ata që mbetën ta vazhdojnë "jetën" , qëndresën dhe luftën për liri, me po atë forcë e vullnet, me po aq guxim e besim në të drejtën për të qenë të lirë, për ta jetuar jetën, për ta rikthyer atë, që diku kishte ngelur " [7]

Lirika atdhetare

Duke ndjerë dashuri të madhe ndaj atdheut, poeti Fatos Arapi në vjershat e tij mishërohet me atdheun dhe jetën e re, për të cilën këndon me plot entuziazëm. Dashuria, entuziazmi dhe admirimi shfaqen edhe atëherë kur poeti këndon për të kaluarën, i frymëzuar prej idealit të lartë të heronjve të popullit tonë, si në poezinë “Vargjet”, që është vizion autentik i udhëtimit imagjinativ nëpër kohë.

Nga ky cikël mund të veçojmë vargjet e poezisë “Ishim ne”, ku hasen rrënjët e thella të qenies, të shpirtit dhe të tokës arbërore para dhe pas Skënderbeut. Duke ligjëruar nga perspektiva e epokës së Skënderbeut, poeti do të thotë se ishim ne ata që do të niseshim përjetësisht nëpër udhët e përgjakura, tragjike të lirisë duke e lënë të hapur këtë rrugë dhe në të ardhmen.

Në poezinë “Atdheu” Poeti sjell një imazh e ndjeshmëri lidhur me ndjenjat atdhetare. Atdheu shpalohet me ngjyra dramatike, tendosje emocionale shpërthyese që hedhin dritë në tri dimensionet e kohës: në të kaluarën, të tanishmen dhe të nesërmen. Në vend që të jetë vetëm dashuri, atdheu është dhimbje e pikëllim. “Është kryqi që e mban në shpinë dhe që të mban mbërthyer, është premtimi që të bëhet posa lind dhe tani ai ka sy të trishtuar, është dashuri që vdes e dashuri që të çmend, është buka e uritur, është ëndërr, ankth e shpresë e sfilitur, është varr , varr i hapur ...” [8]

E njëjta situatë, me ndjenja të zjarrta dashurie paraqitet edhe me poezinë “Duke u nisur për Zyrih” . Edhe në këto vargje ndjenja është e dyzuar: e afërt-e largët, e ngrohtë - e ftohtë, për të mos thënë, e adhuruar - e urrejtur. Kështu është atdheu në poezinë e Fatos Arapit, as vetëm hyjnori, i adhuruari, as vetëm trishtimi, dhimbja, vrasësi. “Është fati, është përcaktimi sovran që nuk të ndërron e as e ndërron dot.”[9]

Lirika e dashurisë për gruan

Në lirikat e dashurisë intime të Fatos Arapit çaste interesante janë pritjet, takimet, ndarjet, ëndërrimet dhe atmosfera. Aty është krejt një botë njerëzore pa moshë. Në ato vargje secili do ta gjejë veten, do ta gjejë nga një pjesë të jetës, thjesht, do ta gjejë të vërtetën njerëzore e jetësore. Titujt e poezive me motive dashurie duken të thjeshtë, por të provokojnë .

“Fatos Arapi ka shkruar vargje për dashurinë, ku çështja është vështruar drejt dhe dashuria është marrë si një mjet për t'u lidhur dhe jo për t'u ndarë nga bota” [Po aty].

Gjithë këtë ndjenjë të bukur të dashurisë në vargjet e poetit e shoqëron bota përreth, ambienti i pasur asociativ, i cili shpesh shoqërohet me qiej, me yje, me ullinj etj. Dashuria për vashën, ndjenjat për një bukuri vazhdimisht e mbajnë të zgjuar poetin, por edhe lexuesin. Pasazhet e bukura, përshkrimet e bregdetit në netët me yje, përjetimet emocionale etj., zgjojnë reflekse vizionare të çasteve të jetuara.

Krijim i bukur me motive dashurie është poezia “Ti do të vish” , ku poeti ka paraqitur një çast interesant, një ndjenjë reale të botës së brendshme, e cila manifestohet te pritja e së dashurës. Atij nuk i pritet, i duket se koha nuk rrjedh. Sikur poeti të kishte fuqi, do ta vërtiste rruzullin rreth vetvetes vetëm e vetëm që të rrjedhë koha shpejt, jo për gjë tjetër, por për t'u takuar sa më parë me të dashurën. Kontekstet e këtilla artistike vërtet janë të rralla .

Poezi me vlerë antologjike është edhe “Miliona dashuri”, ku dashuria trajtohet nga një kënd i mëvetësishëm përgjithësues: “Nën trokëllimat - ritme të këmbëve të lehta / me një gëzim të kthjelltë, drejt dashurisë rend jeta, / që kurrë s'e aq e mençme sa kur shkoi në takime” [10]

Sikur poezia “Po trokas në derën tënde”, që ka një motiv popullor arbëresh, ashtu edhe në poezinë “Të diel në mëngjes” është shfrytëzuar me mjeshtëri një motiv popullor. Në këtë poezi poeti kërkon patjetër t'i vijë e dashura edhe në mos daltë dielli, edhe në mos ardhtë dita: “Të diel në mëngjes,/ të vish e të vish” [11] . Ai është këmbëngulës dhe këtë e shpreh, ndër të tjera, edhe nëpërmjet dyzimit: “të vish e të vish” . Shfrytëzimi i këtillë krijues i motiveve popullore jep mundësi për realizime të mirëfillta.

Përfundimi

Poeti Fatos Arapi lirikat e dashurisë do t’i ketë shkruar kaherë, por këto janë aktuale edhe sot e do të jenë edhe nesër. Do të mbeten aktuale se ai ka arritur të kap gjerësinë dhe thellësinë e jetës; ka ngarkuar vargun me ritme qe mbajnë gjallë përjetë. Krahasimet e goditura, që janë më të dukshme, figurat e tjera, shprehjet dhe i githë potenciali poetik janë futur në funksion të mendimit. Prandaj mu kjo e vërtetë e forcon poezinë e Fatos Arapit dhe e bën të të rrëmbejë në raste njerëzore dhe përherë aktuale. Shprehja e tij edhe në këto poezi është e matur. Me pak thotë shumë.

“Edhe në poezitë e dashurisë, poeti duke u nisur nga emocione personale, i ngre ato në emocione kolektive dhe në këtë mënyrë uni i tij poetik e kapërcen unin personal duke e marrë formën e unit shoqëror, duke u ngritur në nivelin e fatit të gjithë një gjenerate”.[11]

Në vëllimet e para poeti ka publikuar më shumë krijime me këtë temë, kurse më vonë, sikur është tërhequr qetë - qetë deri diku nga motivet e dashurisë. Mbase mund të ketë faktorë të ndryshëm që do të kenë ndikuar për ta bërë një hap të tillë, por qasja e vazhdueshme në kërkimet e tjera letrare e shkencore dhe mosha, gjithsesi do ta kenë bërë të veten. Megjithatë, poezia e Arapit me këtë temë do të mbetet ndër krijimet poetike që pa dyshim do të lexohet me interesim edhe në të ardhmen.

Literatura

1. Aliu, Ali. 1985, 15 shkurt. Poezia shqipe, Fjala, Prishtinë;

2. Arapi, Fatos. 2009, E sajoi reja zogun e furtunës, Libri shkollor, Prishtinë;

3. Aliu, Ali ... 2002 , Letërsia bashkëkohore shqiptare 4. Libri shkollor, Prishtinë, f . 112;

4. Shapllo, Dalan. 1968, Letërsia dhe realiteti ynë, Naim Frashëri, Tiranë, f . 31;

5. Qosja, Rexhep. 1979 , Antologji e lirikës shqipe, ETMMK, Prishtinë, f.174;

6. Arapi, Fatos. 1979, Fatet, Rilindja, Prishtinë, f. 20;

7. Velça, Kudret. 1963, 6 tetor, Këngë për vendin e kohën tonë, Drita , f.2

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat