Në kraharorin tim të përgjakur
krejt në errësirë të shpirtit dhe të
zemrës, u pjekën fjalët e shkrimit
u pjek zëri im që dua t´ju rrëfej,
për poezinë që ma dha pavarësinë.
Çdo shpirt i lirë është Skënderbe
çdo shpirt i lirë është njeri atdhé
çdo shpirt i lirë është Zeus e Thot
çdo shpirt i lirë është poet i vetes.
Libër, unë jam ardhë në jetë, për
pak vuajtje dhe për pak dhimbje,
pra, më vjen keq për bimët që s´u
mbollën mirë dhe nuk bën kokërr.
Jeta në këtë moshë mban fshehur
shumë gjëra, unë s´e kam pritur
se do mbetem vetëm me poezinë.
Kjo udhë ka shumë kthesa udhës
këtë udhë kaluar e kam disa herë
udhët e Shqipërisë janë udha ime.
Atdhe, plaga jote më bën të qajë
s´më mjafton të jem vetëm gjallë
tërë jetën kjo plagë gërryer më ka,
fuqisë së tashme i kruhet zemra, i
i kruhet fjala e ndenjur dhe heshtja.
Gjaku brenda gjakut, gjakut i flet:
Çamëri, të dua ma shumë se çdo
perëndi, unë edhe sikur dy lindje
t´i kisha, vetëm ty do të këndoja!