Kur na vdiq Kumbara
Derdhëm lot përpjetë,
Na humbën të mirat
Që kishim n’pushtet!
Tani më nuk kemi
Si dikur pozita,
T’jemi me dy lugë
T’hamë në dy korita!
Me t’ikur Kumbara
Vajtën punët pus,
Mbetëm të keqen
Pa Trup Koordinues!
Së shpejti do t’ngelim
Edhe pa një Këshill...
Që ka mbetur vetëm
Si lisi në pyll!
Nuk paska më zor
Të jesh pushtetar,
T’presësh si veshgjati
Kur të mbijë bar!
Askujt në këtë jetë
Me zhurmë dhe bujë,
S’i ka shkuar gjatë
-Kungulli mbi ujë!
Mos u merakosni
Nuk jemi pa fat,
Ndoshta na kthehet
Kumbara lugat!
S’duhet dëshpërimet
Të ngrihen si çmimet,
-Vetëm tullacit
Nuk i dalin qimet!