Marta Markoska është një poete e bukur dhe e talentuar. U lind në Shkup (29 Qershor 1981). Është anëtare e Shoqatșs sș Shkrimtarëve të Maqedonisë. Ka diplomuar për Letërsi të përgjithshme dhe komparative, në Fakultetin Filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup. Ka magjistruar për Stdudime kulturologjike interdisciplinare në letërsi, në Institutin e Letërsisë Maqedonase në Shkup. Deri tani ka botuar njëmbëdhjetë botime autoriale: poezi, prozë, tregime, studime shkencore, kritikë, ese: Libri Heroik / Erotik (H/ERO/T/IC BOOK, poezi erotike, Matica, 2019); Kallëzim(e) të fil(m)uara, studime shkencore dhe ese (Evroballkan – Shkup, 2017); Vrima të zeza në ne, përkthyer në serbisht libri “Cërni dupki vo nas” (Gramatika, Beograd, 2017); Vrima të zeza në ne, poezi (botimi II, verzioni maqedonisht – anglisht, shpërblimi “Todor Çallovski”, 2015); Vrima të zeza në ne, poezi, shpërblimi “Beli Mugri”, 2014); Debat për Zen budizmin (Transcedenca religjioni – filozofia në mes mendimit lindor dhe perëndimor) studim shkencor, Matica, 2013); Kokëfortë drejt lartësive, poezi (botimi II, Magor, 2013); Kokëfortë drejt lartësive, poezi shpërblimi “Aco Karamanov”, 2012); Hiper hipotezat, ese (Instituti për letërsi maqedonase, 2011); Vorbull në Betlehem, tregime (Templlum, 2010) dhe Të gjitha rrjedhat derdhen në shtratin tim, poezi (Templlum, 2009). Është laureate e disa shpërblimeve.
Krijimtaria e saj është përfshirë në shumë antologji të poezisë bashkëkohore dhe prozës në vendin e saj dhe në botën e jashtme. Është hartuese e Antologjisë së poezisë së dashurisë dhe lirikës erotike “Kreshta të lundrimeve poetike” (2014). Ka qenë pioniere e lansimit të Tallk-shout të parë në Shkup, kushtuar gjithë poetëve të njohur maqedonas, të quajtur ”Magnitudat letrare”.
MË PRANO
Bëhu zbulimi im i ri shkencor
të të hulumtoj në gjith meridianet
dhe të ankorohem në gjirin ku
lëngjet tona ende avullohen…
Të ndez vullkanin që të derdhë magmën,
të na shndërrojë në mbeturina,
fosile nga të cilat nesër do të lind brezi i ri.
Më merr në bregdetin tënd
të mbetur e kurë të shëruar.
Bëhu zbulimi im i ri shkencor,
më lejo të testoj voltazhën tënde
kur i ngazëllyer dridhesh në mua.
Të ndjej tërmetin përderisa
shtati yt i kundërvihet
tajfunit eksitues.
Më prano në odën tënde eksperimentale,
të bëjmë qark elektrik…
Bëhu zbulimi im i ri shkencor,
të të hulumtoj organ pas organi,
të depërtoj thellë në inde
dhe të ordinoj në fushën e ADN – së tënde
ku do të orvatem të shënoj edhe veten time.
Më prano në esencën tënde
siç të pranoj unë ty
gjithmonë si herën e parë
MË FËRKO
Të dielave, kur shiu ka erë bliri
a mërzia më çon të mendoj për ty,
dora e majtë ledhaton të djathtën
a kofshët fërkohen mes veti,
në mungesë të prekjes së huaj.
Më duhesh që ta tërheqësh këmbëzën
kur kujtohem se
pimë vet,
flemë vet.
Të dielave kur shiu ka erë bliri
a në tryezë qëndon vetëm një filxhan i zbrazur,
libër që askush nuk e lexon,
çelësa gjë asgjë më nuk çelin,
kujtime që askush nuk i kujton më.
Më duhesh që ta tërheqësh këmbëzën,
sepse që moti
pimë vet,
flemë vet.
QASMU MUA
Këngët nuk më mjaftojnë
të mund të lahem me to
kur nuk je të ma turbullosh ujin.
Dridhem para pritjes së secilit varg të ri,
si fletëz e ndjeshme para flakës.
Pritja më emocionon çdo qelizë
që ndryshon strukturën e ADN – së
nga mendimi që do të na takohen trupat.
Malli për prekje zgjatën shumë
për këtë jetë të shkurtër ku nuk dimë
ku do na zë nata e a do të agojë dita.
Mos i shtyj psherëtimat tona
për ndonjë jetë të ardhshme
ku ndoshta ti do të jesh ardhje e une – shkuarje
Qasmu dhe më lejo të të përmbys si Atlantidën
që vetëm unë të di ku gjithnjë të të gjej përsëri.
Qasmu dhe më lejo vetëm unë të ankoroj në gjirin tën
kurse ti, deti im i trazuar – përherë do të më përkundësh…
BËMË HARTË
Nëse trupi im është territor për mbisundim
mes disa palëve ndërluftuese,
e ti i pari dëshiron të ngulësh flamurin
që të shënjosh se të takon vetëm ty,
mendon se di për ta zbutur,
si ta ruash, kultivosh e ta ledhatosh?
Trupi im nuk është hapësirë gjeografike,
ku mund të shpallesh perandor.
Trupi im është histori e tërë
ku janë shënuar shumë fate,
në të janë nënshkruar shumë emra,
nëpër të kanë kaluar shumë pushtues,
shumë perandori janë shkatërruar mbi të,
shumë rerandorë janë bindur para tij.
Por, trupi im për ty është magmë vullkanike,
stratosferë armiqësore pa oksigjen,
majë e pashkelur me bisha të egra,
ndaj nuk do të mund ta shënosh
hartën e jetës tënde për të cilën kam mall.
HYR SI…
Dëshiroja të jesh thelbi i arrës sime
të shtrihesh mes lëvozhgave të mia,
dëshiroja të jesh margaritar i guaskës sime
të derdh mbi ty gjith lëngjet e mia,
dëshiroja të jesh krimb në qershinë time,
të ëmbëlsohesh në ëmbëlsinë e sa.j
Dëshiroja të bëhesh prijës i fisit tim,
të më hysh si zanafillë në farë.
Të më jesh edhe shpëtim,
edhe humnerë njëkohësisht.
Kurse ti nga gjith kjo,
më quajte vetëm
sundues e vogël dashurie!
TË GJITHA DASHURITË JANË SI KËPUCËT
Të gjitha dashuritë janë si këpucët
Ato që i ruajmë me kujdes
duke i mbathur vetëm në raste festive
mbeten të papërdorura, të ngushtuara, të zvogëluara,
nuk kemi lejuar t’u zhduket bukuria e tyre
por janë të përdorshme
dhe qortohemi shpesh
se nuk jemi të kënaqur me mbathjen e tyre
Ato që me gëzim të madh i mbathim
duke u kënaqur përherë,
më shpejtë i vjetrojmë, i grisim, i harxhojmë
i stërpërdorim dhe më në fund i hedhim
dhe me keqardhje mendojmë
pse nuk blemë dy palë nga ato të njëjtat
që t’i përdornim më gjatë
që t’i kemi si rezervë
që të na gëzojë ideja
se mund t’i vishnim sa herë që duam
Në realitet më gjatë qëndrojnë
ato që më pak i pëlqejmë
apo që i shtyjmë anësh
i humbim diku në brendinë e ormanit
dhe i harrojmë me javë,muaj, vite
që pas shumë kohësh të kuptojmë
se ato përherë kanë qenë aty pranë
edhe pse ne i kemi harruar, hedhur
dhe asnjëherë me dashuri nuk i kemi mbathur.
ENTROPIA E DASHURISË
Dikur bëja rrëmujë në sistemin tënd
jo për të ta dëshmuar praninë
Entropisë së formuar përherë
kur dy trupat tanë qenë në marrëdhënie njëri me tjetrin
pasi asgjë të re nuk të tregova
Termodinamika qysh herrët është shpik
dhe shumë gjatë do na përkujtoj
në harxhimin e energjisë
së marrëdhënies sonë të ndërsjellë.
Dikur prodhoja kaos në vendin tënd
jo për të të rrënuar sistemin tënd të vlerës
por sa për të ngushëlluar
në ato rregullat e lojës që sundojnë edhe në kozmos
kurse ne jemi dy gropa
që janë bashkuar dhe kanë thithur
njëra nga tjetra tërë atë energji
më shumë se sa që ka qenë e ndërtuar në sistem
dhe tani zbrazët, shpresojmë që përsëri do të shndërrohen në yje
Tani të siguroj se dy lidhje,
dy trupa, dy shpirtra
prodhojnë shumë e më shumë entropi
se sa secili trup në vete.
ASTRONOMIA E ZBATUAR
Derisa më thua
asgjë nuk është ndërruar
Kozmosi është zgjeruar
kurse ne jemi disa gallaksi
larg njëri tjetrit!
Derisa më thua
se në shpirtin tënd është vrarët
kurse aura ime e mbushur me diell
të përkujtoj se teoria e kaosit
është krijuar nga metodologjia
Derisa më thua
se duhej ta ndalnim kohën
kur dashuria ishte në vrullin më të madh
dhe trupat me fuqi më të fortë magnetike
të përkujtoj se vrimat e zeza
u krijuan nga implozimi vetjak
dhe tani ato ekzistojnë edhe te ne!
I përkthyen nga maqedonishtja:
Remzi Salihu dhe Adem Abdullahu