Hyrje për poezinë kushtuar nanës Terezë

Kultura

Hyrje për poezinë kushtuar nanës Terezë

Nga: Agron Elezi Më: 15 shtator 2022 Në ora: 12:52
Agron Elezi

Me dorën time të thyer klikova “Wordin” në ekran

Për një dashje të thellë, për një mision të vështirë

Të shkruaj një poezi, për ty Gonxhe, për ty oj nanë

Fillova me emocion të guximshëm dhe me përshpejtim

Por vazhdimisht fshiva atë që shkrova dhe rishikova

Dhe mbas një nate të gjatë pa prehje me hënë të plotë

Kuptova qartë se çfarë peshe e madhe m’kishte rënë

A do t’ia dal të pëshkruaj hirin tënd mbinjerëzor unë, kockëthyeri?

I mbijetuari i një populli të gjymtuar prej luftërave t’pafund

Q'ishte kanosur gjer në zhdukje nga t'katra anët e botës

E që ty, o bijë e jona, mu kjo botë të thërriste nanë

Çfarë fuqie poetike përkon me shpirtin tënd luftarak për prehje dhe paqe?

Që hyje guximshëm në mijëra shpirtëra të varfëra

Duke ndihmuar të fitojnë luftën kundër demonëve të ankthit të jetës

Që hyje e patrembur në mijëra shpirtëra të sëmura

Duke bashkëluftuar kundër demonëve të ankthit të vdekjes  

Edhe fjalët e pleqnarëve tanë që vijnë nga malet e lashtësisë

E që vlejnë më shumë se të gjitha universitetet e vetëdijes njerëzore

Nuk më ndihmojnë dot në përzgjedhjen e duhur të mu asaj shkëndije

Që do t’dhezte mu atë flakë, për farkëtimin tënd më të denj të mundur

Patjetër që m’duhet të përfundoj kangën për ty, padyshim

Aq më shumë ti, që u përkunde në djepin e vatrave tona Ah, të kisha dhjetëramijëra violina, fagotë, flauta e borie

Do të kisha përjetësuar më lehtë, më thellë, dhe më shumë O ju muza!

Perëndeshat e gjakut tim! Më jepni mençuri!

Që vdekatari besnik i juaji, përmes gjuhës sonë hyjnore

T’arrin të vargëzoj atë madhështi - të shenjtën nanë Terezë  

Ju, paraardhësit e mi, ndërtuesit e tempujve të zotërave!

Më bekoni! Më mbushni me forcë, guxim dhe nder

Për t’skalitur thellësinë dhe lartësinë e saj të pamatshme  

Dhe ti, gruaja ime! Dashuria ime!

Përflake më fort shkëlqimin e zjarrit tonë të votrës

Që t’mbes gjithmonë i ndriçuar, i pastër dhe i palodhur

Që kurrë mos t’ngeci në baltën djallëzore përgjatë këtij misioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat