Në aeroport u futëm e bënim shaka
Njëri pas tjetrit, në vijat e caktuara,
Atë natë të zezë ç'borë e bardhë ra
Ç'm'u turbulluan mendimet e ngatërruara.
Shokët e grupit zunë vend, u ulën
Në karriget metalike të bashkuara,
Mua, tek kotesha, sytë fort m'u ngulën
Tek dy duar të forta, aq të shtërnguara.
Një baba me mustaqe dhe i ashpër si shkëmb
Si duket, të birit i jepte mesazhe epike,
Edhe pse s'u dha, shpirti i tij e di sa dhemb
Tek e përcjell garnizonesh aziatike.
Gjithë familja po e përcjell me dhembshuri:
Një djalkë i vockël me ëndrra të bukura,
Lotbardhë e krrusur një nënë e heshtur rri,
Një çupkëz me fustan me lule e flutura.
As motrën, as babën, as vëllain, as nënën
Nuk munda t'ia njihja rekrutit që shkonte,
Pse e zura me brumë ligështimi këngën
Pse faqeve loti pa leje më pikonte?!
Ndërkohë, të tjerë vinin, iknin të tjerë
Në pritje të avionëve përkatës,
M'u duk me pelerinë trishtimi mbështjellë
Erzurumi plak në ora dy të natës.
Ndërsa ngrysur plaku i rreshkur me mustaqe
I dha të birit çantën e rëndë të shpinës,
Nënës iu drodh buza tek e puthte në faqe
Mua për të panjohurin loti shkiste tinëz.
Për djalin e pafajshëm turk që ikte ushtar
Pse qava si për të afërmin tim nuk e di,
Po jemi Njerëz në këtë botë të marrë
Ku lotët e nënave mbështillen me shami...
Mos ma sëmurni detin
Detit të Zi, që po e infektojnë ...
Sa e vogël qenka bota
sa një lule në saksi,
ngrita këngën nga Evropa
dhe e ula në Azi.
Ujë të zi Detit të Zi
i nxorra sot gjer në fund,
kënaqësi a krenari
un’ u munda a ai u mund…
Ç’det i bukur, aq i pastër
pse i thonë Det i Zi,
diell ditën, yje natën
tjetër botë, larë flori.
Treqind lumenj nga gjasht’ shtete
prurje uji ëmëbl derdhin,
njerëz nga dy kontinente
mos ma sëmurni detin!
Burçùja e Anadollit
Burçù, me theksin në fund
U - ja e dytë ulërimë,
ulërimë shpirti që tund
dy male me trëndelinë.
Burçù, hënëz Ankaraje
Lëng i ëmbël Erzurumi,
Në ata sy mjaltë me bajame
U çmend mendja ime, humbi…
Burçù, Burçëz, moj Burbuçe
Ku s’më shkoi imagjinata,
Të dy shtruam një lëkurçe
Binte borë malesh të larta…
Për turkeshën Aleluja
Nëpër borë shkoi vetëtimë,
Burçù, me theksin tek u - ja
Tek e dyta ulërimë…