Pena ime bën zhurmë në heshtje
"Të mëdhenjve"-pasanikëve s'u bie në sy
Se ata hidhen shtigjeve mbushur me para
Ndërsa "vegjëlia"-varfanjakët e kërkojnë
Si bukën e gojës, si ilaçin për shërim.
Fjala ime s'njeh kufi
Rrjedh si lumi e gurgullon si ujëvarë
Shtrihet në vargje si Alpet shqiptare.
Fjala ime ka ngjyra shumë
Më shumë sesa ylberi
Por fjala ime ndonjëherë bubullon
Para shiut, e pas tij
Ndoshta dikë "e vret" kjo e imja bubullimë
Teksa e di se kujt ia shëron zemrën
Për dikë fjalët e mia bëhen si melhem.
Shpesh m'i kërkojnë fjalët e mia në vargje
E unë, plot pastërti
Ua dhuroj me mirësi
Si rruazat në varg
Si peshqesh e për meritë
Ndjenjat i lidh si kordele
E ua fal me shpirt!