Në kuvendin që mbahet çdo mijë vjet
Nga familja madhe e ADN-së mëmë
Në amfiteatrin “Tokë” të kumtrit t’shenjt
Një padi, dhe një gjykim kishte zënë
Njeriu ishte shpallur një pis-hajdut
Një nepsqar i pangishëm dhe kopuk
Një vrastar paparashikues i marrë
Rrenacak pafytyrë dhe i përdalë
Prej thellësisë që nuk mund m’u përshku
Gjer në lart’sinë e majeve huqe
Nga bakteria gjer te balena blu
Nga “wolffia” gjer te drunaja kuqe
Gjithë të vendosur ishin pajtuar
Gjithë njëzërit ishin deklaruar
Vetëm qeni që kishte kundërshtuar
Dënimin me vdekje për ta zbatuar
Atëherë njeriu u ngrit si n’shaka
U kollit, pastaj rrehi gjyks e tha
“Qoftë ky verdikt më se i bekuar
Sepse unë dhe ashtu jam i dënuar
Dikush dhuratë vet’dijen ma solli
Porse nga kjo t’vërtetën më vodhi
Më la gjysmak dhe të papërmbushur
As ndër ju, as ndër yje t’pavdekshme
Si një grykës ëmbëlsie të humbur
Me një kokë të urisë së pashterrshme
Atëherë zemërimi dhe më rrembeu
Atëherë shfrenimi dhe nuk ndaloi
E tërë belaja nisi dhe shpërtheu
Dhe hija e mynxyrës më mbuloi
O motra e vëllezër fat-ndritur!
nuk po m’dënoni, por po m’shpëtoni
O familje, hijeshi skalitur!
Mbase te e vërteta po m’dëboni
Thirrne mu xhelatin e Pandorës
T’i jep fund këtij turpi faqezi
M’groposni thellë n’flakën e nëntokës
Që kurrë mos t’ngre krye më, kjo mani”
Nëna ADN filloi t’vajtonte
Dhe kori i shpez’ve ngushëllonte
“Mos qaj nënë, ah moj e përthella nënë
Vendimin tashmë ne e kemi dhënë
Të bekuar do t’jemi për kët' dënim
Toka jonë do gjej të vetmën shpëtim”
Dhe kur nëna mblodhi disi veten
Mori fjalën me lotët që nuk treten
“O ju bija dhe ju bijtë e nënës!
Lutem kundër vendimit që morët
Për vlerësimin e juaj kobë-dhënës
Për vdekjen e pakthimt që ju nxorët
Lutem për fëmiun tim të përlazdruar
Që ju tradhton ndoshta dhe me qëllim
Që shpërfill dhe mund t'ju kishte harruar
Që përbuz dhe ju flak pa shfajësim
Që tmerron dhe ju shfaros pa gjykuar
Lutem për faljen e tij ndaj hajnisë
Për grabitje të dheut t’pikturave
Për përdhosje të ajrit të rinisë
Për dëmtim të pyellit të muzave
Për çnderim të oqeanit të dashnisë
Përvajtoj atë çorodinë ogurzi
Që iu dhez, dhe nuk shuhet asesi
Lënguar për kamje, pushtet dhe lakmi
Duke korruptuar pa ndalë llojt e tij
Falni! Ju lutet nëna o – Falni!
E çnuk përjetoi i vuajturi im
Që don përkundje dhe një qetësim
Falni! O mbretëria ime – Falni!
Eh ç'na pësoi i harbuari dëshp’rim
Që ka dhe nevojë për një përqafim”
“Nuk mund t’ia falim më, oj nënë!”
Jehoi balena me zërin e thellë
“E mban mend sa premtime na ka dhënë?
E mban mend sa here n’lloç na ka lënë?
Duhet hequr qafe kët’ t’qelbtën vnerë
Që t’shërojmë ujtë e gjalla menjëherë
Duhet doemos shuar kët' tym të mykur
Që t’freskojmë horizontin e kaltërsisë
Duhet shkëputur kët' hallkë të dryshkur
Që t’ruajmë prarinë e gjirit tënd t’magjisë
Duhet t’na falësh për birin tënd, nënë
Dhe t’i bësh “Amin” dënimit të rëndë”
(Kori)
“Mos qaj nënë, ah moj e përthella nënë
Vendimin tashmë ne e kemi dhënë
Të bekuar do t’jemi për kët' dënim
Toka jonë do gjej të vetmën shpëtim”