Nisi sot, në Muzeun Historik Kombëtar, Festivali Letrar Ndërkombëtar i të rinjve “Tirana Gate 2022”, i cili këtë vit do të ketë moto të tijën “Fqinjët”.
Deri në datën 7 tetor, Tirana do të kthehet në një vendngjarje të rëndësishme për librin europian.
Ky Festival është një projekt i realizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit në kuadër të projektit rajonal READ (Rrjeti Rajonal për Dialog Ndërkulturor) i mbështetur nga Bashkimi Europian.
Kryeqyteti do të mirëpresë autorë të mirënjohur të Ballkanit, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Shqipëria dhe autorë nga Turqia, që në labirinthin e një paraleleje mes historisë personale dhe asaj kombëtare do të rrëfejnë histori shtetesh dhe qytetesh, histori qytetërimesh dhe jetësh individuale.
Gjithashtu pjesë e Festivalit do të jenë autorë europianë si nga Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Rumania, fitues të çmimit prestigjioz ndërkombëtar Çmimi Europian i Letërsisë (EUPL), ku edhe Shqipëria bën pjesë me 3 autorë të saj.
Milena Selimi, drejtore artistike e festivalit, është shprehur se “Kultura është e vetmja hapësirë pa kufij ku mund të lëvizim pa lejekalimi, ku në vend që të kundërshtojmë mund të dialogojmë edhe nëse nuk jemi dakord.”
Festivali i sivjetëm do të solidarizohet me Ukrainën, në një seksion të dedikuar Ukraine – Stop War, duke sjellë disa autorë përmes krijimtarisë së tyre.
Veçantia e këtij festivali qëndron në faktin se secili autor do të flasë, diskutojë dhe lexojë në gjuhën e tij, pra do të dëgjohet shqip, turqisht, greqisht, bullgarisht, maqedonisht etj.
Autori më i ri i festivalit është 26-vjeçari Azem Deliu dhe autori më në moshë, Drago Jančar, 73-vjeçar.
Sot, në ditën e parë të “Tirana gate 2022”, kanë marrë pjesë Drago Jançar (Slloveni), Anna Kove (Shqipëri) dhe Ylljet Aliçka (Shqipëri), nën moderimin e Arta Markut. Festivali do të vazhdojë deri në datën 7 tetor.